Rreziku nga minat nuk ka kaluar

Lajme

Rreziku nga minat nuk ka kaluar

Më: 27 gusht 2014 Në ora: 22:13

Rreziku nga shpërthimi i minave në Kosovë ende nuk ka kaluar, pasi për ta pastruar gjithë territorin e Kosovës, do të duhen edhe 10 vjet.

Kështu ka deklaruar shefi i Qendrës Koordinuese të Deminimit, Ahmet Sallova, i cili shtoi se nga paslufta kanë humbur jetën rreth 116 persona dhe janë lënduar 458 të tjerë.

Deri më tash FSK-ja ka arritur t`i pastrojnë mbi 48 milionë metra katrorë sipërfaqe nga mjete të ndryshme eksplozive të lëna nga ushtria serbe gjatë luftës së fundit. Gjatë kësaj kohe janë gjetur dhe shkatërruar 86 mijë mina dhe mjete të ndryshme eksplozive.


“Me gjithë progresin e arritur ende ne kemi zona që janë të afektuar prej minave dhe mjeteve të ndryshme eksplozive si dhe nevojitet një kohë e gjatë për pastrimin e të gjitha minave, duke marrë parasysh se njësitë e FSK-së, edhe gjatë operacioneve të tanishme hasim në mjete të ndryshme eksplozive që nga lufta e dytë botërore. Kështu që mund të merrni me mend se sa kohë nevojitet për pastrimin”.

Sallova ka theksuar se puna e deminimit është punë e mundimshme dhe që merr shumë kohë, ku për një metër katror duhet të pastrohet çdo centimetër.

“Njësitë e FSK-së janë duke punuar në Ferizaj, në Luzhnicë, Gorance, si dhe e kanë pastruar një zonë tjetër në fshatin Vokafc. Ku kanë gjetur mjete të ndryshme dhe kanë arritur prej fillimit të operacionit Njësitë e FSK-së, kanë arritur të pastrojnë mbi 1 milionë metra katrorë dhe kanë gjetur e shkatërruar 1mijë e 952 mjete të ndryshme”
Zonat e minuara gjatë luftës nga forcat serbe kanë qenë më së shumti përreth pikave kufitare në perëndim të Kosovës, në jug dhe në lindje. Ditë më parë, nga minat kasetore ka vdekur një djalosh i moshës 21-vjeçare në komunën e Istogut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat