Në GKA , ekspozitë retrospektive e artistes Lumturije Dhrami

Kultura

Në GKA , ekspozitë retrospektive e artistes Lumturije Dhrami

Më: 9 shkurt 2016 Në ora: 16:57

Galeria Kombëtare e Arteve, me datë 10 Shkurt 2016, ora 18.00, ka kënaqësinë të hapë ekspozitën retrospektive të artistes Lumturije Dhrami. Ekspozita është një prezantim i plotë i krijimtarisë së Dhramit në grafikë në një periudhë 30 vjeçare (1956 – 1986). Në historinë e arteve pamore në Shqipëri, ajo renditet e para artiste femër e diplomuar për grafikë, e cila dha një kontribut shumë të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj gjinije.

Në veprën e Dhramit mbizotëron grafika e thjeshtë, realiste e që komunikon me publikun. Pjesa më e madhe e artit të saj grafik shtrihet në periudhën e Realizimit Socialist, rrjedhimisht temat e subjektet në ciklet e punuara lidhen me këtë realitet ashtu si krijimtaria e shumë artistëve të tjerë që aplikuan grafikën.
Pavarësisht realitetit dhe atmosferës artistike, apo ndikimeve politike e sociale, Lumturije Dhrami përdori vazhdimisht elementët modern të grafikës dhe veprat e saj mbeten një vlerë e pamohueshme në artin pamor shqiptar.

Artistja ka realizuar disa cikle grafike me temë nga Lufta Antifashiste Nacional – Çlirimtare (“Shtypi illegal”,“Vdekje fashizmit, liri popullit”, “Greva e Kuçovës”); nga jeta dhe puna e ndërtimit të socializmit (“Epoka jonë”, “Fshatari”, “Gruaja që pi ujë”, “Agronomja”, “Rruga jonë”, ”Ndërtuesi”, “Punëtori i peshkimit”, “Ushtarët”). Disa vepra grafike ajo ia ka kushtuar figurave të njohura të historisë shqiptare.
Grafika shqiptare e rendit Lumturije (Shehu) Dhramin krahas artistëve të tjerë grafistë shqiptarë si: Pandi Mele, Safo Marko, Ibrahim Shehu, e më tej si: Musa Qarri, Vlash Prifti, Anastas Kostandini, etj

Konferenca për shtyp mbi ekspozitën do të zhvillohet më datë 10 Shkurt, ora 11.00. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 21 Shkurt 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat