Kjo është fjala që përmendi Rama, por që e nervozoi Vuçiqin në Beograd

Lajme

Kjo është fjala që përmendi Rama, por që e nervozoi Vuçiqin në Beograd

Më: 8 korrik 2023 Në ora: 08:46
Edi Rama- Aleksander Vuçiq

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një tur nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’i njoftuar vendet rreth samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.

Të enjten, ai vizitoi Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Ndërsa të premten, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi dhe në fund Serbinë.

Pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në mbrëmje ata mbajtën një konferencë për media, e cila deri në momentet e fundit u zhvillua pa tensione.

Mirëpo në prag të përmbylljes së konferencës, ishte një shprehje e që Rama e përdori, e cila duket se e nervozoi Vuçiqin.

Derisa kryeministri i Shqipërisë po tregonte se si ua ka dërguar draft-statutin për Asoaciacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, të cilët ai i quajti “kumbarë” të propozimit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte pikërisht kjo shprehje që nuk i pëlqeu Vuçiqit.

“Ata janë kumbarë të planit franko-gjerman jo të statutit. Presidenti i Francës dhe kancelari i Gjermanisë janë ‘kumbarë’ të planit franko-gjerman. Planin franko-gjerman e kanë bërë Franca e Gjermania, nuk besoj që e ka bërë Serbia. Ndërkohë që sa i përket propozimit të draft-statutit, e përsëris është një kontribut i pa kërkuar për të ndikuar pozitivisht në këtë proces. Nuk ka asnjë qëllim tjetër dhe nuk ka asnjë pretendim që palët ta pranojnë. Por, unë besoj që palët do të gjejnë shumë arsye për ta pranuar qoftë edhe pjesërisht”, është shprehur Rama në konferencën për media.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, në Serbi nuk quhen kumbarë atë që imponojnë vendime.

“Edi, në Serbi i zgjedhim vetë kumbarët dhe i ftojmë të vijnë në pagëzim, andaj këtu nuk quajmë ‘kumbarë’ njerëz që i imponojnë disa vendime”, ka reaguar Vuçiqi.

Kujtojmë se më 8 qeroshor, Rama u ka dërguar Scholzit dhe Macronit një draft-statut për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kjo si vetiniciativë e tij për ta çuar më tutje dialogun Kosovë-Serbi që ka ngecur si pasojë e tensioneve në veri të Kosovës.

Mirëpo një iniciativë e tillë, nuk është mirëpritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në një konferencë para media, Kurti i ka propozuar Ramës që atë draft-statut të ja dërgojë Vuçiqit në Serbi për shqiptarët në Luginë të Preshevës.

“S’kam dyshim që Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, beson se propozimi i tij është i mirë dhe duke qenë kështu, krejt çfarë unë propozoj është që kryeministri Rama të ja prezantojë presidentit Vuçiq në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur. Padyshim që kryeministri Rama beson se ky është një model i duhur, pra propozimi im është që duke besuar në atë që beson kryeministri Rama, të ja propozojë Beogradit për shqiptarët në Serbi, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, ka deklaruar Kurti.

Ndërkohë që ende nuk ka ndonjë draft-statut përfundimtar që është i pranueshëm për të dyja palët, faktori ndërkombëtar është vazhdimisht duke bërë thirrje për qetësim të situatës në veri të Kosovës, në mënyrë që të fillojë zbatimi i marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër, për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat