Ish-kryediplomati grek “çartet” pasi Greqia s’votoi kundër Kosovës në KiE: A po vjen njohja nga Athina?

Lajme

Ish-kryediplomati grek “çartet” pasi Greqia s’votoi kundër Kosovës në KiE: A po vjen njohja nga Athina?

Më: 26 prill 2023 Në ora: 10:51
Ish-shefi i diplomacisë greke, George Katrougalos

Ish-shefi i diplomacisë greke, George Katrougalos, ka kritikuar pushtetin aktual në Greqi për votimin në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës (KiE) për aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtare. Çka tha Katrougalos dhe cili është konteksti?

Kosova mund të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës pas gjashtë muajsh. Por, edhe votimi që ndodhi pardje në Komitetin e Ministrave ishte mjaft domethënës.

Greqia, ashtu si Sllovania e Ukraina (shtete mos-njohëse) nuk votuan kundër. Ato në fakt abstenuan.

Por, një reagim ka ardhur menjëherë nga Greqia me ish-ministrin e jashtëm George Katrougalos që ka kritikuar diplomacinë e vendit të tij për atë abstenim.

Çka tha Katrougalos?

Deputeti nga radhët e partisë së majtë, Syriza, u shpreh se vendi i tij do të duhej të promovonte gjithnjë “paqe dhe stabilitet në Ballkan” duke mbështetur hapa e zgjidhje që pranoheshin nga të gjithë.

“Vendimi i qeverisë për të dalluar veten në votimin për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nga shtetet tjera që nuk e njohin Kosovën, si Spanja, Rumania dhe veçanërisht Qiproja të cilat votuan kundër, nuk i kontribuon këtij qëllimi.” – tha ai në një postim në Twitter.

Më tej, deputeti grek u shpreh se ky pozicion nuk ishte diskutuar me forcat politike greke, megjithëse sipas tij “e ndryshon, pa shpjegim, pozicionin e përcaktuar grek.”

“Në të njëjtën kohë, e dobëson rolin si ndërmjetësues që Greqia duhet ta ketë në rajon,” – theksoi tutje ai.

Shkundja e mos-njohësve

Profesori amerikan, Edward P. Joseph, ka shprehur bindjen e tij se qëndrimi abstenues i Greqisë, Sllovakisë dhe Ukrainës “veçse shkund status quo-në e shteteve mos-njohëse”.

Për fat të keq, jo më larg se një muaj më parë, Greqia kishte dhënë sinjale të këqija për ndryshimin e pozicionit të saj ndaj Kosovës.

Presidentja e këtij vendi, Katerina Sakellaropoulou, kishte dhënë disa deklarata në Serbi që kishin tingëlluar mjaft të dhimbshme në Kosovë.

Sakellorpoulou u shpreh se qëndrimi i Greqisë sa i përket Pavarësisë së Kosovës mbetet i njëjtë.

“...Greqia përveç qëndrimit të saj të njohur për statusin e Kosovës... ndjek një politikë konstruktive në raport me Kosovën, e cila (politikë) synon të forcojë stabilitetin...” – u shpreh ajo.

Greqia për kohë të gjatë kishte qenë vendi më miqësor ndaj Kosovës mes shteteve mos-njohëse në Bashkimin Evropian.

Sidoqoftë, miqësinë e Kosovës dhe Qeverisë Kurti ndaj Greqisë e kishte interpretuar çuditshëm deputeti Haki Abazi që kishte udhëhequr për kohë të gjatë komisionin për punë të jashtme.

“...Përqafimi me ministrin grek është i mirëseardhur kur vjen njohja greke... Por, neve nuk na bën nder që ta lejojmë Greqinë të bëhet fuqi rajonale. Shqiptarët do të duhej të ishin fuqi. Përqafimi me ministrin grek nuk na bën nder.” – kishte thënë z. Abazi në një seancë të Kuvendit të Kosovës në muajin mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat