U dha premiera e filmit ‘Babai’ në Film Fest Munchen

Kultura

U dha premiera e filmit ‘Babai’ në Film Fest Munchen

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 09:53

‘Babai’ me skenar dhe regji nga Visar Morina pati premierën gjermane në festivalin e njohur Film Fest Munchen të Gjermanisë dje me datë 28 qershor. Ky film është i nominuar për: regjinë më të mirë dhe skenarin më të mirë (Visar Morina) dhe aktorin më të mirë (Astrit Kabashi dhe Val Maloku).

Të pranishëm në premierë ishin aktorët kryesor Astrit Kabashi, Adriana Matoshi, Val Maloku, producenti i filmit Visar Krusha si dhe drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharku.

Ndërsa në fund të kësaj jave ‘Babai’ do ta ketë premierën ndërkombëtare në konkurrencën zyrtare në Karlovy Vary International Film Festival në Republikën Çeke.

Ky filmi shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku) një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.

“Babai” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga fondacionet gjermane të filmit si Film und Medien Stiftung NRW, fondacioni FFA, fondacioni Nordmedia, pastaj Fondi Maqedonas i Filmit, fondacioni francez Cinema Du Monde dhe nga televizioni publik gjerman WDR si dhe televizioni publik gjermano-francez ARTE dhe është prodhim i NikoFilm, Gjermani, Produksioni Krusha, Kosovë, Skopje Film Studio, Maqedoni dhe Eaux Vives Productions, Francë dhe është filmi më i shtrenjtë që është realizuar kohëve të fundit në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat