Humbi jetën pas lindjes, familjarët kërkojnë dëmshpërblim nga materniteti

Lajme

Humbi jetën pas lindjes, familjarët kërkojnë dëmshpërblim nga materniteti

Më: 27 mars 2015 Në ora: 10:27

Familjarët e bashkëshortes së ndjerë të portierit të “Partizanit”, e cila humbi jetën në nëntor të vitit të shkuar, pas lindjes së djalit, kanë paditur maternitetin.
“Panorama” shkruan se ditët e fundit në Gjykatën e Tiranës është depozituar një tjetër padi civile që ka në objekt humbjen e jetës së bashkëshortes së futbollistit, Alban Hoxha.

Bëhet fjalë për një padi për shkaktim dëmi nga ana e familjarëve të saj kundër maternitetit ku ndërroi jetë e ndjera.

Padia është depozituar më 18 mars në Gjykatë, ku palë paditëse është Enver Haka, ndërsa palë e paditur Spitali Universitar Obstetrik- Gjinekologjik “Koço Gliozheni”.

“Detyrimin e palës së paditur të shpërblejë dëmin e shkaktuar nga humbja e jetës së vajzës sime Dorjana Haka”, thuhej në objektin e kërkesëpadisë. Më 21 prill pritet të zhvillohet seanca e parë e kësaj padie, e cila do të kryesohet nga gjyqtarja Enkela Bajo (Vlora).

Humbja e jetës së bashkëshortes së Alban Hoxhës u përcoll mediatikisht, kjo edhe prej faktit se ajo sa kishte sjellë në jetë një fryt të marrëdhënies mes tyre. Dorjana Haka humbi jetën më 19 nëntor 2014 si pasojë e një komplikacioni shëndetësor pas lindjes së fëmijës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat