Tahiri: "Mbrojtja civile" nuk integrohet në Policinë e Kosovës

Lajme

Tahiri: "Mbrojtja civile" nuk integrohet në Policinë e Kosovës

Më: 29 mars 2015 Në ora: 11:15

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se ish-pjesëtarët e së ashtuquajturës “Mbrojtja civile” nuk do të integrohen në Polici të Kosovës apo në institucione të tjera të sigurisë. Ajo ka deklaruar se ata do të mund të integrohen vetëm në institucione shtetërore civile që kanë veprimtari lokale.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Tahiri ka vlerësuar se marrëveshja për shpërbërjen e kësaj strukture parasheh edhe integrimin e ish-pjesëtarëve të saj.

“Marrëveshja ka të bëjë me punësimin e këtyre njerëzve në institucione civile, përkatësisht në ministri të ndryshme dhe agjenci të shtetit të Kosovës që kanë veprimtari lokale. Kjo marrëveshje negociohet tash e dy vjet. Vazhdimisht kam deklaruar se qëndrimi ynë si Qeveri e Republikës së Kosovës ka qenë se këta pjesëtarë të kësaj strukture duhet të integrohen në institucione civile të shtetit të Kosovës, e jo në institucione të karakterit të sigurisë”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka bërë me dije se kjo marrëveshje në tërësi duhet të zbatohet deri më 1 shtator të këtij viti. Sipas Tahirit, kjo marrëveshje parasheh edhe destinimin e objekteve dhe pajisjeve që kjo strukturë i ka shfrytëzuar deri më tani.

“Dëshiroj të theksoj se marrëveshja për shuarjen e së ashtuquajturës ‘Mbrojtja civile’ parasheh që të gjitha objektet që kanë qenë në shfrytëzim të kësaj strukture t’i dorëzohen Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në këto objekte pastaj do të vendosen zyrat e ministrive dhe agjencive që kanë veprimtari lokale, e që deri më tani nuk kanë mundur ta shtrijnë veprimtarinë në këto katër komuna”, është shprehur Tahiri.

Ministrja Tahiri e ka ftuar BE-në të jetë e angazhuar maksimalisht në procesin e zbatimit të marrëveshjes për zhbërjen e ‘Mbrojtjes Civile’ dhe zbatimin e marrëveshjes për çështje të drejtësisë, në mënyrë që Serbia të mos e neglizhojë këtë proces.

“Ky është një fillim i mbarë por unë, duke marr parasysh se në periudha të mëhershme Serbia ka ditur t’u shmanget obligimeve dhe t’i pengojë proceset e zbatimit të marrëveshjeve, dëshiroj të them se Bashkimi Evropian duhet të mbetet shumë i angazhuar në procesin e zbatimit të marrëveshjes për drejtësi dhe marrëveshjes për zhbërjen e së ashtuquajturës “Mbrojtja civile’”, ka deklaruar Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat