“Nana dhe fëmija” – premiera vjeshtore e TKK-së

Kultura

“Nana dhe fëmija” – premiera vjeshtore e TKK-së

Më: 29 shtator 2015 Në ora: 00:42

Teatri Kombëtar i Kosovës dha para gazetarëve një pjesë të shkurtër të shfaqjes “Nana dhe fëmija”, që do të jetë premiera e këtij sezoni vjeshtor.
Me regji të Bekim Lumit kjo shfaqje jepet premierë më 30 shator në skenën e TKK-së për t’u pasuar nga reprizat e para më 1 e 2 tetor.

Shfaqja “Nana dhe fëmija” është një kreacion regjisorial i ndërtuar mbi dramën me të njëjtin titull të dramaturgut të shquar norvegjez Jon Fosse.

Ajo trajton temën e abortit dhe braktisjes së fëmijëve që paraqitet nëpërmjet një raporti të çuditshëm mes nënës dhe të birit, i cili kthehet ta vizitojë nënën e tij pas 20 vitesh për të kërkuar të vërtetën rreth lindjes së tij.

“Tema edhe pse është nga realiteti ajo është tabu në shtëpitë tona, është një temë universale që mbyllet dhe nuk flitet tek ne për shkak të mentalitetit tradicional e patriarkal. Përmes kësaj shfaqje unë kam dashur të preki ne një plagë të shoqërisë që është pjesë e realitetit tonë”, tha regjisori Bekim Lumi.

Me rolet e tyre në këtë shfaqje paraqitën aktorët Meli Qena, Bujar Ahmeti, Majlinda Kosumovic dhe Donika Ahmeti. Regjisori tha se për të ishte kënaqësi të punonte me aktoren doajene Qena, por edhe me brezin e ri sipas të cilit, po i jep shumë skenës teatrore të vendit.

Drejtori artistik i TKK-së, Agon Myftari, i cili ishte i pranishëm në koferencë tha se e vlerëson lartë këtë shfaqje.

“E konsideroj këtë shfaqje si festë për TKK-në sepse jo shpeshherë kemi kombinim të tillë nisur nga regjia, teksti, krijuesi dhe aktorët ku secili me punën e vet i kanë thënë shumë kësaj shfaqje”, tha Myftari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat