Varri ka mbetë i zbrazët, nuk di asgjë për eshnat e babës së tij

Lajme

Varri ka mbetë i zbrazët, nuk di asgjë për eshnat e babës së tij

Më: 27 prill 2015 Në ora: 10:02

Shaban Deliu viziton shpesh varrin e zbrazët të babës së tij të zhdukur. Ai përkujdesët për të, me vendosje lulesh e pastrim, sikurse brenda tij të ishte trupi i pajetë i të atit. Ka 16 vite që Shabani nuk di asgjë për eshnat e babës së tij të vrarë, e të zhdukur pastaj nga ushtria serbe. Sa herë që kishte ndonjë gjetje, Shabani dhe familja e tij shpresonin që do të merrnin ndonjë lajm për trupin e pajetë të plakut. Por nuk ndodhi asnjëherë.

Që 16 vite ata nuk e bëjnë gjumin rehat, duke menduar se kur do t’i kenë së paku disa nga eshnat e trupit të babës.

I ati i Shabanit, Nezir Deliu u ekzekutua në datën e 5 prillit të 99-ës, në fshatin Rezallë të Skënderajt. Në një intervistë për KosovaPress, Shabani rrëfen dhimbjen që e mbajnë tash e 16 vite. Çdo natë për ta është e gjatë por nuk e humbin shpresën. Thonë se një ditë do ta sjellin trupin e pajetë të babës në varrin i cili po pret hapur.
Forcat serbe, ditën e 5 prillit të 99-ës, i mblodhën të gjithë banorët civil të fshatit Rezallë, shtëpi për shtëpi, e i dërguan në një shtëpi, afër së cilës edhe u bë ekzekutimi. Ishte shtëpia e Hashim Dërgutit. Gjatë tërë ditës i maltretuan e i fyen me fjalë. Disa edhe i rrahën. Vazhdimisht iu bënin pyetje për UÇK-në.

Aty iu thanë se kishin në plan t’i ekzekutonin të gjithë. Por në minutat e fundit me një urdhër nga lartë, i lëshuan gratë dhe fëmijët. Burrat i vendosën në një lëndinë jashtë atij oborri. Aty edhe i ekzekutuan një për një.

Atë ditë, Shabani nuk ishte me babën. Gjendej diku nëpër male. Derisa i ndanë, ditën e 5 prillit të ’99-ës, pranë plakut ishte bashkëshortja e tij me nusen dhe nipat e vegjël.

“Kah ora 17:00, i kanë nda burrat nga gratë e fëmijët dhe i kanë dërgua në Likovc. E burrat i kanë pru këtu, i kanë ekzekutuar në mënyrën më barbare, qysh ata dijnë.... Hala pa shku tek semafor që i themi ne, nuk i ka as 1 km, janë dëgjuar të shtënat, thonë i kena dëgjua dhe e kanë kuptuar që i kanë ekzekutuar burrat, edhe fëmijët e kanë kuptuar. Nuk kanë shkuar larg, as 1 km, kur ka ndodhë ekzekutimi”, thotë ai.

Gra e fëmijë dëgjuan të shtënat që po bëheshin mbi baballarët e vëllezërit e tyre. Të gjithë meshkuj, të rinjë e të moshuar u ekzekutuan në mënyrë barbare atë ditë. Më i riu në moshë ishte 13 vjeç, derisa më i moshuari rreth 90.

Gratë dhe fëmijët i maltretuan pastaj duke i detyruar të ecnin prej një fshati në tjetrin. I detyruan të kalonin natën të ulur nëpër rrugë. Duke mos iu lënë mundësi të kthenin kokën prapa për të parë më të dashurit e tyre të sapo vrarë.

Me t’u hap rasti i Rashkës, familja Deliu kishte shpresuar që do të gjendeshin edhe eshnat e Nezir Deliut.

“16 vjet pas luftës ende ne nuk i kena gjet eshnat e babës. Megjithatë kena shpresu në këtë rastin e Rashkës që po gjinden, edhe vet kam qenë me komisionin në vendin e ngjarjes, ku i kishin pasë varrosë atje, por fatkeqësisht janë edhe 8 të kësaj ngjarje që nuk janë gjet, e në mesin e tyre edhe baba im, Nezir Deliu.

Mungesa e trupit të pajetë të plakut të shtëpisë, është një brengë e cila tash e 16 vite nuk po i lë rehat familjen Deliu.

“Shpresën e mbajmë por nuk shpëton natë, kur bjen njeri, e nuk të bjen në mend për ta. Se mungojnë, kur te dish që e ka vendin diku, shkon më shlirë, por po shpresojmë dhe shpresa thonë vdes e fundit. Po shpresojmë që gjinden. Duhet me punu më shumë, edhe këta tonët, iu kisha thënë me punu më shumë në këtë drejtim, dhe këto marrëveshjet e këto të Brukselit, me i shti edhe këta...neve na takon, eshnat e atyne na takon me i pru këtu, me pushu ku e kanë vendin”, thotë ai.

E tani, varri i zbrazët i babës së Shabanit po rri në kompleksin e varrezave në fshatin Rezallë. Javë më parë aty u rivarrosën 28 trupa të gjetur vitin e kaluar në Rudnicë të Rashkës.

Shaban Deliu mendon se ky kompleks duhej ta kishte vendin disa metra më lartë, aty ku edheishte kryer ekzekutimi.

“Atje kish me flejt puna edhe më mirë, se aty edhe e kanë derdh gjakun, dhe me pas qenë ky kompleks atje, kish pasë vlerë shumë më shumë se këtu”, thotë ai.

Masakra e Rezallës, e kryer me 5 prill të vitit 1999, la shumë nëna pa fëmijë, shumë jetimë, shumë djem të ri pa baballarët e tyre... dhe vrau shpirtin e shumë banorëve të këtij fshati.

Nga masakra e Rezallës, e kryer me 5 prill të 99-ës, nga ushtria serbe u ekzekutuan 98 persona, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth. Aktualisht janë 16 persona të zhdukur nga fshati Rezallë, 8 prej tyre nga data e 5 prillit. Nga të zhdukurit që u vranë më 5 prill të vitit ‘99, 28 trupa u gjetën e u rivarrosën javë më parë, 2 ishin gjetur më herët dhe për 8 të tjerë ende nuk dihet asgjë.

Sot po shënohet Dita e Personave të Pagjetur në Kosovë. Aktualisht nuk dihet për fatin e mbi 1600 personave të vrarë, e të zhdukur pastaj, nga ushtria serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat