Smaka: Zgjedhjet opsioni i fundit

Lajme

Smaka: Zgjedhjet opsioni i fundit

Më: 20 gusht 2014 Në ora: 17:54

Kështu pohon profesor Riza Smaka, ekspert i çështjeve kushtetuese, teksa flet për seancën e cila pritet të mbahet nesër në Gjykatën Kushtetuese, e që ka të bëjë me shqyrtimin e legjitimitetit të koalicionit LDK, AAK dhe Nisma si dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Isa Mustafa.
Smaka ka thënë për KosovaPress se kjo çështje është krejtësisht e qartë dhe se nuk është dashur që seanca të shtyhet deri me 21 gusht, por se është dashur të mbahej më herët. Ndërsa, pret që kjo Gjykatë që nesër të marrë vendimin lidhur me këtë çështje.
“Mundet patjetër që nesër të merret vendimi, sepse çështja është e thjeshtë. Çështja juridike kushtetutare është krejtësisht e thjeshtë, e qartë nuk është fare e ndërlikuar dhe nuk do të duhej të zhagitej. Bile nuk është dashur të caktohet afati kaq i gjatë për mbajtjen e kësaj seance. Se në ligj për Gjykatën Kushtetuese thuhet se afati është prej paraqitjes së kërkesës është 30 ditë, që do të thotë ka mund që brenda 7 apo 10 ditëve të mbahet seanca. Kjo çështje, është krejtësisht e qartë. S’ka nevojë për meditime të thella filozofike juridike. Prandaj zhagitja nuk i shkon për shtati as Kosovës, si shtet, as si shoqëri politike. Mundet patjetër mundet dhe kolegji për ta vendosur çështjen brenda një gjysmë ore, pas përfundimit të seancës publike”, thotë Smaka.
Smaka thotë se seanca e nesërme, do të duhej të procedohet konform ligjit të Gjykatës Kushtetuese dhe rregullores për punën e kësaj gjykate.
“Hapet seanca, i jepet fjala përfaqësuesit të kërkesës së koalicionit parazgjedhor që e prezanton çështjen. Më pastaj i jepet fjala përfaqësuesit së koalicionit pas zgjedhor. Më pastaj hapet diskutimi, pyetje nga të dy palët, ku bëhet administrimi i provave. Kur shteren të gjitha këto polemika dhe debati, atëherë do të përfundoi seanca publike dhe anëtaret e kolegjit apo panelin e diskutojnë çështjen dhe më pastaj votohet. Votimi bëhet i fshehtë, hapen zarfet konstatohen sa janë për, e sa kundër dhe quhet vendim. Vendimi është i zbatueshëm”, pohoi Smaka.
Ndërsa, se a mund të paraqes problem përfaqësimi i një anëtari të bllokut opozitar, në Gjykatën Kushtetuese, e cila i ka ftuar të gjitha partitë që t’i dërgojnë përfaqësuesit e tyre për t’i paraqitur argumentet, Smaka thekson se kjo është çështje procedurale, krejtësisht e qartë dhe se tri partitë mund ta kenë vetëm një person të autorizuar, apo secili nga një, dhe se kjo varet se si ata vendosin ta kenë.
“Ka mund të jetë vetëm Vjosa Osmani e autorizuar nga komplet partitë. Sepse munden disa autorizues për ta pasur një të autorizuar. Mundet secili për ta pasur nga një. Apo secili për të pasur më shumë. Kjo është çështje procedurale, juridikisht e qartë. Kurrsesi nuk mund të paraqet problem. Ka mund të jetë vetëm Vjosa, apo dy a tre”, ka pohuar ai.
Smaka pret nga Gjykata Kushtetuese, që t''''ia jap primatin koalicionit parazgjedhor, për ta propozuar kandidatin për kryetar të kuvendit, e në rast se nuk do t’i kenë votat e mjaftueshme, atëherë do të duhej që kjo t’i ipet koalicionit pas zgjedhor. Dhe se shkuarja në zgjedhje sipas tij, do tëduhej të bëhej vetëm në rast se do të dështonte propozimi i koalicionit parazgjedhor dhepastaj i atij paszgjedhor.
“Grupi parlamentar, i cili në Kuvend e ka fituar shumicën, nuk ka lidhje parazgjedhor apo paszgjedhor do të duhej ta propozojnë mandatarin. Mirëpo këtu po përzihet edhe politika ditore. Mandej edhe këto rrjedhat politike që të mos bëhet far konfrontimi i panevojshëm politik e të gjendet një zgjidhje kompromise”, tha ai.
Por profesori i Universitetit të Prishtinës, Mazllum Baraliu, thotë se është e pamundur që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim që nesër.
Sipas tij, vendimi i gjykatës duhet të merret sa më shpejtë që është e mundur, ndoshta brenda tri apo katër ditëve dhe se zvarritja e mëtejme është e pakuptimtë.
“Mendoj se nuk ka asnjë arsye që kjo çështje të mos zgjidhet shpejtë, pas kësaj seance dëgjimore, të nesërme. Mendoj se menjëherë, pas dy tre ditë, apo tre katër ditë, do të duhej edhe me të drejtë presin qytetaret e Kosovës dhe unë bashkë me ta, se kjo çështje nuk duhet zvarritur deri në datën që ia ka caktuar Gjykata vetvetes 18 shtatori. Për arsye që thash më parë, kemi shumë punë urgjente dhe vakumet institucionale dhe krizat e kësaj natyre, qofshin ato aktive apo pasive për nga karakteri i tyre, kushtojnë shumë vendit, i kushtojnë shumë qytetarëve të Kosovës institucioneve, funksionimit të shtetit”, tha ai.
Esenciale sipas tij mbetet ajo se çfarë argumente do të ofrojnë të dyja palët në seancën e së nesërmes. Ndërsa,zvarritja e këtij procesi deri tani,sipas Baraliu është bërë pa nevojë dhe se kjo çështje nuk do të duhej të kërkonte kaq shumë kohë për arsye se nuk është çështje e komplikuar dhe është shumë e qartë.
“Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej ta zvarriste këtë çështje kaq shumë, por ndoshta është problemi i saj sepse janë pushimet. Kanë probleme dhe me mandatin, pasi që nëse kjo çështje nëse shkon pas 30 gushtit, do të ketë mungesë të kuorumit të kësaj Gjykate, por mund të ketë edhe ndoshta dëshirë, apo pretendim politik i ndonjë subjekti politik që të blejë kohen”, tha ai.
Baraliu ndër të tjera thotë se në këtë rast duhet t’i ipet mundësia koalicionit paszgjedhor, në rast se koalicioni parazgjedhor dështon të zgjedh kryetarin e Kuvendit, duke i shmangur kështu zgjedhjet e parakohshme dhe thellimin e krizës institucionale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat