​BE jep detaje nga marrëveshja e arritur në Bruksel

Lajme

​BE jep detaje nga marrëveshja e arritur në Bruksel

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 18:03
BE

Bashkimi Evropian përmes një komunikate për media sot ka dhënë detaje nga marrëveshja e arritur në Bruksel për de-eskalimin e situatës në veri, pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.

Sot, pas diskutimeve të gjera të lehtësuara nga emisari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës dhe Petar Petkoviq, kryenegociator i Serbisë arritën një marrëveshje për të ulur tensionet në veri dhe për të punuar drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme që lejon lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit.

BE-ja mirëpret rezultatin e bisedimeve të sotme dhe i nxit të dyja palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog në mënyrë që të bëjnë përparim të shpejtë në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të tyre.

Në një komunikatë për media thuhet se palët ranë dakord të largojnë Njësitë Speciale të policisë, të vendosura në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, njëkohësisht me bllokadat e rrugëve, duke filluar më 2 tetor 2021 në orën 08:00 dhe duke përfunduar jo më vonë se në orën 16:00.

KFOR-i do të vendoset në Jarinje dhe Bërnjak para fillimit të largimit të njëkohshëm dhe do të qëndrojë për rreth dy javë për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt, dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes. Pas masave për uljen e tensioneve në terren, palët do të aplikojnë tiketat ngjitëse siç është rënë dakord në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si një zgjidhje e përkohshme derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme, thekson BE.

Si pjesë e marrëveshjes, një grup punues i kryesuar nga BE-ja, dhe i përbërë nga BE, Prishtina dhe Beogradi, do të krijohet për të gjetur një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme për çështjen e targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 21 tetor 2021, në Bruksel.

Gjatë negociatave të sotme, përfaqësuesi i BE-së Miroslav Lajçak mori parasysh shqetësimet e ngritura nga pala e Beogradit në lidhje me moszbatimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe mungesën e një paneli të shumicës serbe të Kosovës në Gjykatën e Apelit në një rast të fundit.

Përfaqësuesi i BE-së u bën thirrje të dyja palëve të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura më herët. Për ta bërë këtë, BE-ja si ndërmjetësuese do të trajtojë çështjet e pazgjidhura që dalin nga marrëveshja e parë e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve, "Marrëveshja e Brukselit", me të dyja palët si çështje prioritare në një nga takimet e ardhshme të kryenegociatorëve, para fundit të vitit, përfundon komunikata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat