Të mos flasësh për dhembjen e krijimit

Kultura

Të mos flasësh për dhembjen e krijimit

Më: 28 qershor 2015 Në ora: 22:21

Jose Saramango është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit XXI, librat e të cilit vijojnë të renditen bri librave që nuk duhen humbur.

Ai lindi më 1922 në një familje punëtorësh, me të ardhura modeste nga qendra e krahinës së Riatejos të Portugalisë. Kur ishte dy vjeç, familja u transferua në Lisbonë, ku babai i tij punonte si polic. Në vitet e rinisë së hershme vështirësitë ekonomike e detyruan Saramangon të transferohej nga një shkollë e mesme e rregullt, në një shkollë profesionale; më vonë do të punonte në shumëllojshmëri zanatesh, duke përfshirë dhe mekanikun, përpara se të niste të shkruante me kohë të plotë. Më 1947-n në moshën 24-vjeçare Saramango botoi romanin e tij të parë “Toka e mëkatit”.

Origjinali titullohej “Vejusha”, por u ripagëzua nga botuesi me shpresën se ky titull do të bënte të shiteshin më shumë kopje. Saramango do të shprehej se në atë kohë nuk dinte asgjë nga vejushat dhe mëkati. Ai nuk botoi më për 19 vjet. Më 1966 doli përmbledhja e tij e parë me poema “Poemat e mundshme” dhe më 1977 ai botoi romanin e dytë “Manuali i pikturës dhe i kaligrafisë”. Gjatë viteve ’60-’70 Saramango ishte gjithashtu aktiv edhe në gazetari. Më vitin 1969 u fut në Partinë Komuniste portugeze, anëtar besnik i së cilës ka mbetur ende. Shkrimet e tij janë të lidhura fort me komentet mbi shoqërinë dhe politikën.

Në botimin “I ngritur nga dheu” më 1980, të shkruar nën gjurmët e revolucionit të karafilit të kuq më 1974, Saramango formoi stilin e tij si romancier. Historia e tre brezave të bujqve nga rajoni i Alentejo i Portugalisë fitoi një vëmendje të madhe ashtu si dhe çmimin “Qyteti i Lisbonës”. Botimi i “Baltazari dhe Blimunda” më 1982 e bëri karrierën e tij një karrierë ndërkombëtare; më 1987 ai u bë romani i parë që doli në SHBA. Romani tjetër i tij “Viti i vdekjes së Rikardo Reis” fitoi disa çmime ndërkombëtare. Më 1989 doli “Historia e rrethimit të Lisbonës”.

Në një intervistë të dhënë kohët e fundit, shkrimtari tregon se te ky libër personazhi kryesor i ngjason shumë atij. Raimundo Silva është një mesoburrë, korrektor i vetmuar, i cili bie në dashuri me bosen e tij, botuese, një vajzë tërheqëse, më e re se ai e cila e shpëton atë nga mediokriteti emocional. Romani i kushtohet gruas së tij, një gazetare spanjolle, Pilar de Rio, me të cilën u martua më 1988. Më 1991 Saramango publikoi “Ungjilli sipas Krishtit” i cili mori çmimin e Shoqatës së shkrimtarëve Portugezë dhe një kandidim për konkursin letrar të Bashkimit Europian, Ariosto. Qeveria portugeze, përballë presionit të Kishës Katolike, i hoqi librit të drejtën e konkurrimit. “Ishte krejt e pajustifikueshme, që të ndodhte diçka e tillë me demokracinë plotësisht në fuqi në Portugali. A ka ndonjë qeveri që të mund të justifikojë një akt kaq barbar? Ishte shumë e dhembshme për mua”, do shprehej Saramango.

Pas polemikës, Saramango dhe bashkëshortja u larguan nga Lisbona, ku kishte jetuar pjesën më të madhe të jetës së tij dhe u vendosën në ishullin e Lanzarotit, në ishujt Kanarie të Spanjës, ku jetojnë ende. Aty ai ka ngritur studion e re të punës, ku shkroi një sërë romanesh si “Verbëria”, një parabolë therëse e çmendurisë së njeriut modern dhe aftësisë për të shkaktuar vuajtje te të afërmit e tij apo romanin “Të gjithë emrat”. Shtëpia e tyre në Lanzarot ishte deti, zhurma e të cilit i kujtonte mallin për Lisbonën. “Nëse vërtet malli është siç thotë poeti, ajo ndjenjë, ajo rrëqethja e shpinës, atëherë e vërteta është se unë e ndiej atë rrëqethje”, do të shprehej Saramango në një intervistë duke thënë se ishte mësuar shpejt me ndryshimin.

“Jam, tipi i njeriut që nuk e ndërlikon jetën e tij. E kam jetuar gjithnjë jetën time pa i dramatizuar gjërat, qofshin këto ndodhi të mira apo të këqija. Thjesht jetoj çastin”, do të shprehej ai. Por si është për shkrimtarin shkrimi i një libri? “Për mua të shkruarit është punë. Unë nuk e ndaj punën nga akti i të shkruarit si dy gjëra që s’kanë të bëjnë fare me njëra-tjetrën. Jam shumë i disiplinuar. Nuk kam zakone të çuditshme. Nuk dramatizoj. Nuk flas për dhembjen që vuaj kur krijoj. Nuk kam frikë nga fleta e bardhë, nga blloku i shkrimtarit, nga gjithë ato gjëra që dëgjojmë për shkrimtarët”, shprehej ai. Saramango nuk besonte nocionin që disa personazhe kanë një jetë të tyren dhe autori vetëm u shkon pas. “

Shkrimtari duhet të jetë i kujdesshëm që të mos e detyrojë personazhin të bëjë diçka që do të shkonte kundër logjikës së personalitetit të personazhit, por edhe personazhi nuk duhet të jetë i pavarur. Personazhi është në grackën e dorës së shkrimtarit, në dorën time, por është në një mënyrë të tillë që nuk e kupton që është grackë. Karakteret janë të lidhura me shumë fije, por fijet janë të lira; personazhet gëzojnë iluzionin e lirisë, të pavarësisë, por sërish ata nuk mund të shkojnë atje ku unë s’dua të shkojnë”, shprehej Saramango. Në librat e tij çdo moment që kalon bën fjalë për diçka që ka ndodhur. “Ashtu si dikush që ndërton duhet të balancojë një element përkundrejt një tjetri, në mënyrë që një libër do të zhvillohet duke kërkuar logjikën e tij, jo strukturën që ishte paramenduar për të”, thotë Saramango. Më 8 tetor 1998 ai u vlerësua me çmimin Nobel në letërsi, duke u bërë i pari shkrimtar portugez i nderuar me këtë çmim. Mjeshtri i rrëfimit magjik u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare në vitin 2010 në shtëpinë e tij në Lanzarot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat