Thaçi vizitoi Qendrën Tregtare Albi Mall

Lajme

Thaçi vizitoi Qendrën Tregtare Albi Mall

Më: 7 prill 2014 Në ora: 20:28

​Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në orët e pasdites vizitoi Qendrën Tregtare të “Albi Group” – ALBI MALL në lagjen Veternik të Prishtinës. Me këtë rast, Thaçi vizitoi dhe u interesua për punën dhe aktivitetin e firmave tregtare, që funksionojnë nën ombrellën e Albi Group.

Kryeministri Thaçi me këtë rast bisedoi me shitës, si dhe me qytetarë që frekuentonin në këtë Qendër Tregtare.

Pas vizitës Kryeministri Hashim Thaçi u deklarua para mediave:
“Sot ndihem tepër mirë dhe krenar në këtë vizitë për këtë sukses të familjes Humolli, të zotit Tahir, për punën e tij dhe të familjes së tij. Ky grup biznesi është një ndër më të suksesshmit në Republikën e Kosovës. Duhet theksuar se kjo firmë ka krijuar njëmijë vende të reja të punës.
Me këtë rast, diskutuam edhe për mundësinë e përfitimit nga Fondi i Punësimit, një fond prej një miliard eurosh që po krijon Qeveria e Kosovës. Të gjitha afaristët që kanë një performancë të mirë dhe gjithë afaristët që po krijojnë vende të reja të punës do të jenë përfitues. Prandaj, duhet të punojnë të gjithë për zgjerimin e bizneseve, për krijimin e bizneseve të reja, për krijimin e vendeve të reja të punës, natyrisht me një pagesë të mirë.
Dhe, shembulli prej më të mirëve është pikërisht familja Humolli, që ka një biznes tejet atraktiv, që lirisht mundë të themi jo që kemi ne nevojë që ne të shkojmë në Evropë, por kemi sjellë Evropën këtu në Prishtinë, në kryeqytetin tonë. Ky është standardi për të cilin ne po punojmë, është standardi evropian, standardi perëndimor.
Dua të theksoj po ashtu se familja Humolli me gjithë bashkëpunëtorët e vetë dhe gjithë farefisin, me gjithë njerëz të rrethit të tij, jo vetëm që kanë qenë të suksesshëm në biznes, por kanë qenë prej aktivistëve të rallë që kanë ndihmuar dhe kanë sakrifikuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e vendit, edhe në kohët më të rëndë të ushtrimit të dhunës, të ushtrimit të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Siç ishte ajo rezistencë, ajo sakrificë për lirinë e Kosovës, edhe ky sukses në punë është një heroizëm i ri për Kosovën.
Mua më mbetet që si Kryeministri i Kosovës të përgëzoj familjen Humolli dhe të gjithë afaristët e Kosovës për suksesin e tyre. Dhe, natyrisht të ofrojmë mbështetjen më të mirë të mundshme si shtet i Kosovës për këto biznese të suksesshme.
Unë këtu takova njerëz të punës, njerëz të dijes, njerëz të sakrificës, njerëz që janë të gatshëm të punojnë edhe më tepër. Prandaj, ky sukses do të afirmohet edhe më tepër.
Urime më të mira dhe suksese” – tha Kryeministri Thaçi pas vizitës që i bëri Qendrës Tregtare të “Albi Group” – ALBI MALL në lagjen Veternik të Prishtinës.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i familjes Humolli dhe i ALBI GROUP, falënderoi Kryeministrin për vizitën dhe theksoj se “kjo është një mbështetje jo vetëm morale, por është një vizitë e cila flet për mbështetjen që Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme të japë për bizneset dhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës”.
“Ne me të vërtet ndihemi të respektuar nga kjo vizitë, që do të na ndihmojë në kapërcimin e shumë vështirësive dhe të sfidave, do ta na japë vullnet dhe kurajo që të vazhdojmë punën tonë, që të vazhdojmë realizimin e vizionit tonë, të projekteve tona që në mënyrë direkte të kontribuojmë në zvogëlimin e papunësisë dhe në zhvillimin ekonomik e Kosovës” – tha përfaqësuesi i ALBI GROUP.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat