​MKRS me aktivitete në Lipjan nis “Ditët e Rinisë 2015”

Kultura

​MKRS me aktivitete në Lipjan nis “Ditët e Rinisë 2015”

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 20:29

“Ditët e Rinisë” këtë vit nisin me dinamikë më të shtuar përmes aktiviteteve të shumta rinore dhe më ndryshe, duke filluar nga ndryshimi i emërtimit - nga Muaji i Rinisë në Ditët e Rinisë, njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Ditët e Rinisë 2015” do të mbajnë moton “Rini, merr pjesë edhe ti”. Sipas kalendarit të planifikuar “Ditët e Rinisë 2015” kanë filluar dje në Rahovec, mirëpo sot edhe zyrtarisht në Lipjan me pjesëmarrjen e Faton Pecit, këshilltar për rini i ministrit Shala dhe përfaqësuesve tjerë të MKRS-së dhe të institucioneve tjera qendrore e lokale.

Peci përcolli porosinë e ministrit se është i përkushtuar të fuqizojë rolin e rinisë në shoqëri dhe njëkohësisht të ofrojë kushte të favorshme për aktivitete të të rinjve në të gjithë Kosovën.

Ai tha se MKRS është duke bërë investime kapitale në infrastrukturën e rinisë, duke ndërtuar qendra rinore nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.

“Ditët e Rinisë 2015” organizohet sipas objektivave të parapara me Strategjinë Kosovare për Rininë 2013 – 2017, përmes së cilave bëhet ngritja e nivelit të përfshirjes sociale në jetën shoqërore si dhe zhvillimi i aktiviteteve të ndryshme kulturore, sportive dhe rekreative për të rinj.

Organizimi i këtyre ditëve zhvillohet në komunat e Kosovës duke realizuar aktiviteteve të ndryshme kulturore, sportive dhe rekreative për të rinjtë.

Këtë vit manifestimi “Ditët e Rinisë 2015”, realizohet në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës përmes aktiviteteve të shumta promovuese, si prezantime të ndryshme të gjetjeve arkeologjike, gërmimeve të improvizuara, prezantimi të botimeve të ndryshme edukative-arsimore, kuizeve të diturisë, artit pamor, ekspozitave mobile, shkrimit të eseve, aktiviteteve sportive, thuhet në komunikatën e MKRS-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat