Vdes ish-ministri i Jashtëm italian – më 2010 qëndroi në Kosovë

Lajme

Vdes ish-ministri i Jashtëm italian – më 2010 qëndroi në Kosovë

Më: 25 dhjetor 2022 Në ora: 13:52
Franco Frattini

Franco Frattini, i cili shërbeu dy herë si ministër i Jashtëm i Italisë dhe mbajti disa poste të tjera në kabinet, vdiq të shtunën në moshën 65-vjeçare, njoftuan mediat italiane.

Frattini, i cili prej disa kohësh ishte i sëmurë me kancer, vdiq në një spital të Romës.

Ai ishte ministër i jashtëm nën qeveritë e kryesuara nga kryeministri Silvio Berlusconi 2002-2004 dhe 2008-2011 dhe mbajti dy poste të tjera në kabinet në qeveritë e drejtuara nga Berlusconi dhe Lamberto Dini në vitet 1990.

Nga viti 2004 deri në vitin 2008 ai ishte komisioner evropian për drejtësinë dhe në kohën e vdekjes së tij ishte president i Këshillit të Shtetit të Italisë, një organ konsultativ që mbikëqyr administratën publike.

Ai e filloi aktivitetin e tij politik si anëtar i Partisë Socialiste dhe më pas iu bashkua partive të qendrës së djathtë të Berlusconit.

Kujtomë se në prill të vitit 2010, Frattini kishte vizituar Kosovën, me ç’rast kishte takuar ish-kryeministrin Hashim Thaçi për të diskutuat mbi zhvillimet në Kosovë dhe rajon dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Italisë.

Ish-ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini kishte përmendur iniciativat e Qeverisë italiane për forcimin e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe kishte theksuar se Italia e mbështet Kosovën që ajo të jetë pjesë e këtyre zhvillimeve të rëndësishme.

Ai ishte takuar edhe me presidentin e atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat