Sislej Xhafa zbulon detaje rreth ekspozitës “Të dua pa e ditur”

Kultura

Sislej Xhafa zbulon detaje rreth ekspozitës “Të dua pa e ditur”

Më: 4 korrik 2018 Në ora: 19:25

Sislej Xhafa është duke punuar në ekspozitën e tij “Të dua pa e ditur” e cila do të hapet të enjten duke filluar nga ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Mirëpo artisti ka gjetur kohë për të dhënë një intervistë për Ambasadën Amerikane në Kosovë ku ka zbuluar më shumë për ekspozitën dhe titullin e saj.

Sislej Xhafa fillimisht është shprehur shumë i lumtur që është rikthyer në Kosovë për të prezantuar punën e tij në këtë ekspozitë e cila është ekspozita e tij e parë në Prishtinë.

“Titulli është “Të dua pa e ditur” dhe për mua është shumë e rëndësishme sepse për mua në dashuri nuk ka as hapësirë e as kohë dhe është diçka që nuk mund ta definojmë. E duam nënë, vëllain , motrën, shoqen, partneri, dikë të veçantë dhe çdo kush mund të gjejë në të këdo që dëshiron. Për mua marrëdhëniet me vendin ku kam lindur dhe më atë ku tani jetoj, New York, është një dashuri në të cilën nuk ka dallime por që është një dhuratë”, është shprehur ai.

Tutje ai ka theksuar se për të, arti është një lloj sfidë dhe veçanërisht kjo ekspozitë e mënyra sesi ajo është projektuar. Ai po ashtu ka treguar se në këtë ekspozitë do të përfshihen punime të tij të mëparshme por edhe të reja.

“Kemi zgjedhur punime të cilat theksojnë kompleksitetin e botës , që nuk lidhen vetëm me ambientin në Kosovë por me pyetje universale” , ka theksuar Xhafa.

Tutje artisti Sislej Xhafa ka diskutuar edhe për artin dhe familjen e tij ku edhe babi dhe motra, merren me art.
“Tani nuk flasim shumë për artin në familje sepse e kemi një lloj autonomie dhe nuk dimë as se çfarë tjetri është duke punuar. Kjo e ka anën e bukur të saj në mënyrën sesi ne evoluojmë në punën tonë duke qenë se jemi tre anëtarë të familjes që merremi me art”, tha ai duke treguar se sigurisht që ata janë të afërt me njëri-tjetrin por nga ana profesionale mundohen që të respektojnë këtë hapësirë mes tyre.

Artisti, ka diskutuar edhe për jetën që po e bënë tani në New York dhe për zhvendosjen në Amerikë. Ai ka diskutuar edhe për ndikim që ka pasur pikërisht ky vend në punën e tij dhe në konceptin e tij për demokracin, duke mos harruar edhe artin dhe mënyrën sesi arti paraqitet atje.

Sipas tij kjo ekspozitë është një ndërlidhje në mes të eksperiencave që ai ka pasur gjatë jetës duke përfshirë këtu faktin që ka lindur në Kosovë dhe jetën e tij në Amerikë.

Duke përdorur titullin “Të dua pa e ditur” për ekspozitën, Sislej Xhafa, është shprehur se ka arritur që të theksojë këto dy eksperienca në mënyrë të shëndetshme pasi që janë përbërësit e duhur që e nxisin artistin për të pyetur vetën, një rezistencë e vazhdueshme në një term më ndryshe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat