Kolegjet private, prioritet përfitimin e jo cilësinë

Lajme

Kolegjet private, prioritet përfitimin e jo cilësinë

Më: 23 maj 2015 Në ora: 14:27

Në Republikën e Kosovës veprojnë 45 institucione të arsimit të lartë. Nga ky numër, të akredituara në rajone të ndryshme të Kosovës janë tetë universitete publike, kurse 37 janë kolegje private dhe asnjë universitet privat.

Përfaqësues të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës thonë se kriter kryesor për akreditimin e institucioneve të larta të arsimit është cilësia, përderisa ekspertë për çështje të arsimit, theksojnë se qëllimi kryesor i veprimit të kolegjeve private është përfitimi dhe jo arsimi.

Bajram Kosumi, anëtar i Bordit në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se vlerësimi i programeve në këto institucione bëhet vetëm në aspektin e cilësisë. Asnjë kolegj, asnjë program, thotë ai, nuk akreditohet nëse nuk i plotëson kushtet që garantojnë cilësi.

“Institucionet e larta të arsimit privat janë kryesisht kolegje, të cilat kalojnë në një procedurë të detajuar të akreditimit, edhe institucional edhe programor. Kjo do të thotë se nëse dikush dëshiron të krijojë ndonjë kolegj privat, së pari duhet të akreditojë institucionin, do të thotë t’i përmbushë kushtet ligjore, e pastaj të akreditojë secilin program veç e veç”, thotë Kosumi.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje të arsimit thonë se cilësia është kriteri i vetëm që nuk u intereson themeluesve të institucioneve private të arsimit të lartë. Ata thonë se në një vend më me pak se 2 milionë banorë, numri i kolegjeve private është jashtë zakonisht i lartë dhe i panevojshëm.

Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, konsideron se kolegjet private qëllim kryesor kanë përfitimet komerciale dhe jo cilësinë, pasi, siç thotë ai, në këto institucione nuk ka standarde të zhvilluara që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit, punës shkencore dhe pedagogjike.

Se qëllimi kryesor i këtyre institucioneve është fitimi i mjeteve materiale, sipas Hysenit, vërehet te pranimi i numrit të madh të studentëve.

Ai thotë se numri i madh i studentëve në institucionet private të arsimit, ka bërë që një profesor të jetë në proporcion me 600 studentë.

“Për një hapësirë kaq të vogël të territorit të Kosovës, të jetë ky numër kaq i lartë i institucioneve të arsimit të lartë privat dhe publik, jo se është e tepërt, por është jashtëzakonisht shumë. Mendoj se ky rrjet i institucioneve nuk i kontribuon cilësisë, sepse ky rrjet aq i madh atakon standardin kryesor. E standardi kryesor është përpjesa e numrit të mësimdhënësve me numrin e studentëve”, thotë Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Se pronarëve të institucioneve të arsimit iu intereson profiti dhe jo kualiteti, e thotë edhe eksperti tjetër i arsimit në Kosovë, Jonuz Salihaj.

Ai pohon se në tërë botën institucionet private të arsimit të lartë njihen për cilësi, kurse në Kosovë ndodh e kundërta. Këto kolegje, Jonuzaj thotë se njihen për jocilësi në arsim, diploma pa vlerë, madje edhe për diploma false.

“Them se këto institucione sillen si me qenë krejtësisht të pavarura dhe nuk i japin llogari askujt. Pra, këto janë grupe akademike të interesit, që kryesisht e shikojnë interesin e vet. Kolegjet kanë luajtur shumë me autoritetin e emrave të njohur të profesorëve të njohur. E kanë bërë ndonjë emër të njohur dekan apo prodekan, rektor e kështu me radhë. Por, kryesisht është në interes të pronarëve dhe grupeve të vogla të interesit”, konsideron Salihaj.

Ai shton se edhe kolegjet private në të shumtën e rasteve kanë hapur programe që nuk kanë nevojë për laboratorë, praktikë që kushton shtrenjtë, por vetëm drejtime që përqindjen më të madhe e kanë në teori.

“Çmimi në kolegjet private nuk është i shtrenjtë. Një vit akademik kushton më pak se 1000 euro. Dhe, çmimi flet vetë për cilësinë, sepse ka numër të madh të studentëve, konkretisht për degën e juridikut, ekonomikut dhe shkenca humanitare nuk nevojiten shumë laboratorë dhe shumë investime”.

“Kryesisht ligjërojnë teori të thatë. Dhe sigurisht që me ato pak para që i marrin nga studentët, i ambientojnëdhe u shërbejnë grupeve të interesit dhe atyre familjarëve, të cilët kënaqen që fëmijët e tyre të kenë një diplomë, pavarësisht faktit nëse në atë diplomë ka cilësi apo jo”, shton Salihaj.

Me gjithë faktin se në Kosovë asnjë institucion i arsimit të lartë privat nuk është universitet, në ueb-faqet e tyre zyrtare shkruan dhe se janë universitete.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat