Vlora me bileta të udhëtimit biznes klasë, tejkalon shpenzimet

Lajme

Vlora me bileta të udhëtimit biznes klasë, tejkalon shpenzimet

Më: 29 maj 2015 Në ora: 10:00

Ministria e Integrimeve Evropiane (MIE),e cila një periudhë të vitit të kaluar ishte udhëhequr nga ish ministrja Vlora Çitaku, gjatë vitit të kaluar, për dy udhëtime zyrtare jashtë vendit kishte rezervuar bileta të klasit biznes në vlerë prej 9.440 euro. Përderisa biletat e klasës ekonomike për të njëjtin relacion kishin kushtuar 3,722 euro, duke shkaktuar në këtë rast mbishpenzim prej 5,718 euro. Kjo është konstatuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

Këto bileta sipas ZAP-së , ishin paguar për relacionin Prishtinë-Romë-Washington në vlerë 3,681 euro dhe Washington-Stamboll-Prishtinë në vlerë 3,603 euro. Po ashtu, sipas ZAP-së, raportet e pranimit të SIMFK për mallrat dhe shërbimet e pranuara nuk ishin nënshkruar nga zyrtari i certifikuar për pranim të mallrave dhe shërbimeve, por nga zyrtarë tjerë.

ZAP-ja po ashtu ka identifikuar se shpenzimet e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit ishin tejkaluar ndjeshëm në raport me buxhetin fillestar. “Planifikimet buxhetore për këtë lloj shpenzimi nuk përkonin me kërkesat dhe nevojat reale. Parametrat për shpenzimet e njëjta të vitit paraprak nuk ishin marrë për bazë në planifikimin e buxhetit të vitit aktual”, thuhet në raportin e ZAP-së.

Sipas po të njëjtit raport, shpenzimet vjetore nga kjo nënkategori ishin 410,898 euro, ndërsa ishin buxhetuar 205,198 euro. Po ashtu, auditori ka gjetur se kjo ministri ka pasur planifikim jo real buxhetor edhe për nënkategorinë e shpenzimeve për dreka zyrtare.

“Nga 140,000 euro të planifikuara, ishin realizuar vetëm 39,872 euro. Rreziku planifikimet e dobëta buxhetore dhe devijimi nga programi buxhetor duke mbishpenzuar njërën kategori në dëm të kategorisë tjetër vështirëson arritjen e objektivave të synuara të organizatës. Situatat e tilla mund të rezultojnë në deficit ose suficit të paplanifikuar, me ndikim në reduktimin e efektivitetit të veprimtarisë së organizatës”, thuhet në raport.

MIE po ashtu sipas konstatimeve të ZAP-së, shfrytëzon shërbimet e telefonisë mobile pa ndonjë kontratë të nënshkruar me operatorin ekonomik, ku sipas ZAP-së, shërbimet e këtij operatori shfrytëzohen vetëm për kabinetin e ministrit. Testimi i një mostre/numri telefonik , nga ZAP-ja, ka identifikuar se shpenzimet e muajit dhjetor/2013 ishin 2,936 euro, përderisa me rregullën akt uale në fuqi për nivelin e caktuar hierarkik limiti i lejuar mujor është 250 euro.

E gjetura tjetër nga ZAP-ja ishin edhe shpenzimet e akomodimit për tre udhëtime zyrtare ku ishin tejkaluar në vlerë 1,335 euro, për të cilat, sipas ZAP-së nuk kishte ndonjë shpjegim të vlefshëm të dhënë për këto raste. Tejkalimet në këtë rast ishin aprovuar nga asistentja ekzekutive e Ministres.

Po ashtu, gjatë vitit 2014, MIE kishte vlerësuar si shkelje, subvencionimin e projekteve të refuzuara nga komisioni vlerësues.

“MIE kishte subvencionuar pesë projekte në vlerë 17,674 euro, projekte këto të refuzuara nga komisioni vlerësues, ngase qëllimi i projekteve nuk ishte brenda fushëveprimtarisë së përcaktuar nga MIE. Projektet e tilla ishin aprovuar me vendim të Ministres. Mangësi janë hasur edhe në raportimin financiar nga ana e përfituesve të subvencioneve. Jo të gjithë përfituesit kishin dorëzuar në Ministri raporte financi are dhe dëshmi lidhur me implementimin e projekteve të subvencionuara”, thuhet në raportin e auditorit për MIE-së. /Kosovapress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat