Kryeministër mos ke frikë nga flamuri dhe himni kombëtar

Lajme

Kryeministër mos ke frikë nga flamuri dhe himni kombëtar

Më: 5 mars 2015 Në ora: 15:57

Edhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së ka reaguar në lidhje me ceremoninë për “Epopenë e UÇK-së” e mbajtur sot në Prishtinë.

Sipas SHFD kjo Epope si duket është mbajtur vetëm sa për të folur kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, që të kuptohet se manifestimi po mbahet nën përkujdesjen e tij.

“Mirëpo, me këtë rast, jo vetëm që u nëpërkëmbën vlerat themelore të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe të sakrificës së dëshmorëve të kombit, në mesin e të cilëve edhe komandanti legjendar Adem Jashari bashkë me Jasharajt e tjerë, por u përtallisen edhe vlerat themelore të jetës sonë shoqërore. Në hapje të këtij manifestimi, nuk u nderua askush dhe askush nuk e dëgjoi himnin kombëtar.

Pra, kryeministri i Kosovës, z. Isa Mustafa, harroi të bëjë një minutë heshtje për të rënët në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç harroi se duhej të këndohej himni kombëtar, edhe pse e di ai dhe gjithë bota se të gjithë dëshmorët e kombit, të gjithë luftëtarët e lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra edhe komandanti legjendar, Adem Jashari, kanë luftuar me atë flamur kombëtar dhe, kur kanë rënë u është kënduar himni kombëtar”, thuhet në reagim.

Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë dalë publikisht edhe kundër dhënies së çmimeve që ka bërë ditë më parë presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në mesin e të cilëve ishte edhe ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Kryeministri i Kosovës, Mustafa, edhe në një ditë të këtillë, kur shënohet përvjetori i Epopesë së UÇK-së, nuk la pa përmendur rolin e Ibrahim Rugovës për lirinë e Kosovës. Sikur të ishte nxënës i shkollës fillore apo të mesme, mësuesi për këtë do t’i thoshte: shkrimin e ke hartuar mirë, por ke dalë nga tema.

Zoti kryeministër, mos ke frikë nga flamuri kombëtar dhe himni kombëtar, përveç nëse e ke pranuar kombësinë kosovare”, thuhet në reagimin e SHFD të UÇK-së./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat