U vendosën kontejnerët e parë nëntokësorë në Mitrovicë

Lajme

U vendosën kontejnerët e parë nëntokësorë në Mitrovicë

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 15:23

Janë vendosur kontejnerët e parë nëntokësor në Mitrovicë dhe me këtë ka filluar realizimi i projektit për largimin e kontejnerëve mbitokësorë, që e shëmtonin qytetin. Kontejnerët e parë nëntokësorë janë vendosur afër Sallës së sporteve “Minatori” dhe në hapësirën para QKMF-së. Kapaciteti i tyre është tre tonë mbeturina.

Kryetari Komunës, Agim Bahtiri, ka inspektuar vendosjen e këtyre kontejnerëve nëntokësorë dhe ka kontrolluar cilësinë e tyre. Edhe me këtë rast, përfaqësuesi i Kompanisë German Constyruction Group (GCG), nga Gjermania, që është fituese e tenderit për vendosjen e kontejnerëve nëntokësor, e ka njoftuar kryetarin Bahtiri për cilësinë e kontejnerëve që kanë mbërri dhe për punën që po bëhet në vendosjen e tyre.

Përfaqësuesit e GCG i thanë kryetarit Bahtiri se gjithçka është duke shkuar në rregull dhe se futja e këtyre kontejnerëve në funksion do të bëhet në afatin e paraparë me kontratë.

Kryetari Bahtiri tha se projekti për largimin e kontejnerëve mbitokësorë dhe vendosjen e atyre nëntokësor, është mjaftë i rëndësishëm dhe është në përputhje të plotë me vizionin e tij për mbrojtjen e ambientit dhe pastërtinë në qytet.

“Kam thënë se Mitrovica do të jetë një qytet i pastër dhe se për këtë do t’ia kenë lakmi të gjitha qytetet tjera. Kështu edhe po ndodhë. Ne kemi filluar vendosjen nëpër pika të ndryshme të qytetit, të 17 kontejnerëve, e që është vetëm faza e parë, sepse pastaj ky projekt do të vazhdoj edhe më gjerë. Me vendosjen e këtyre kontejnerëve, ndotja e ambientit do të jetë dukshëm më e vogël, ndërsa që pastërtia shumë më e madhe”, tha kryetari Bahtiri.

Sipas tij, projekti në fazën e parë do të kushtoj 90.000 euro, nga të cilat komuna nga buxheti i vet i ka sigurua 60.000 euro, ndërsa 30.000 eurot tjera i ka sigurua Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat