Monografi me vlera të veçanta

Kultura

Monografi me vlera të veçanta

Nga: Prof. Dr. Hivzi Muharremi Më: 6 tetor 2018 Në ora: 11:24
Prof. Dr. Hivzi Muharremi

Monografia Abdurrahim Buza, hartuar nga Prof. Tahir Emra, Anëtar i Rregultë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, mbi jetën dhe krijimtarinë artistike pikturale të doajenit, piktorit  të brezit të parë të artit në Kosovë dhe krijuesit i cili për arsye objektive e braktisi vendlindjen dhe u vendos në Republikën e Shqipërisë ku jetoi dhe krijoi deri në frymën e fundit të jetës, është një vepër e rëndësishme për artdashësit shqiptarë në të gjitha trevat ku jetojnë dhe frymojnë e e cila padyshim, e plotëson një boshëllëk në historiografinë shqiptare të arteve pamore.

Sipas autorit Emra monografia është përfshirë nga gjashtë kapituj:

1.Takimi i parë me Abdurrahim Buzën       

2. Abdurrahim Buza – Piktor i Parë i artit modern shqiptar

3. Të tjerët për Abdurrahim Buzën

4. Shkollimi në Akademitë e Arteve

5. Albumi i veprave

6. bibliografi e përzgjedhur

Image
Tahir Emra

Përmes gjashtë njësive autori e ka konceptuar tërë shkrimin rreth realizimit të mononografisë së lartëcekur. Qëllimi kryesor i autorit ka qenë që në mënyrë koncize, gjithëpërfshirëse ta vëjë në spikamë tërë opusin krijues të piktorit Buza, piktor i cili i ka vërë themelet e para të artit si në Kosovë po ashtu edhe në Republikën e Shqipërisë. Në të dy anët e etnisë shqiptare është shpërfaqë ndikimi i tij në zhvillimin e artit i cili gradualisht reflekton drejtë artit modern.

në kapitullin, Takimi i parë me A. Buzën, autori Tahir Emra i evokon kujtimet e takimit të parë me Doajenin e pikturës shqiptare dhe Piktorin e Popullit, Abdurrahim Buzën në vitet e shtatëdhjeta  gjatë një vizite zyrtare që kishte ndërmarë në Tiranë bashkarisht me dy artistë të tjerë: Muslim Mulliqin dhe Svetomir Arsiqin. Këtë takim të parë autori e përshkruan me emocione mjaftë prekëse si nga piktori po ashtu edhe nga autori i shkrimit të tekstit monografik për autorin Buza. Kjo vizitë pesëmbëdhjetë ditore ishte historike, e rëndësishme dhe shumë e suksesshme, se, në vitet në vazhdim, shprehet autori Tahir Emra. Kjo vizitë solli bashkëpunim, shkëmbim të ekspozitave, të kuadrove dhe të manifestimeve artistike. Pra, në këto kushte dhe rrethana në relacionin gjeografik shumë të afërt por në atë ndarje “politike” shumë e largët pasqyronte gjendja faktike ku shumë pak kishte kontakte dhe njohuri për zhvillimet e artit në të dy anët, të një tërësie etnike shqiptare.

Kapitulli i dytë  Abdurrahim Buza- Piktor i Parë Shqiptar, sipas mendimit tonë është shkrimi më interesant dhe më vëllimor i tërë monografisë, sepse këtu trajtohën të gjitha ciklet e fazave krijuese duke filluar nga ato të vendlindjës- Gjakoës e deri të parapjeset e lagjeve nga qendrat e ndryshme të Shqipërisë. Me një notë shumë më specifike spikasin peizazhet, portret dhe transponimi i figuracionit në hapësirat kolosale të peizazheve të realizuara në mënyrë maestrale.

Veprat të cilat, padyshim, do lejnë gjurma të thella në pikturën shqiptare që nga vitet 1934 -1965 janë: “Vajza me kordele të kuqe”, “Nasta”, “Portretet e dy kushërinjve të tij”, “Nëna dhe fëmijët”, “Kokë fëmije”,  “Autoportret” dhe shumë e shumë tablo të tjera që do të paraqiten në opusin e tij krijues. Veçanërisht spikasin kompozimet me motive kosovare me të cilat që nga nisma, nga hapat e para që i ndërmori, që nga skicat vizatimore të figurave, portreteve e deri të peizazhet, ai me një nostalgji dhe mishërim të paparë me to fillojë t’i implementoj në imazhet e tablove të shumta të kësaj periudhe, përkatësisht nga periudha e këthimit, mbarrimit të shkollimit nga Italia. Këto vepra me imazhe të nënqiellit të artistit , në mënyrë emocionale u soditen në shpirtin ekzaltues të tij e i cili me një gjuhë të pastër artistike i transponoi në kompozimet vijuese të zhanreve të ndryshme artistike.

Një karakteristikë tjetër i veprave të Abdurrahim Buzës sipas autorit Emra: “ është përshkrimi i mendimit të thellë, i ekzistencës kombëtare, i atij ashti qëndrese që nuk thyhet lehtë. Në këtë asht të fortë është edhe lindja, edhe vallja edhe dasma”... Pra, këto motive dhe imazhe reflektojnë në shumë kompozime si : “Dasma kosovare”, “ “Nusja kosovare”, “Shqipëria vallëzon”, e cila është bërë amblemë e të gjitha festivaleve popullore kombëtare shqiptare... Ajo i ngjanë një rozete ku burrat dhe gratë hedhin valle në ledinën e bleruar shqiptare.... Nga veprat patriotike duhet përmendur ato kryesisht me motive nga ambienti i Gjakovës e vecanërisht ato me imazhe nga Çabrati ku autori i monografisë e vë në spikamë.

Image
Abdurrahim Buza: “Shqipëria vallzon”, 1971

Në kapitullin e tretë, janë përfshirë shkrime të shumta nga autorët e shumtë që kanë shkruar vështrime, ese apo kanë shfaqur opinionet e tyre në formë të mbresave nga ekspozitat personale apo nga ato kolektive të Buzës. E fillon me shkrimin kritik të skulptorit të njohur shqiptar Odhise Paskali, i cili rrefen momentet më interesante nga jeta si me mikun më të afërt të jetës së tij me të cilin e themelojnë shkollën e Vizatimit në Tiranë dhe e ngritë ndër piktorët shumë të talentuar dhe produktiv i cili kontribuon në zhvilimin  e mëtejshëm të artit modern shqiptar përmes peizazheve të jashtëzakonshme.

Ndërsa Shkrimtari i njohur shqiptar Dritëro Agolli, njohës i mirë i veprave dhe miku i ngusht i piktorit Buza, për veprat dhe përsonalitetin e tij krijues në mes të tjerash shkruan: ”...Origjinaliteti kombëtar dhe karakteri individual i krijimtarisë së tij, që shprehet përmes një stili të dallueshëm nga të tjerët, plot muzikalitet, variacione temash dhe idesh...  e bën veprën e Buzës një koleksion të çmuar në vlerat e mëdha të artit tonë kombëtar...” 

 Në vijimësi vazhdojnë rrëfimet e autorëe të fushave të ndryshme mbi jetën dhe krijimtarinë artistike të piktorit Buza. Pra, për jetën dhe veprën e piktorit Abdurrahim Buza, në bazë të prezantimit të autorit Emra kanë shkruar shumë e shumë njohës të artit të tij, kritik arti, shkrimtar, publicist, artist dhe estet, ku në bazë të mendimeve të tyre rrumbullaksohet si një tërësi krijimtaria artistike e begatë e piktorit.

Në kapitullin e katërt, është përfshirë prezantimi i Akademive në qendrat Italiane ku autori me një theks të vecantë i vë në spikamë pedagogët e Buzës të cilët ndikuan në formimin dhe ngritjen e tij të mëtutjeshëm si në aspektin teknik poashtu edhe në atë artistik. E fillon me Akademinë Albertina, të cilen  Emra e prezanton nga historiku e deri te pedagogët më të shquar të saj, ku në mënyrë imediate piktori Buza pati rast me u ndesh me arritjet më të larta të mësimëdhenies dhe formimit si piktor e vecmas në konceptimin koloristik të tij që ndikoi pedagogu Xhakomo Groson, ndërsa në ruajtjen e origjinalitetit të tij influencoj një piktor tjetër, mjeshtër i shquar i pikturës Cezare Ferron. Që, nga këto takime me emra të njohur të artit italian, padyshim që në shpirtin e tij do të shpërfaq një frymë e re e artit e cila do të rrenjoset në ndërdijen e tij, kjo frymë e re e artit është koncepti modernist që gradualisht futet në kompozimet që do të pasojnë gjatë shkollimit dhe pas përfundimit  të studimeve në akademinë Albertina si dhe në Akademinë e Arteve të bukura të Firencës. Për fizionomin dhe karakerin e kësaj akademije autori i monografisë shkruan: “... Një modernizim dhe racionalizim i parë i organizimit akademik u krye në sajë të Pietro Leopoldos të Toskanës, që më 1784 ja ndryshoi edhe emrin me atë që ka sot. Buza është i pari shqiptar i diplomuar në Akademinë e Firencës, propozuar për asistent i pedagogut Galileo Chini, por që duhej të kthehej në atdhe për të shlyer për 5 vjet detyrimet e bursës...” Pra, shtigjet e para të krijimtarisë artistike në frymën moderne fillojnë nga kjo periudhë italiane, ku piktori kishte mundësi të njihet me arritjet më të avansuara të artit modern evropian. Elementi i ngjyrës ishte ajo, që më së shumti e kishte joshur në atë kohë. Tani, veprat ngërthejnë një kolorit më pastuoz, me një fakturë koloristike shumë shtresore që arrihet përmes lëizjes më të furishme të penelit. Këto vepra shquhen për nga fryma e introduktit ekspresiv me nuansa pasimpresioniste. Gjithashtu duhet cekur që më vonë në këto vepra reflektojnë edhe dy elemente kompozicionale, forma dhe drita. Në këtë trikonomi, mbarshtrohen veprat vijuese të piktorit Buza.

Në kapitullin  Albumi i veprave Opusi krijues i tërësishëm i Buzës në formë të riprollimeve prezantohet duke filluar nga ato më të hershmet: “Lejlaja”, 1945, “Autoportret”, 1945, “Azem Galica”, 1974, “Fëmijët (fragment), 1938, “peizazh në Pogradec” 1934, e deri në veprat  e fundit që arriti t’i përfundoj para vdekjës “Ylberi tjetër”, 1986 Dhe krejt në fund të studimit autori i monografisë Prof. Tahir Emra punimin e përmbyll me Bibliografi të përzgjedhur nga autorë të cilët kanë shkruar për veprat e piktorit që nga viti 1965 e deri më 1999. Gjithashtu në këtë kapitull janë përfshirë fotografitë nga jeta e artistit që nga fëmijëria e deri në përfundim të jetës.

Në fund, me kënaqësi të madhe  jap mendimin tim profesional si kritikë dhe historian i artit që Monografia e doajenit, piktorit të parë i të gjitha trojeve shqiptare Abdurrahim Buza është Monografi që do jet ndihmesë e madhe për të gjithë ata që merren me studim të artit si nga studentet e Akademive të  Arteve të bukura e deri tek studiusit e fushave të ndryshme artistike. Edhepse me vonesë doli, që nga të dy shtetet ku jetoi dhe krijoj, ajo sikurse edhe veprat tjera të botuara do ta plotëson një boshllëk në historiografinë e arteve shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat