ICK: E drejta e privatësisë garantohet me Kushtetutë

Lajme

ICK: E drejta e privatësisë garantohet me Kushtetutë

Më: 30 janar 2015 Në ora: 14:11

E drejta e privatësisë, ku përfshihet fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe formave tjera të komunikimit, është e drejtë e pacenueshme e çdo qytetari të Republikës së Kosovës, që garantohet me Kushtetutë.

Innovation Centre Kosovo thekson se ndonëse projekt-ligji për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike, i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në dhjetor 2014, nuk u miratua nga Komisioni Parlamentar, komuniteti dhe shoqëria kosovare duhet të angazhohen në dhënien e rekomandimeve për përmirësime konkrete, në mënyrë që projekt-ligji tjetër të mos cenojë të drejtat kushtetuese të qytetarëve.

Në vazhdën e shumë aktiviteteve që janë duke u mbajtur nga organizata të ndryshme të shoqërisë civile, më 3 shkurt 2015, duke filluar prej orës 18:00, në Innovation Centre Kosovo (ICK) do të mbahet diskutim i hapur me temën “Përgjimet e Komunikimeve Elektronike”.

Panelistë të ftuar në këtë diskutim janë Ilir Deda, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili do të prezantojë arsyet e mospranimit të projekt-ligjit nga Komisioni Parlamentar, Visar Rushiti nga Instituti GAP, për prezantimin e analizës “Neglizhimi i Privatësisë – Kontrolli i përgjimit të komunikimeve elektronike në Kosovë”, Arianit Dobroshi nga FLOSSK për “Si bie ndesh projekt-ligji me kuadrin ligjor të BE-së” si dhe z. Besim Ilazi, i cili do të prezantojë reagimet e Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit (STIKK).

Institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit bëjnë përgjimin e telekomunikimeve me qëllim të hetimit të veprave penale, ndërsa shërbimet e inteligjencës dhe sigurisë përgjojnë pajisjet e telekomunikimit për qëllime të inteligjencës që justifikohen në kuadër të sigurisë kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat