​Buja: Gjithçka gati, më 1 shtator fillon mësimi

Lajme

​Buja: Gjithçka gati, më 1 shtator fillon mësimi

Më: 28 gusht 2014 Në ora: 17:02

Ministri në largim i Arsimit, Ramë Buja ka thotë se kanë përfunduar me sukses procesin e përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor dhe se mësimi do të fillojë me 1 shtator.

Këtë e ka bërë të ditur gjatë pjesëmarrjes në mbledhjen e Kolegjiumit të Drejtorive Komunale të Arsimit, ku u diskutua rreth përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2014/ 2015.

“Jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe mund të them se MAShT ka bërë të gjitha përgatitjet për një fillim sa më të mbarë. Në përgjithësi përgatitjet kanë shkuar mirë dhe mësimi do të filloj më 1 shtator, me përjashtim të një numri të vogël të shkollave, të cilat janë duke u renovuar. Edhe çështja e shpërndarjes së teksteve ka shkuar mirë dhe besoj se do të përmbyllet me sukses”, ka thënë Buja.

Në vazhdim ministri foli për disa nga të arriturat e Ministrisë së Arsimit gjatë mandatit të tij, duke përmendur kështu promovimin e abetares së përbashkët, unifikimin e kurrikulës Kosovë- Shqipëri, përfundimin e punimeve në mbi një qind shkolla të reja, si dhe një sërë çështjet me rëndësi për arsimin në Kosovë.

Ministri Buja, po ashtu, ka uruar që edhe në të ardhmen, punonjësit e arsimit të jenë të përkushtuar në arsimimin cilësor të gjeneratave të reja.

Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nehat Mustafa, foli për angazhimin që duhet bërë të gjithë përgjegjësit e arsimit për mbarëvajtjen e Provimit të Maturës Shtetërore 2014, në afatin e dytë.

Ai me këtë rast kërkoi një shkallë më të lartë të përgjegjësisë, nga të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces.

Drejtorët komunal të arsimit, nga ana e tyre, prezantuan disa nga shqetësimet që kanë të bëjnë me fillimin e vitit të ri shkollor, gjegjësisht përgatitjen teknike të shkollave, porse u zotuan se mësimi do të fillojë pa ndonjë problem.

Përgjegjësve komunal të arsimi iu shpërnda edhe kalendari i vitit të ri shkollor, ku u kërkua që të respektohet me përpikëri, në mënyrë që të ketë rezultatet e pritshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat