Malisheva do pavarësi nga Gjakova

Lajme

Malisheva do pavarësi nga Gjakova

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 11:32

Kuvendi i Komunës së Malishevës ka diskutuar për shqetësimin e qytetarëve të Komunës pas kalimit të shumicës së institucioneve komunale, në regjionin e Gjakovës.
Me këtë rast anëtarët e KK-së, unanimisht e kanë kundërshtuar këtë dhe kanë kërkuar fillimin e procedurave për rikthim nën regjionin e Prizrenit, aty ku me mijëra vite, banorët e kësaj rrethina janë të lidhur në çdo formë.

Gjatë diskutimeve të tyre, anëtarët e kuvendit, thanë, se Malisheva, historikisht, tradicionalisht, shpirtërisht, ekonomikisht, pastaj në aspektin e lidhjeve rrugore-komunikacionit dhe për mijëra arsye të tjera, janë të lidhur me Prizrenin, ndërsa me Gjakovën, përveç maltretimit që po u bëhet qytetarëve, nuk na lidh asnjë gjë, madje nuk ka as lidhje të autobusit dhe është shumë më larg Malishevës, se Prizreni.

Duke folur rreth këtij shqetësimi të qytetarëve, kryesuesi i KK të Malishevës, Enver Hoti, mes tjerash tha: “Malisheva ka asetet e saj në Prizren, sepse aty jetojnë një përqindje e madhe e qytetarëve nga Malisheva, dhe jo në Gjakovë. Kemi qindra apo me mijërave vite, përveç lidhjeve miqësore e shpirtërore, qytetarët tanë kanë edhe lidhej ekonomike dhe kanë investuar në këtë lidhje, e cila padrejtësisht, tinëzisht dhe për interesa të caktuara, është ndarë dhe ka kaluar në një regjion, ku nuk na lidh asgjë. Nuk kemi asgjë kundër Komunës apo qytetit të Gjakovës, por duam të kthehemi aty ku na takon dhe të mos maltretohen qytetarët tanë”.

Kurse disa anëtar të KK të Malishevës, kërkuan, që të pezullohet çdo bashkëpunim me institucionet në regjionin e Gjakovës, njofton kumtesa komunale.

Pas debatit rreth këtij shqetësimi të qytetarëve, u vlerësua se ky kalim i institucioneve, nga regjioni i Prizrenit në atë të Gjakovës, është bërë pa u njoftuar qytetarët, është i dëmshëm për qytetarët e Malishevës dhe ky veprim i institucioneve, është jashtë vullnetit të qytetarëve të Komunës së Malishevës.

Me këtë rast, unanimisht, anëtarët e KK të Malishevës, nga të gjitha subjektet politike, IQM, PDK, LDK, VV, AAK dhe AKR, kërkuan nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, që të filloj procedurat, për rikthimin e institucioneve me regjionin e Prizrenit. Anëtarët e KK-së, thanë se do të përkrahin çdo formë të veprimit, për kthimin aty ku kemi qen gjithmonë, përfshi edhe referendumin, pasi askush nuk ka të drejt të dal mbi vullnetin e qytetarëve.

Rikthimi nën regjionin e Prizrenit, ka muaj të tërë, që po kërkohet nga ana e qytetarëve të Komunës së Malishevës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat