Ramush Haradinaj në ballë të protestës së nesërme

Lajme

Ramush Haradinaj në ballë të protestës së nesërme

Më: 23 janar 2015 Në ora: 17:07

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) edhe zyrtarisht ka marrë pronësinë e organizimit të protestës gjithëpopullore, duke mobilizuar fuqishëm strukturat e saj.

Kjo është hera e parë që lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj merr pjesë në një protestë popullore, duke shprehur kështu pakënaqësinë me zhvillimet në vend - për Trepçën dhe shkarkimin e ministrit Aleksandar Jabllanoviq.

Burime të mediave brenda AAK-së thonë se Haradinaj ka komunikuar me të gjitha degët e AAK-së, duke i ftuar aktivistët, strukturat, anëtarësinë, dhe gjithë qytetarët që të marrin pjesë masovikisht në protestën e nesërme.

“Kjo nuk do të thotë se AAK-ja dhe lideri i saj nuk i respektojnë institucionet, mirëpo kur është nevoja që ato të mbrohen, atëherë edhe rruga konsiderohet si mjet demokratik”, ka thënë një zyrtar i lartë i AAK-së.

AAK rithekson se Kosovës dhe popullit të saj përditë e më shumë po u shteren mundësitë institucionale për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për të çuar vendin përpara.

“Se këtij pushteti nuk i intereson fare zgjidhja e problemeve tregon edhe sjellja e tyre me Trepçën. Duke provuar ta shpëtojnë veten nga problemet që po i krijojnë, këta i fyen edhe më tepër si minatorët, ashtu edhe gjithë qytetarët e Kosovës duke i ndryshuar vendimet e veta brenda natës dhe duke e turpëruar shtetin duke u nënshtruar”, theksojnë në AAK.

Meqë në këtë protestë marrin pjesë edhe dy partitë tjera opozitare, Vetëvendosje dhe Nisma, AAK-ja në krye me Ramush Haradinajn pritet ta ketë fjalën kryesore nesër, edhe për faktin se tashmë lideri i VV-së, Albin Kurti ka paralajmëruar tërheqjen nga kreu i partisë.

Protesta fillon nesër në ora 14:00 para Bibiliotekës Kombëtare në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat