Interesi i Shqipërisë është të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë

Lajme

Interesi i Shqipërisë është të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 09:07

Adem Demaçi ka thënë se Edi Rama duhet të shkojë në Beograd për vizitë.

Ndonëse vizita e Ramës ishte paraparë që të mbahej më 22 tetor, ajo të dielën u konfirmua se është shtyrë për 10 nëntor.

Demaçi thotë për “Epoka e Re” se ata që po i thonë Edi Ramës të mos shkojë në Serbi po e bëjnë me “inat”, e sipas tij, politika nuk është punë inati, por përmes diplomacisë mëtohet të arrihet qëllimi.

“Rama duhet të shkojë në Beograd, por nëse Serbia frikësohet për t’u takuar me Edi Ramën, sepse ai ka për t’ia thënë krejt politikën e gabuar që është duke e bërë shteti serb, atëherë është muhabet tjetër, kështu që , nëse serbët frikësohen, atëherë është punë e tyre, mirëpo Edi Rama është i detyruar të raportojë te fuqitë e mëdha të Evropës, Gjermanisë në këtë rast, se si shkoi vizita në Beograd”.

“Nuk është kurrfarë politike t’i thuash Edi Ramës mos shko në Serbi. Për çka? Për inati. A duhet të bëhemi si katundarë që janë të lëçitur mëhallë me mëhallë? Kjo punë nuk shkon me inati. Politika është një mjeshtëri për ta arritur qëllimin me diplomaci, butësi dhe fjalë të mira. Sot edhe shtetet e mëdha nuk janë duke arritur që vetëm të bëjnë politikë, por po detyrohen të bashkohen dhe të bashkëpunojnë ndërmjet vete”.

Ndërkaq, duke folur për politikën që po ndjek Shqipëria, Adem Demaçi thotë se kjo politikë është serioze dhe se Shqipëria ka për interes të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë.

“Shqipëria është duke e ndjekur dhe po vazhdon ta ndjekë një politikë serioze. Sot Shqipëria nuk është vegël e askujt. Ajo e ndjek interesin e vet politik. Interesi i Shqipërisë është me qenë mirë me të gjithë. Interesi i Shqipërisë është t’i dëgjojë edhe mitë tanë që i kemi. Politika e Evropës në radhë të parë e Gjermanisë, është për ta qetësuar dhe urtuar Ballkanin. Kjo politikë nuk është më për të shtirë xixa në mes të shteteve ballkanike. Ka ardhur koha për ta qitur Serbinë në binarë ngadalë-ngadalë. Pra, nuk bën për t’i qëndruar larg, por duhet për t’iu ofruar”, ka thënë Adem Demaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat