Festat e nëntorit, Ekspozitë me relikët e patriotit Luigj Gurakuqi në Muzeun Historik të Shkodrës

Kultura

Festat e nëntorit, Ekspozitë me relikët e patriotit Luigj Gurakuqi në Muzeun Historik të Shkodrës

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 16:08

Pak kush e kishte menduar që 103 vjet pas shpalljes së pavarësisë, në Shkodër do të vinin të ekspozuara sëbashku në Muzeun Historik sendet personale, tryeza e punës, dorëshkrimet dhe veshjet që kishte në trup në momentin e ekzekutimit patrioti i shquar kombëtar “Luigj Gurakuqi”.

Ekspozimi i tyre u bë në prag të festave të nëntorit, si një vlerësim për hartuesin e deklaratës së pavarësisë dhe një ndër nënshkruesit kryesor të saj pas Ismail Qemalit.

Shumë nga këto objekte u sollën dekada më parë nga i ndjeri Gjon Kamsi, i cili ndodhej në Itali ditën kur u vra Luigj Gurakuqi dhe u ruajten me fanatizëm deri këtë nëntor që panë dritën e publikimit.

Por në këtë ditë nuk munguan as kritikat për vlerësimin që i është bërë në vite kësaj figure, si dhe për humbjen e një prej pasurive më të mëdha që kishte Shkodra dhe Shqipëria, shtëpinë e patriotit Gurakuqi, e cila u shkatërrua në harkun kohor 1993 -2000.

Luigj Gurakuqi lindi në Shkodër më 2 shkurt të vitit 1879 dhe u vra në Bari të Italisë më 2 mars të vitit 1925.
Plumbat e tradhëtisë ia morën jetën në moshën 46-vjeçare. Ai ishte një ndër figurat më të njohura të parlamentarizmit shqiptar si deputet i Shkodrës, opozitar i vendosur përkrah Fan Nolit, demokrat me cilësitë më të vyera të një intelektuali të kohës të nivelit europian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat