​Për institucionet korrektuese sfidues trajtimi i personave me çrregullime mendore

Lajme

​Për institucionet korrektuese sfidues trajtimi i personave me çrregullime mendore

Më: 4 maj 2023 Në ora: 15:29
Foto nga vendngjarja

Në mungesë të institucioneve të veçanta për institucionet korrektuese në Kosovë sfidë vazhdon të mbetet trajtimi i personave me çrregullime mendore. Kështu thotë një raport me temën “Të drejtat e njeriut në institucionet korrektuese në Kosovë për vitin 2022” i cili u bë publik nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti u shpreh se përmes këtyre monitorimeve synojnë t’i identifikojnë shkeljet e të drejtave të njeriut në institucionet korrektuese.

Rushiti tha se viti i kaluar është karakterizuar me disa zhvillime pozitive të kornizës por edhe rishikimi i programeve rehabilituese.

Rushiti: Ka avancim në kornizën ligjore por edhe tek programet rehabilituese

“Objektiv kryesor i monitorimit të vendeve të mbyllura apo të privuarve nga liria në qendrat e paraburgimit dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) është padyshim t’i identifikojmë shkeljet e të drejtave të njeriut, qoftë ngecjet e sistemit apo mangësitë që ballafaqohet ky sistem... Kemi një avancim të kornizës ligjore pra, SHKK ka një ligj çka e bënë një pozicion dukshëm më të fortë se sa përpara, pastaj si pikë pozitive ka qenë rishikimi i programeve rehabilituese... Pikë tjetër që dua ta potencoj është luftimi i kontrabandës dhe korrupsionit sidomos në institucionet e mëdha si Dubravë. Dhe pikë tjetër e cila për ne si aktivistë të të drejtave të njeriut ka paraqitur shqetësim madhor ka qenë dedikimi i pavionit D për personat me nevoja të veçanta”, u shpreh ajo.

Ndërsa, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu u shpreh me qëllim që të privuarit nga liria të gëzojnë të drejtat e tyre kanë ndërmarrë dhe po vazhdojnë të marrin hapa konkretë.

Sipas tij, janë bërë avancime në aspektin legjislativ të cilat iu kanë mundësuar të burgosurve trajtim dinjitoz por edhe qasje në disa të drejta që iu janë privuar.

Sallahu: Përpjekjet tona vazhdojnë për të ofruar trajtim dinjitoz për personat e privuar nga liria

“Gjithmonë duke pasur parasysh që institucionet tona korrektuese kanë për detyrë korrektimin me qëllim të riintegrimit dhe risocializimit në shoqëri për personat e dënuar dhe jo ndëshkimit të tyre... Trajtimi i personave të privuar nga liria në Kosovës është i rregulluar në raport të drejtë me standardet ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut. Krahas, kësaj përpjekjet tona për të përmirësuar dhe më tej këtë rregullim janë të vazhdueshme ne kemi punuar dhe po punojmë tutje në krijimin e kushteve ligjore që personat e privuar nga liria të trajtohen me respekt dhe dinjitet dhe të kenë qasje të plotë në të drejtat e tyre të garantuara me ligj”, theksoi ai.

Menaxherja e programit në QKMRT, Fatmire Haliti u shpreh se në vitin 20222 sfiduese për institucionet korrektuese vazhdon të jetë trajtimi i personave me çrregullime mendore.

Bazuar në të gjeturat e raportit në institucionet korrektueses ka ekzistuar klimë e mirë në mes të të burgosurve dhe stafit korrektues.

Sipas saj edhe respektimi i të drejtave të këtyre ka pasur përmirësime nga viti në vit, por sfiduese mbetet trajtimi i personave të varur nga narkotikët, ndërsa në rritje ndër vite vazhdon të jetë numri i lëndimeve, vetë-lëndimeve dhe tentim-vetëvrasjes.

Në këtë raport të QKRMT-së theksohet se janë bërë disa hapa për luftimin e kontrabandës dhe korrupsionit, por si dukuri vazhdon të jetë prezente në qendrat korrektuese.

Haliti: Viti 2022 ishte sfidues për trajtimin e personave me çrregullime vendore

“Viti 2022 ishte sfidues për trajtimin e personave me çrregullime mendore... personat me çrregullime mendore nuk kanë pasur hapësira apo pavione të veçanta ose institucione të veçanta, për tu trajtuar apo vendosur, kështu që gjatë vizitave monitoruese thuajse në çdo institucion korrektues në përjashtim në Smrekonicë dhe qendrën korrektuese për të mitur që nuk ka pasur gjatë vizitave në të gjitha qendrat e tjera të monitoruara ka pasur persona me çrregullime mendore. Kjo ka qenë sfiduese për stafin për t’i menaxhuar dhe po ashtu ka qenë sfiduese për të burgosurit... Na gëzon fakti që viteve të fundit përdorimi i forcës apo rastet e keqtrajtimit nuk janë fenomen në Kosovë në institucionet korrektuese por ka raste të izoluara, gjatë vitit të kaluar ka pas një rast në Dubravë ku kanë qenë të përfshirë dy të burgosur... Numri i rasteve të lëndimeve, vetë-lëndimeve dhe vetëvrasjeve vazhdon të jetë në rritje ku vetëm në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë i kemi pasur 14 raste të tentim-vetëvrasjes. Kemi vërejtur që ato plane që janë të parapara si plane individuale të trajtimit programe risocializuese dhe rehabilituese nuk e kanë dhënë efektin e tyre tek të burgosurit sepse zakonisht janë plane të përgjithshëm”, theksoi ajo.

Kurse, zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani u shpreh se nuk ka burgje në Evropë apo edhe në botë që kanë monitorim të tillë siç ka Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) nga shoqëria civile dhe partnerët e tjerë strategjikë.

Dibrani u shpreh se kontrabanda vazhdon të jetë prezente në burgjet e Kosovës, por që gjatë dy viteve kanë bërë hapa në luftimin e kësaj dukurie.

Dibrani: Ka kontrabandë në burgje, por vetëm në 2 vitet e kaluara 11 rast janë adresuar për keqpërdorim të detyrës

“Ka kontrabandë në burgje ne sigurisht që nuk po flasim për qendra kulturore e as ndonjë shoqëri kulturore-artistike por jemi duke folur për qendra të burgimit ku ka njerëz të privuar nga liria. Natyrisht edhe këtu në rast se marrim një krahasim të shkurtër me vitet e kaluara për njoftimin tuaj vetëm gjatë 2 viteve të kaluar kemi 11 raste të adresuar në institucionet përgjegjëse për keqpërdorim të detyrës. Tani kur po flasim këtu kam pranuar edhe një vendim që është larguar nga puna edhe një mbikëqyrës i lartë i cili është identifikuar apo hasur në keqpërdorimit të pozitës zyrtare apo marrjes së mitos dhe kjo luftës e pa kompromis do të vazhdojë... vetëm gjatë vitit 2022 kemi mbi 60 raste të parandalimit të futjes së kontrabandës në institucionet korrektuese natyrisht... Këto kritika për vendosjen e personave duhet t’i adresoni tek gjykata sepse ne jemi të obliguar që vendimet që lëshohen nga gjykata ne vetëm duhet t’i zbatojmë sigurisht që i kemi adresuar”, u shpreh Dibrani.

Edhe kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Albina Shabani-Rama ngriti si sfidë edhe për sistemin gjyqësor çështje e trajtimit të personave me çrregullime mendore.

Shabani-Rama: Shtetit tonë i mungon një plan strategjik për trajtimin e personave me çrregullime mendore

“Shtetit tonë i mungon një plan strategjik për trajtimin e personave me çrregullime mendore... ne e kemi detyrim ligjor që personit me ia dhënë masën të cilën ne mendojmë se është e përshtatshme konfrom shëndetit dhe shërbimeve... Sfidë për neve mbetet shumë e madhe ku ne duhet me ia caktua me ia mbajt masën e paraburgimit në Institutin Psikiatrik të Forenzikës për shkak se i njëjti ka dokumentacion dhe të dhëna për shkak se i njëjti ka kryer veprën për shkak të çrregullimeve mendore dhe po të njëjti nuk mund të sistemohet në Institutin Psikiatrik të Forenzikës për shkak të kapaciteteve të limituara që kanë ata, dhe në këtë rast SHKK dhe ne biem para një sfide se ku me e vendos”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat