A duhet ti ndërrohet emri Galerisë Kombëtare të Arteve në Galeri të Arteve të Bukura?

Kultura

A duhet ti ndërrohet emri Galerisë Kombëtare të Arteve në Galeri të Arteve të Bukura?

Nga: Albert Z. Zholi Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 09:20
Albert Z. Zholi

Galeria jo këtu ku është sot, është hapur në vitin 1946 me sipërfaqe ekspozimi rreth 5300 m². Aty gjendeshin disa salla ekspozimi si ajo e Artit të Rilindjes, e Artit Bizantin, salla e Grafikës dhe ajo e punimeve të bëra pas viteve 1950. Aty ruhet edhe busti i parë shqiptar, i cili është busti i Skënderbeut, i punuar në vitin 1908 nga Murat Toptani. Ndërsa ndërtesa e re e Galerisë Kombëtare të Arteve u themelua në vitin 1954, dhe u transferua në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në vitin 1974. Në Galerinë e Arteve ruhen vepra arti të autorëve shqiptare dhe të huaj, të cilat përfshijnë një periudhë kohore që fillon që nga shekulli XIII e vazhdon deri në ditët e sotme Që prej vitit 1999 është hapur për publikun një bibliotekë e Galerisë ku mund të shfrytëzohen albume, revista, kritikë dhe literaturë e ndryshme mbi artet figurative.. Galeria Kombëtare e Arteve është institucioni më i rëndësishëm i arteve pamore në vendin tonë. Këtu ruhet koleksioni Kombëtar i arteve pamore, duke filluar nga gjysma dytë e shek. XIX e deri në ditët tona. Ky koleksion përbëhet nga vepra të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë (1883 - 1944), një koleksion ikonash që i përket shek. XIII - XIX, koleksioni më i madh i pikturës dhe skulpturës së periudhës së Realizmit Socialist (1944-1990) , pavijoni i artistëve të huaj, si dhe një koleksion i artit bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar. Sot në Galerinë Kombëtare të Arteve ruhen rreth 4100 vepra. Ditët e fundit është sinjalizuar se qeveria ka hartuar një projektligj që GKA të mos quhet më me këtë emër por Galeria e Arteve të Bukura. Për “Albanian Free Press” u intervistuan shumë piktorë në lidhje me këtë ndryshim, ku mes tyre ka zëra pro dhe kundër ndryshimit të emrit. 

Skënder Kamberi “Artist i Popullit”:  “Luvri” në Francë qëndron ashtu se ka një emër ka një histori

Sot nuk duhet të merremi me ndryshim emrash por me problemet që kemi me artin figurativ. Pra sa po propagandohen piktorët dhe skulptorët tanë, sa vend u lëmë për ti ballafaquar me piktorët jashtë, si duhet ti nxisim dhe inkurajojmë ata pasi paraqesin historinë dhe kulturën e vendit. Sot Galeria e Arteve ka një fasadë me hekura para e cila ja ka zënë frymën dhe ja ka prishur bukurinë. Nuk e di se çfarë përfaqëson ajo masë metalike në hyrje të një Galeria aq të bukur. Unë dua të them së pari që ajo Galeri duhet që të shtohet në hapësirë, kaq aq shumë vend, pra duhet të marr përmasa të reja se Shqipëria ka shumë piktorë me emër dhe të aftë që duhet të ekspozojnë veprat e tyre. Emrin ajo Galeri e ka shumë të bukur. “Luvri” i famshëm në Francë që kur ka lindur ka mbajtur atë emër ndaj dhe qëndron ashtu i madh dhe me emër në botë. Aty ka shumë vepra që nuk janë ekspozuar madje vepra shumë të bukura që kritika botërore i ka vlerësuar. Pra nëse do zgjerohet Galeria do mund të shtohen pikturat e ekspozuara, do rritet interesi i turistëve, do propagandohet arti pamor shqiptar dhe në botë do marrim vlerësime të tjera pozitive. Unë kam aty mbi 40 punë por vetëm dy punë janë të ekspozuara, ku njëra është vlerësuar me një shumë të madhe eurosh kur mua Galeria në kohën e Enverit ma ka blerë vetëm 20 mijë lekë të vjetra. Por si unë ka me dhjetëra piktorë të tjerë që kanë shumë vepra dhe askush nuk mund ti shohë të ekspozuara pasi kaq është ai vend, ajo hapësirë. Pra ne kemi aty veprat tona, kemi punët tona dhe nuk marrim më asnjë shpërblim si të drejtë autori. Artistët sot nuk shpërblehen.  Dua të them se Galeria ka shumë mundësi që të kthehet një një qendër të madhe turistike që mund të thith mijëra turistë brenda saj. Do vetëm pak ide dhe menaxhim koherent. Le ti kthejmë sytë nga Europa se si i ka bërë galeritë e tyre. Jo të shkojmë larg por në Italinë fqinje. Në Firence, në Romë, në Venecia kanë galeri që tërheqin miliona vizitorë. Personalisht në Komo të Italisë në, kështjellën muze Komo, kam dy punë që i kanë blerë me kënaqësi dhe i kanë ekspozuar. Pra se dinë të blejnë pasi dinë të reklamojnë. Ndërsa tek ne piktorët kanë ngelur të varfër shumë si piktorët e shquar holandeze të shekullit të XVI që i shisnin pikturat për bukën e gojës. Pra këto duhet të shihen jo të shikohet ndërrimi i emrave. Artisti i mirë duhet të vlerësohet, se piktorë si Sali Shijaku apo Nestor Jonuzi e shumë të tjerë paraardhës  nuk po vlerësohen dhe pse veprat e tyre janë në galeritë më të bukura të botës. Galeria sot është lënë në vitin që e ndërtoi Enver Hoxha. Funksioni i saj nuk është zmadhuar, madje është zvogëluar, pasi me ato që janë vendosur para saj ajo nuk duket nga bulevardi, i ka ikur ai shkëlqim. Ndoshta kanë dashur të imitojnë Luvrin që ka një si piramidë trekëndëshe në hyrje, por ajo është e vogël, e konceptuar dhe është në funksion të Galerisë pasi të intrigon.  Por ajo që është vendosur tek ne është e shëmtuar dhe pa ide funksionale në shërbim të galerisë. Nqs Galeria do zmadhohet, do përzgjidhen veprat, do restaurohen veprat e vjetra, do seleksionohen në gjithësinë e tyre, do ekspozohen ahere vlera e saj do jetë e shumëfishtë. Pra këto janë problemet e artit figurativ sot, këto janë ato që duhet të na shqetësojnë, pasi po të ridimensionohet Galeria, nis do marrë paraqitje bashkëkohore, ajo do behët burim të ardhurash. Zgjerimi, afrimi i veprave të bukura të viteve të fundit, reklamimi i gjithanshëm i vlerave që mbart janë detyra imediate që do ja rrisin vlerën kësaj Galeria që e kemi pasur aq të bukur dhe në zemër të Tiranës . Me ëkto ndryshime ajo do jetë e denjë të konkurrojë Galeritë më të mira të rajonit dhe do i bëjë paraqitjen më dinjitoze indetitetit të kombit shqiptar. Emrin ajo Galeri e ka, të bukur madje le ta fisnikërojmë më tej atë nga brenda dhe jashtë që të ndriçojë në çdo aspekt.

Rakip Shabani, “Artit i Merituar”: Ajo është Galeria e piktorëve dhe skulptorëve shqiptar, duhen pyetur ata

Kjo Galeri është e arteve figurative, ka një përcaktim të qartë. Nuk mund të kemi art të bukur dhe art të shëmtuar. Art të shëmtuar nuk ka, ka vetëm art të bukur ndaj quhet art. Mund të ndërrohet emri por emri i saj është lidhur pazgjidhshmërisht me pasurinë që ka, me pikturat dhe skulpturat që ka.  Ndoshta ky ndryshim do të bëhet pasi Galeria mendohet se lidhet me artin socialist. Për mendimin tim aty nuk ka piktura të kësaj natyre me këtë përcaktim. Arti socialist është një shtojcë që nuk merret në konsideratë, pasi nuk ka ndjenjë socialiste, pasi arti është ndjenjë. Ashtu si nuk ka ndjenjë kapitaliste. Ndjenja është individuale.  Në të vërtetë në atë Galeri është arti i realizmit shqiptar.  Aty është historia e kombit tonë.  Kur vijnë të huajt në Shqipëri, vetëm Galerinë e Arteve duan të vizitojnë. Ajo është Galeria e piktorëve dhe skulptorëve shqiptar.  Aty ka një histori të kombit që nga piktorët e parë shqiptar si David Selenica  dhe deri tek piktorët më të rinj. Për mendimin tim Galeria të mos jetë si sallë ekspozitash, por të jetë si Galeri për vizitorë që të njihen me pikturën shqiptare.  Ajo është pronë e artistëve shqiptarë që kanë dhuruar mendjen e tyre, shpirtin e tyre për të paraqitur botën e bukur të artit shqiptar tek vizitorët. Unë aty kam 24 vepra, por ka të tjerë kanë më shumë dhe besoj janë në mendimin tim që ajo të jetë me historinë dhe emrin që ka. Pronarë të Galerisë janë artistët shqiptarë që kanë dhuruar punimet më të bukura të jetës së tyre për të pasuruar artin shqiptar në sytë e të huajve. Veprat tona aty janë flasin me ngjyrat, me penelin e hollë mjeshtëror të artistëve tanë ndaj duhet të pyeten por edhe të ruhet tradita. Galeria është një Muze me shumë vlerë e artit pamor shqiptar që ka fituar emrin e tij. E bukur është dhe një femër edhe një lule, por nuk është përcjellë në art, është fizikisht aty në rrugë. E rëndësishme se ne me këtë  Galeri kemi fituar indetitetin e kombit tonë madje e kemi përcjellë me shumë forcë tek të huajt që e pëlqejnë dhe e propagandojnë këtë art. Madje duhet ta ruajmë dhe ta pasurojmë atë por me këtë emër. Nga ana tjetër, kemi në mes të Tiranës,  bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që ka një emër të bukur por nuk ka asnjë bust të dëshmorëve, asnjë portret figurativ të tillë. Kot e ka marr këtë emër, kur ka me dhjetëra buste, monumente, statuja të autorëve shqiptarë që rrinë të fshehura në Galeri? Në Galeri është indetiteti i Kombit, indetiteti historisë, ndaj rrugët, parqet, lulishtet duhen të mbushen me statuja dhe me buste të heronjve dhe dëshmorëve tanë.

Aleksandër Dragoti: Galeria e Arteve në Tiranë ka historinë e vet, mund të ndërtohet tjetër me emrin e ri

Jetojmë në një kohë ndryshimesh të mëdha. Jetojmë në një situatë kur në Shqipëri mendohet se gjithçka fillon tek unë, tek ty, tek ai. Por e vërteta nuk është kështu sidomos në art, në pikturë. Vera, piktura dhe skulptura, sa më të vjetra të jenë aq më të vlerësuara dhe të shikuara bëhen. Në këtë këndvështrim mendoj se Galeria e Arteve në Tiranë ka historinë e vet, ka emrin e vet, ka pozicionin e vet që duhen breza të tillë ta mbajnë mend riemërtimin. Aty gjenden piktura të piktorëve më të shquar shqiptar në breza. Pikturat janë një pjesë e historisë së një kombi, ose pjesa më origjinale dhe e pakontestueshme e historisë, ndërgjegjes së tij kombëtare. Në aspektin terminologjik piktura është një shprehje internacionale, që nënkupton vizatim ose paraqitje e një motivi të caktuar në sipërfaqe te sheshtë. Piktura është edhe degë ose disipline e artit figurativ,e cila në disa shkolla të mesme dhe fakultete studiohet me vite. Motivet pikturale mund të jenë të llojllojshme, nga bota e florës dhe e faunës, portretet, peizazhet, etj. Stilet e pikturimit janë të ndryshme, p.sh: realizmi, surrealizmi, hipër realizmi, ekspresionizmi, postekspresionizmi, pointilizmi, romantizmi, kubizmi, abstraksionizmi etj. Kjo s’do të thotë që pikturat e kryera në sistemin socialsit janë të gjitha të politizuara, ideologjizuara. Absolutisht jo. Piktura në ardhë të parë është një frymëzim dhe sideim individual që më vonë bëhet pjesë e ndërgjegjes shoqërore. Ndaj mendosj se në kaq vite shqiptarët janë ëmsuar me GKA dhe një ndryshim i emrit do ti humbëte historinë, kujtimet, ngjarjet që ka përjetuar. Piktura dhe skulptura janë tërësia e aftësive të njeriut që na jep neve (të gjithëve) kënaqësi shpirtërore dhe intelektuale, pasi ajo ka 3 tiparet dalluese të së bukurës që janë masa, drejtpeshimi dhe harmonia. Që një send apo dukuri të jetë i e bukur duhet të përmbushë disa tipare të cilat të gjitha pikturat dhe skulpturat që janë brenda GKA i kanë. Ndaj jam i mendimit që GKA të qëndrojë si një tarshëgimni e pasur kulturore me emrin origjinal dhe diku tjetër le të ngrihet Galeria e Arteve të Bukura. Kështu e bëjmë Tiranën më të bukur, por dhe artit shqiptar i japim rëndësinë dhe vlerën e duhur në sytë e botës së qytetëruar.

Edmond Kojani: Ndryshimi i emrit me emrin Galeria e Arteve të Bukura është i drejtë...

Për mendimin tim, ndryshimi i emrit me emrin Galeria e Arteve të Bukura është i drejtë, për disa arsye.

Kjo, referuar dhe krahasuar  konceptit të artit dhe atij të arteve të bukura.

Historikisht ka një evoluim të konceptit të artit, nga Greqia e lashtë dhe Mesjetë që shihej si aftësi për të bërë një objekt sipas rregullave të caktuara. Në Rilindje kemi ndarje të artistëve nga shkencëtarët e artizanët.  Botohet në vitin 1746 libri “Artet e bukura” nga Charles Batteux, ku përfshin në Arte pikturën, skulpturën, muzikën, poezinë, krijimtarinë letrare, vallen. E përbashkëta e tyre -imitimi i natyrës për të krijuar objekte të bukura. Në fund të vitit 1700 kemi krizën midis të bukurës dhe artit, lindi fotografia, zhvillim i arkitekturës industriale, etj që duheshin futur në konceptin e artit. Në vitin 1900,  çdo përcaktim i artit futej në art. Lëvizjet moderniste ndryshuan mënyrat dhe qëllimin e artit. Si rrjedhojë arte të bukura janë çdo formë arti me qëllime estetike dhe konceptualisht e ndarë nga funksioni utilitar. Kështu që emri Galeri Kombëtare e Arteve  ndryshuar me Galeria e Arteve të bukura është i saktë

Erieta Koliqi, Gajtani: Emri Galeri e Arteve të Bukura është dhe bashkëkohore

Nuk me duket ide e keqe...Gjithsesi ajo Galeri e Arteve të Bukura është dhe kombëtare është dhe po mos titullohet ashtu. Pastaj ajo përveç kombëtare ka ekspozuar dhe piktura të autorëve të huaj jo vetëm në ekspozita të ndryshme...Pra nuk do ishte keq dhe ta ndërronin se emri që ka pasur e ka trashëguar nga sistemi i kaluar.

Robert Përmeti: Duhet të mbetet "GALERIA KOMBËTARE E ARTEVE"

As që e mendoj të ndryshojë. Duhet të mbetet "GALERIA KOMBËTARE E ARTEVE" . Ky është emri që kur u krijua dhe tentativat për ti ndryshuar emrin do sjellin shumë shpejt vjedhje të tjera të veprave. Emri nuk duhet të ndërrohet për faktin kryesor: " Të gjitha veprat që përbëjnë fondin, janë blerë me paret e taksapaguesve shqiptar dhe duhet të mbeten pronë e shtetit.

Arben Shira: Emri Artet e Bukura nuk shkon është terminologji më shumë latine

Mendoj se ka ardhur koha që ajo të jetë Muzeu i Artit Shqiptar ku të përfshihet gjithë arti sipas shekujve dhe hapësirës kombëtare dhe arti i huaj

Ku drejtori të mos jetë politik as piktor por historian arti. Ose ajo të mbetet muzeu i realizmit socialist dhe të ndërtohet një muze arti i madh. Veç kësaj duhet një fakultet i historisë së artit që se kemi pasi dikush do të bëjë studimin e vlerave të pikturës. Për gjuhën shqipe emri artet e bukura nuk shkon është terminologji më shumë latine është më afër shqipes Galeria e Arteve kjo në respekt edhe të atyre që e ndërtuan paçka ç’ishte diktatura.

Helidon Haliti: Duhen ndryshime në të artit pamor shqiptar

Jam i bindur që zhvillimet nuk mund të ndalohen. Duhen ndryshime në interes të komunitetit dhe të artit pamor shqiptar që po vlerësohet në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat