Kryetari Muja tani duhet të suspendoj edhe drejtorin e Arsimit

Lajme

Kryetari Muja tani duhet të suspendoj edhe drejtorin e Arsimit

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 12:00

Më datën 11 dhjetor 2014, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka parashtruar në Gjykatën Themelore aktakuzën ndaj drejtorit të Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se nga viti 2008 deri në vitin 2012 gjatë organizimit të manifestimit “Java e Remzi Ademaj” ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Prizrenit dhe se në këtë mënyrë ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, personalisht dhe në bashkëpunim me dy mësimdhënës tjerë.

Që prej kësaj date kanë kaluar më shumë se një javë dhe kryetari i Komunës së Prizrenit nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim disiplinor ndaj këshilltarit të tij, të cilit madje në këtë periudhë i ka dhënë rastin që të prezantoj raportin e punës njëvjeçare të Drejtorisë së Arsimit në tubimin publik me qytetarët e komunës së Prizrenit.

Përkujtojmë se në korrik të këtij viti, kryetari i Komunës pati suspenduar drejtorin e Financave, Mehmet Bytyç, që në fazën e zhvillimit të hetimeve, pas vendimit të Gjykatës Themelore që atij t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak. Në këtë vendim të Mujës thuhet se Bytyç suspendohet deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.

Ndonëse natyra e veprave penale për të cilat akuzohen këta dy drejtorë dallojnë, megjithatë e përbashkëta është se besimi i publikut në këta zyrtarë politik është luhatur.

Për më shumë akuzat e Prokurorisë që rëndojnë mbi drejtorin Çoçaj janë të rënda, pasi që ekziston dyshimi i bazuar mirë se janë bërë shpenzime jashtë destinimit për të cilën ishin ndarë mjetet dhe në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i komunës.

Prandaj thirrja e Forumit Transparenca është që kryetari Muja ashtu sikurse në rastin Bytyç, të suspendoj edhe drejtorin e Arsimit, Nexhat Çoçaj, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës, në mënyrë që organeve të drejtësisë t’i hapet rruga për gjykim të drejtë dhe të pavarur.

Gjithashtu konsiderojmë se tani e tutje duhet të aplikohen në mënyrë strikte parimet e qeverisjes së mirë, në mënyrë që secili zyrtar politik që është nën hetime apo ka aktakuzë të ngritur të mos e ushtroj postin publik, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.

Natyrisht se kjo thirrje e Forumit Transparenca vlen edhe për vet kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, i cili në mars të këtij viti është dënuar nga Gjykata Themelore për shpërdorimin e detyrës apo autoritetit zyrtar, në katër raste të ndryshme.

Forumi Transparenca është themeluar në mars të këtij viti, si përpjekje e koordinuar e akterëve të shoqërisë civile dhe mediave në Prizren, të cilët kanë për synim rritjen e nivelit të transparencës dhe

llogaridhënies së qeverisë lokale të Prizrenit. Ky trup joformal përbëhet nga aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë të Prizrenit, të cilët janë aktiv në fushën e qeverisjes demokratike.

Forumi Transparenca është trup joformal i përbërë nga aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë të Prizrenit, të cilët janë aktiv në fushën e qeverisjes demokratike dhe misioni i tij është koordinimi i veprimeve të këtyre akterëve për të rritur nivelin e transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes lokale të Prizrenit./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat