Qytetarët e Gjilanit provojnë me të madhe migrimin

Lajme

Qytetarët e Gjilanit provojnë me të madhe migrimin

Më: 28 janar 2015 Në ora: 20:33

Pavarësisht thirrjeve se migrimi ilegal drejt vendeve të BE-së nuk është zgjidhje dhe se këto shtete nuk japin azil për qytetarët e Kosovës, këta të fundit vazhdojnë të provojnë këtë rrugë.

Bashkë me vete, familjarët po marrin edhe fëmijët duke bërë që ata të mbesin pa mësim këtu e pa mësim atje ku shkojnë. Raste të tilla po ndodhin edhe në Gjilan.
Brenda 30 ditëve të fundit, mbi 300 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në komunën e Gjilanit, braktisën shkollimin. Bashkë me familje, ilegalisht ata kanë migruar drejt shteteve të BE-së.

Gjatë dy javëve të pushimit dimëror, në shkollën fillore “Abaz Ajeti”, në Gjilan, braktisën shkollimin 50 nxënës. Bashkëmoshatarët e tyre tregojnë se ku kanë shkuar shokët e shoqet e klasës. Fiona Sylejmani, nxënëse e klasës së pestë thotë se "...di për Rinesën e kam pas shoqe, atë e kam pa në faqe të internetit, në Gjermani ish ajo. I kam shkru kam bisedu me të një herë, më ka thënë që jam përmallu shumë për juve. E kam pyet pse je largu, po na mungon po nuk më ka kthy përgjigje...”

Mësuesja e klasës së pestë, Vjollca Guda, tregon se me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, mungojnë pesë nxënës të klasës së saj. Ajo thotë se është e shqetësuar për fatin e tyre.

Drejtuesit e kësaj shkolle dhe udhëheqësit e arsimit në Gjilan, janë të bindur se kushtet e vështira ekonomike kanë detyruar familjet që të migrojnë, e gjithashtu të marrin e edhe fëmijët me vete. Hetem KOSUMI, drejtor i Sh.F. “Abaz Ajeti” Gjilan, thotë se “...edhe me më pas pyet më herët se prej ku kanë me shku, të kisha thënë prej kësaj shkolle, se është një lagje shumë e varfër në qytet...”

Nazmi Musa, drejtor i Arsimit në Gjilan, thotë se “...mesazhi është që mos t'i marrin fëmijët me vete në një rrugë ku nuk e dinë fatin e tyre...”

Organet arsimore në Komunën e Gjilanit thonë se numri i fëmijëve që po braktisin shkollimin për shkak të migrimit, vazhdon të rritet. Ata kërkojnë nga institucionet të veprojnë në parandalimin e kësaj dukurie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat