Lojrat popullore në Kosovë

Kultura

Lojrat popullore në Kosovë

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 00:55

Rajoni i Rugovës në Kosovë zhvilloi dje lojrat tradicionale të përvitshme me shpresën për të hequr sadopak vëmendjen e të rinjve nga teknologjia si dhe për të përçuar tek të rinjtë traditën e vjetër sportive. Pavarësisht temperaturave të larta, mijëra njerëz erdhën nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia për të marrë pjesë në këtë veprimtari.

Me veshjen tradicionale të Rugovës, këta të rinj përcjellin një prej traditave më të lashta shqiptare, atë të lojrave popullore.

Një prej organizatorëve dhe pjestar i jurisë për sportin e mundjes, Nazim Iberdemaj, thotë se përveç ruajtjes së traditës kosovare, evenimenti ka për qëllim edhe forcimin e identitetit mes diasporës shqiptare në Evropë dhe Amerikë.

Lojrat popullore, thotë ai, janë përpunuar në atë mënyrë që të tërheqin një audiencë më të re, tashmë të prirur pas teknologjisë.

“Këto lojra tradiconale janë zhvilluar që në kohët pagane. Pas kositjes së livadheve, bujqit i kushtonin kohë zbavitjes. Lojrat e atëhershme kanë qënë pak më ndryshe. Që nga viti 1992 ne i kemi organizuar lojrat në mënyrë më moderne.”

Lojrat ishin mjaft interaktive duke u dhënë mundësinë edhe spektatorëve që të merrnin pjesë nëse dëshironin.

“Të rinjtë sot janë të dhënë pas kompjuterve dhe internetit, dhe ne duam t’u kujtojmë atyre se ka edhe gjëra të tjera për t’u argëtuar.” thotë zoti Iberdemaj.

Atletët amatorë konkurruan në disa disiplina, pjesa dërmuese e të cilave ende praktikohen në pjesë të tjera të Kosovës. Mes tyre është hedhja e shtyllës që është e veçantë në malësinë e Rugovës. Bekim Metaj mori pjesë në sportin e mundjes ku edhe u kurorëzua kampion dhe atleti më i mirë i lojrave popullore të Rugovës 2015.

“Gara ishte e bukur me një konkurrencë të fortë. Shpresoj në vazhdim e traditës së lojrave popullore. Shpresoj që të ketë njerëz që të vazhdojnë mbështesin këtë traditë.”

Malësia e Rugovës gjendet në pjesën perëndimore të Kosovës dhe kosiderohet si një nga perlat e vendit. Rrjeti i rrugëve të reja të ndërtuara në rajon pritet të shtojë numrin e turistëve që vizitojnë bjeshkët e Rugovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat