Schmitt: Historia e Ballkanit nuk fillon me paraqitjen e elementit sllav

Lajme

Schmitt: Historia e Ballkanit nuk fillon me paraqitjen e elementit sllav

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 08:56

Mendimi se historia e Ballkanit filluaka me paraqitjen e elementit sllav dhe se ardhja e sllavëve paska krijuar një tabula rasa, për historianin Oliver Jens Schmitt është përfundim i gabuar.
Pos kësaj, për studiuesin e shquar zviceran pak dihet në lidhje me pozitën e Ballkanit në Perandorinë Osmane, ani pse studiues francezë kanë përpiluar një bibliografi mbi islamizimin në Ballkan. Në mënyrë që kjo çështje të definohet, Schmitt ka thënë se duhet të studiohet më thellësisht konkurrenca e myslimanëve shqiptarë dhe sllavë në oborrin mbretëror, si dhe marrëdhëniet e trajtuara shqiptare-myslimane-boshnjake në një tjetër kontekst nga këngët kreshnike.

Çështje të tilla janë aty prej shumë të tjerave me të cilat do të duhej të merrej ballkanologjia si një disiplinë në vete. Këto kanë qenë disa nga konstatimet që ka nxjerrë Schmitt të hënën në Prishtinë, në ligjëratën “Ballkanologjia si detyrë shkencore”, të cilën e ka mbajtur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku i është dorëzuar fletëdëshmia si anëtar i jashtëm i AShAK-ut. U zgjodh në dhjetor të 2012-s.

Schmitt ka prezantuar arsyet e trajtimit të kësaj teme, teksa ka thënë se ballkanologjia duhet të trajtohet si shkencë ndërdisiplinore.

“E bëj këtë me bindjen se ballkanologjia është ajo shkencë ndërdisiplinore, e cila në kundërshtim me shkencat shoqërore me orientim kombëtar dhe të interesuara vetëm për të tashmen, është e vetmja në gjendje ta përcaktojë vërtet rëndësinë e këtij rajoni në një kontekst evropian dhe mesdhetar”, ka thënë Schmitt. Në ligjëratën e tij, ndër të tjera, ai trajton edhe çështje të cilat tregojnë lindjen e këtij termi, i cili më pas do të shërbente si formë e definimit të këtij rajoni. Ai përpiqet të sqarojë se si themeluesit jashtërajonal të ballkanologjisë e kanë parë karakterin e plotësuar me elemente josllave. Më pas ai ka paraqitur mendimin mbi Ballkanin, se si është kuptuar si hapësirë unike historike dhe kulturore brenda rajonit. Ka folur për mundësitë e hulumtimeve të sotme mbi Ballkanin.

“Në vitet ‘30 mund të dallojmë pra shumë qartë mes një ballkanologjie, e cila përfshinte Ballkanin si hapësirë kulturore, e pranishme qysh prej antikitetit dhe e karakterizuar nga shumëgjuhësia dhe kontaktet e ngushta kulturore dhe një drejtimi shkencor juglindor, i cili i shërbente sidomos legjitimimit shkencor të një strategjie ekspansioniste të politikës së jashtme. Ky diferencim hapësirash në hulumtimet për Ballkanin dhe për Evropën Juglindore në hulumtimet e Evropës Qendrore nuk mund të mbivlerësohet në rëndësinë e tij, sepse ai vazhdon edhe pas vitit 1945. Hulumtimet juglindore nuk kanë qenë vetëm fillimisht të politizuara”, ka thënë Schmitt, teksa ka treguar se si keqpërdorimi i termit Ballkan ka shtyrë shumë studiues që të kalojnë në termin Evropë Juglindore. Por ai ka thënë se termi Ballkan është politizuar po ashtu ashpër brenda vetë Ballkanit nga intelektualë dhe studiues jashtë rajonit.

“Paralelisht me këtë, termi i Ballkanit vazhdonte të përdorej: në njërën anë në ballkanologji, e cila në vendet gjermanishtfolëse (jo si në Francë) ishte zhvilluar në një shkencë kulturore, që përfshinte sidomos letërsinë, antropologjinë, sociolinguistikën dhe gjuhësinë klasike, por pak ose pothuaj fare historinë”, ka shtuar Schmitt. Ai ka thënë se zhvillimi i një fushe për hulumtime të Ballkanit në Serbi, e cila paraqiste fillimet e ballkanologjisë, kishte të bënte në mënyrë të theksuar me legjitimimin shkencor të kërkesave territoriale të shtetit serb ndaj territoreve të Perandorisë Osmane dhe të Austro-Hungarisë. Por, sipas tij, Serbia do të kërkonte hegjemoni politike dhe këto hulumtime të realizuara në Institutin Juglindor të Beogradit kishin një detyrë të qartë politike.

“Ato duhej të legjitimonin shkencërisht Paktin Ballkanik të vitit 1934 dhe të krijonin një identitet ballkanik, i cili duhej të distancohej nga Gjermania nacional-socialiste, Italia fashiste dhe Unioni Sovjetik komunist. Në këtë Ballkan, Jugosllavisë domethënë edhe Serbisë, duhej t'i jepej roli kryesor. Në revistën e ‘Munchner Zeitschrift fur Balkankunde’ botonin korifenj të hulumtimeve të Ballkanit nga gjithë Evropa, ndërsa në publikimet në gjuhën serbe propagandohej ‘njeriu ballkanik’. Brenda rajonit të Ballkanit as Shqipëria e as Bullgaria apo Greqia nuk ofruan ndonjë rol”, ka thënë Schmitt. Në këtë kontekst, sipas tij, u fuqizua balancimi mes Greqisë dhe Turqisë, Shqipëria dhe Bullgaria nuk i gjetën të pasqyruara interesat e tyre vitale në konceptin e Ballkanit të përfaqësuar nga Jugosllavia. Duke marrë këto shembuj dhe të tjerë, Schmitt ka thënë se në vitin 2000 ballkanologjia brenda dhe jashtë rajonit do të gjendej në krizë të thellë.

Sfida e ballkanologjisë, sipas Schmittit, është që studiuesit të merren me fenomene të vogla, lokale, rajonale. Këtë e ilustron me rastin e historianit anglez Noel Malcolm, i cili në librin e tij të sapobotuar “Agents of Empire", shkruan një histori evropiane me shembullin e familjes shqiptare-katolike Bruni/ Bruti nga Ulqini.

“Merr në dukje një fenomen të vogël, lokal dhe rajonal, dhe menjëherë gjendesh në ndërlidhje të mëdha, evropiane dhe mesdhetare, pavarësisht se a e bën si historian, apo si gjuhëtar apo si arkeolog”, ka thënë Schmitt. “Në këtë kontekst ballkanologjia e historisë evropiane ka për të thënë më shumë nga ç'e ka bërë deri tash, e koncentruar në studime detajesh - por për këtë nevojitet drejtim, një dorë drejtuese. Kjo mund dhe duhet të jetë detyra e një akademie”, ka shtuar ai në ligjëratën që ka mbajtur fill pasi Hivzi Islami, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ia dha fletëdëshminë si anëtar i jashtëm i këtij institucioni.

Me këtë rast akademik Islami ka thënë se Schmitt është një nga studiuesit e shquar të brezit të ri që merren intensivisht me historinë shqiptare. Ka folur gjatë për veprën dhe karrierën e Schmittit si profesor ordinar për histori të Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës, prej vitit 2005, që prej vitit 2011 anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave, ku më 2009 qe zgjedhur anëtar korrespodent ndër më të rinjtë.

“Janë të rrallë studiuesit me një moshë të re, çfarë është profesor Schmitti, që kanë gjerësinë dhe thellësinë e interesimeve kaq të gjera shkencore-hulumtuese në fushën e historisë, sikundër që janë të rrallë shkencëtarët që kanë energjinë dhe frytshmërinë e rezultateve në kërkimet e tilla. Pjesën më të madhe të punës së tij ia ka kushtuar historisë shqiptare, të vështruar në tërësinë e saj dhe në një kontekst më të gjerë evropian”, ka thënë Islami. Duke lexuar pjesë nga arsyetimi për zgjedhjen e Schmitt anëtar korrespodent i AShAK-ut, akademik Islami ka thënë se ai është një nga të paktit historianë titullarë universitarë aktivë në Evropën Perëndimore sot dhe me moshën dhe formimin e tij garanton se me këto çështje do të merret edhe një kohë të gjatë. “Profesor Oliver Jens Schmitt ka shfaqur dhe interesa të tjera për botën shqiptare dhe ballkanike, është angazhuar në paraqitjen e kësaj bote në aspektin shkencor e kulturor para opinionit të Evropës Qendrore, ndërsa me pozitën që ka në Institutin e Historisë të Universitetit të Vjenës për një kohë të gjatë mund të luajë një rol me peshë në këtë drejtim”, ka thënë kryetari i AShAK-ut. Sipas tij, Schmitt është në Kosovë edhe për të biseduar në emër të Akademisë së Shkencave të Austrisë për bashkëpunimin midis kësaj Akademie dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dhe veçanërisht për fushat e shkencave që ai i mbulon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat