Kusari-Lila propozon zgjidhje për qentë endacakë

Lajme

Kusari-Lila propozon zgjidhje për qentë endacakë

Nga: Valbona Mazreku Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 14:14

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka propozuar zgjidhjen e problemit me qentë endacak duke kërkuar që të veprohet urgjentisht në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës.

“Përkundrejt vullnetit të madh të komunave për të ndërmarrë aksion për këtë problem të shoqërisë tonë, duhet ndërhyrja emergjente e Qeverisë së Kosovës për këtë çështje. Konkretisht, në mbledhjen e radhës së Qeverisë, duhet të ndahet buxheti emergjent për komunat në përputhje me madhësinë territoriale të komunave”, ka shkruar Kusari-Lila në llogarinë e saj në Facebook.

Madje Kusari Lila ka hartuar një propozim strategjikë për eliminimin e problemit të qenve endacak, e cila sipas Kusari-Lila brenda vitit 2015 situata qetësohet, ndërsa për 7 deri në 8 vjet bie theksueshëm gjithë numri i qenve endacak në nivel vendi.

Shumë mirë që Kryeministri Mustafa vizitoi familjen e djaloshit të vrarë nga qenët endacak në Fushë Kosovë. Premtimi i tij se do të ndërmerr masa, duhet menjëherë të konkretizohet, jo vetëm për Fushë Kosovë e Prishtinë, por për tërë Kosovën.

Qenët endacak janë problem në të gjitha komunat në nivel të Kosovës.

Komunat janë ballafaquar me probleme të natyrave të ndryshme në vitin 2014. Prej mungesës së linjës buxhetore për trajtimin e qenve endacak në strehimore (sterilizim dhe vaksinim) deri tek mos mundësia e shtimit të kësaj linje si rrjedhojë e mungesës së rishikimit të buxhetit në vitin 2014.

Përkundrejt vullnetit të madh të komunave për të ndërmarrë aksion për këtë problem të shoqërisë tonë, duhet ndërhyrja emergjente e Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.

Konkretisht, në mbledhjen e radhës së Qeverisë, duhet të ndahet buxheti emergjent për komunat në përputhje me madhësinë territoriale të komunave.

Qenët endacak duhet të trajtohen në tërë territorin e Republikës bashkë. Buxheti duhet të përfshijë shpenzimet e mirëmbajtjes së strehimores, trajtimin e qenve, sterilizimin dhe vaksinimin.

Në po të njëjtën mbledhje Qeveria duhet të themelojë grupin punues të përbërë nga: Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Pushtetit lokal, Ministria e punëve të brendshme (Agjencinë i Emergjencave), Ministria e Bujqësisë dhe Zyra e Kryeministrit.

Grupi punues duhet të përcjellë themelimin e menjëhershëm të strehimoreve nëpër komuna dhe të afatizojë funksionimin e tyre.

Komunat duhet të obligohen të buxhetojnë mirëmbajtjen e strehimoreve. Nëse nuk e kanë bërë këtë me buxhetin e 2015, atëherë gjithsesi me rishikimin të buxhetit duhet ta kenë.

Deri atëherë Qeveria duhet të mbajë obligimin për financim të këtyre strehimoreve.

Komunat e vogla mund të ndajnë një strehimore (Deçani dhe Juniku) ose komuna e madhe mund ta ndajë me një komunë me të vogël (Gjakova dhe Juniku).

Në këtë mënyrë brenda vitit 2015 situata qetësohet, ndërsa për 7-8 vite bie theksueshëm gjithë numri i qenve endacak në nivel vendi.

Këto janë masat konkrete në përputhje me ligjin për mbrojtjen e kafshëve por pa rrezikuar njerëzit.
Kosova mund të jetë me standard Evropian, të paktën në trajtimin e kësaj çështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat