Çmimi “Teuta” i takoi shkrimtarit Nazmi Rrahmani - Bota Sot
Çmimi “Teuta” i takoi shkrimtarit Nazmi Rrahmani

Kultura

E martë, 18 shtator 2018

Çmimi “Teuta” i takoi shkrimtarit Nazmi Rrahmani

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 19:23
Edicioni i 6-të i Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018”, i mbajtur në Gjakovë, Ulqin dhe në Krujë.

Ka përfunduar edicioni i 6-të i Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018”, i mbajtur në Gjakovë, Ulqin dhe në Krujë.

Dita përmbyllëse e manifestimit u mbajt në frymën e Vitit të Skënderbeut, me ç’rast Çmimi për Vepër Jetësore “TEUTA” në Krujë, iu nda shkrimtarit të mirënjohur nga Kosova, Nazmi Rrahmanit. Pas Gjakovës dhe Ulqinit, dita e tretë e Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018” vazhdoi në Krujën e Skënderbeut duke filluar me hapjen e ekspozitës se fotografit shqiptaro-amerikan Aleks Selimajt “Motive nga Kruja e Skënderbeut”, në hollin e Bashkisë së Krujës.

Për peshën artistike të fotografisë së Aleks Selimajt, foli shkrimtari, aktori dhe regjisori i mirënjohur shqiptar Xhevat Limani, hulumtimet dhjetëvjeçare të të cilit rezultuan me poemën dramatike Gjerjgj Kastrioti Skënderbeu. 

“Fotografi Aleks Selimaj është një personalitet, i cili ndau dritën nga terri, sepse te regjistrosh gjurmët e kohës për të mbetur në analet e historisë gjurmët e qëndresës së një populli duhet një shpirt i veçantë. I lindur në Plavë-Guci, si shumë të tjerë e deshi fati që në tokën e bekuar të gjej vendin për të realizuar talentin e vet, në SHBA. Sepse, syri i Aleks Selimajt është i veçantë dhe ai po shkon gjurmëve të fotografit shqiptar Gjon Milit, i cili la gjurmë të pashlyera në historinë e fotografisë botërore”, tha ai. 

Kurorë e përvitshme e manifestimin letrar Muzat e Alpeve është Çmimi për Vepër Jetësore “TEUTA”, e cila kësaj radhe kaloi në duart e shkrimtarit të shquar nga Kosova Nazmi Rrahmani, duke e radhitur kështu krahas laureatëve të tjerë: Jevrem Berkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Moikom Zeqo dhe Miras Martinoviq, i cili ia dorëzoi Rrahmanit Çmimin e “Muzave të Alpeve 2018”. 

“Çmimi “Teuta” dallon nga të gjitha çmimet e tjera, sepse për të nuk lobohet, atë nuk e kërkojnë shkrimtarët, por ai i kërkon shkrimtarët, gjegjësisht veprat e tyre. Nuk ka propozime të jurive klasike, por bordi i asociacionit propozon dhe për këtë votohet, kështu që s’mund të gabohet në përzgjedhje. 

“Teuta” është një çmim autentik i cili zgjedh shkrimtarët autentik dhe që të 6-të laureatët e tij kanë vepra autentike. Kështu ishte deri më tani dhe kështu do të jetë edhe tash e tutje”,tha Mirash Martinoviqi gjate ndarjes se çmimit. 

Ndërsa, Nazmi Rrahmani tha se Çmimi për Vepër Jetësore “TEUTA” sa është privilegj për të po aq është edhe detyrim, duke kujtuar kohërat e errëta në të cilat filloi karrierën si shkrimtar për t’u ngritur në njërin ndër emrat më të njohur dhe më të lexuar të letërsisë shqipe dhe më gjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test