Kosova e gatshme për turizëm kulturor dhe malor

Kultura

Kosova e gatshme për turizëm kulturor dhe malor

Më: 17 prill 2015 Në ora: 15:44

Muaj më parë Qendra Kulturore e Bashkimit Evropian në Kosovë ka organizuar një fushatë e cila është fokusuar në gjuhë, kulturë dhe në art.

Ndërsa në vazhdën e asaj fushate, kjo qendër sot mbajti takim me temën “Trashëgimia kulturore si atraksion më i ri i turizmit”.

Virtyt Gacaferi - gazetar dhe aktivist nga shoqëria civile, Lendita Hyseni - themeluese e Operatorit Turistik “Kosova Outdoor” dhe Hysen Sogojeva nga Divizioni i Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ishin tre panelistët që hapën debatin e shumëfolur mbi trashëgiminë kulturore dhe inkorporimin e saj më të fuqishëm në turizmin kosovar.

I pari që hapi këtë takim ishte Virtyt Gacaferi, i cili mori shkas nga romani i Ismail Kadaresë “Prilli i Thyer” për të treguar më gjerësisht rreth bukurive natyrore dhe trashigimisë kulturore të vendit tonë. Ai si një ndër vlerat më të çmuara të popullit tonë e specifikoi mikpritjen, ndërsa duke elaboruar romanin në fjalë tregoi se si populli ynë vazhdon akoma ta ketë këtë virtyt shumë të fort pavarësisht tendencave të modernizimit.

“Unë mendoj që kjo është unike tek shqiptaret dhe është e lidhur thellë në psiqikën e shqiptarëve. Romani “Prilli i Thyer” është një dritare e madhe e mikpritjes dhe disa prej traditave tona, na shtyn ne të mendojmë se si kanë qenë këto virtyte me shekuj dhe për fat të mirë këto ndjesi mund të përjetohen në shtëpitë tonam, në Bjeshkët e Nemuna e në Valbonë” tha ndër të tjera Gacaferi.

“Shtëpia së pari është e Zotit, pastaj e mysafirit”, citoi ai pjesë nga romani i Kadaresë.
Kurse Hysen Sogojeva nga Divizioni i Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë tha se në gjithë pjesët turistike malore nuk ka vetëm turizëm por ka edhe shumë elemente të kulturës dhe historisë.
“Janë subvencionuar familje të ndryshme, kryesisht të vogla në pjesën e Grykës së Rugovës të Pejës, që të përgatisin ushqime tradicionale dhe të lëshojnë shtëpitë e tyre për turistët e huaj, në mënyrë që të ndjehet sa më mirë edhe pjesa kulturore e turizmit, pasi që kjo e përmbushë një udhëtim të mirë” u shpreh Sogojeva.

Lendita Hyseni, themeluese e Operatorit Turistik “Kosova Ouydoor”, prezantoi kësisoj destinacionin turistik “Majat e Ballkanit”.
“Është një shteg me gjatësi prej 192 kilometrave që lidh tri shtete; Kosovën, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Ky shteg është ekzistues dhe vite më parë është shfrytëzuar për të bërë tregti. Ideja ka qenë që këto resurse natyrore, tradicionale dhe kulturore të shndërrohen në destinacion turistik. Kryesisht në këtë shteg promovohet kultura dhe tradita e njerëzve të cilët kryesisht jetojnë në këto zona” u shpreh Hyseni.
Me anë të një videoje në monitor u prezantuan bukuri natyrore të këtyre pjesëve, gjithashtu u prezantuan ushqimet tradicionale dhe shtëpi me ndërtime të veçanta.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat