Vlera të arrira etnologjike të një libri

Kultura

Vlera të arrira etnologjike të një libri

Nga: Nga Dhimitër Xhoga,Tiranë Më: 30 tetor 2014 Në ora: 16:08

Më është bërë fiksuese që pa lexuar rubrikat në “Dosier” e të tjera rubrika, nuk më bëhet mbarë të shkruaj në ditarin tim, mbresat e marra aktore apo studimore.

Ky fiksim më ka bërë të ndihem mirë, të futem në ëndrrat e fantazitë për të kuptuar gjithnjë e më mirë poezitë “Naimjane”, atje te burimet e saj, në Dangëllinë me Frashërin e “Vëllezërve Frashëri” dhe pasuar me Sterio Spasen, Dhimitër Shuteriqin, Kin Dushin etj.

Që në bankat e shkollës të viteve ’50 pata fatin të njoh të madhin Sterio Spasse, i afirmuar si shkrimtar i kohës, kur në ditët e praruara të pas çlirimit në Tiranë bënim takime, aktivitete për arsimin e kulturën, biseda direkte dhe entuziaste në fushën e letërsisë, pastaj kurajimet letrare të Petro Markos etj. më bëjnë edhe sot më të rijë më japin force e vullnet të bëj diçka të dobishme.

Këto ditë në një takim në sallën “Aleks Buda”, në Akademinë e Shkencave, me Liksenin në krah po mendoja bashkëkohësin shkrimtar Pjetër Nikolla dhe librin e tij “Etnologji e Kurbinit” të cilin sapo e lexova dhe më sillte në mendje ato freski mendimesh e krijimtarish letrare, që t’i shërbenin edukimit të njerëzve e përparimit të vendit. Që historia të vazhdojë të shkruhet e të pasurohet çdo ditë e më shumë, që kujtesa e kombit të mos humbë.

Më bëri përshtypje në këtë libër parathënia shkruar nga shkrimtari i mirënjohur Dr. Moikom Zeqo i cili thërret me piskamën e tij letrare duke vlerësuar librin e këtij autori si një kontribut i ri që vjen në kohë dhe hedh dritë për etnologjinë e kombit tonë, mbi traditat e shkëlqyera që na i kanë zili të tjerët popuj, që janë rreth nesh. Traditat e krahinave më në zë për atdhedashuri, siç është Kurbini, Mirdita etj. Familjet më në zë të këtyre trevave që kanë mbajtur barrën më të rëndë dhe kanë shkëlqyer në mbrojtje të identitetit kombëtar, të gjuhës, folklorit, kanë kontribuar në ngritjen e shkollave shqipe etj., etj., mbështetur në të dhëna shkencore arkeologjike dhe në referime të autorëve me peshë brenda dhe jashtë vendit. Kjo kujtesë i duhet dhe i shërben këtyre brezave në edukimin e tyre.

Prodhueshmëria e mbi pesëmbëdhjetë librave të kësaj fushe e autorit Pjetër Nikolla, sigurisht është një pasuri me vlera për historinë.

Dy dit e net kaluar me shkrimtarin Pjetër Nikolla, në 255 faqet e qëndisura, të librit të rrallë në llojin e tij, “Etnologji e Kurbinit”, sodita traditat tona atdhetare të mrekullueshme; për më tepër unë si mësues një jetë, i pasionuar pas historisë dhe deri i angazhuar me historikun e shkollave dhe të trevës së Tiranës, më bëri përshtypje për të nxjerrë në pah ato shumë e shumë vlera që ka Tirana, që të reflektojmë historitë e pafund të kësaj treve me shumë tradita.

Vlerat e veçanta të këtij libri janë tek përzgjedhja e traditave më të mira, tek folklori e gjuha e pastër e të shkruarit, tek idetë e autorit që secili rresht i shkruar, të jetë i dobishëm për lexuesin dhe sidomos për brezin e ri që i duhet kujtesa e historisë, si bazë për edukimin e tij etj.

Mjaft interesant dhe me shumë vlera janë pasqyrimi i “vendit të Krojeve” (Kruja), si vendi i epopesë së lavdishme të luftës kundërosmane, i Kurbinit ku mbi pesë shekuj ishte selia e Ipeshkvisë katolike e Durrësit dhe kisha e Shën Premtes në Kurbin, ku u ngritë shkolla e parë Shqipe në 1632 etj.

Paraqitja e kapitujve që nga Durrësi i lashtë mitologjik, tek Albanopolisi antik, “vendi i krojeve”, Kurbini i traditave dhe i kulturës së krishterë, lëvizjet për çlirim e pavarësi etj., të mrekullojnë me informacionin e shumëfishtë etnologjik, patriotik e atdhetar me vlera të pallogaritshme, për ruajtjen e kujtesës së kombit.

Pjetër Nikolla, është lindur në Mirditë më 1936. Ka zbritur me prindërit në Laç më 1946 (atë kohë varej nga Kruja). Shkollën e mesme dhe të lartë e ka kryer në Tiranë. Më pas ka kryer specializim

2- vjeçar për filozofi po në Tiranë etj.

Ka punuar në Bashkimet profesionale ( në sindikatë) në rrethin e Krujës e të Kurbinit mbi 15 vjet me detyrën e sekretarit në Krujë dhe të kryetarit në Kurbin; duke qëndruar për 20 vjet rresht anëtar i Presidiumit të Bashkimeve Profesionale të rrethit Krujë. Është dekoruar nga presidiumi i kuvendit popullor të Shqipërisë me një medalje pune dhe dy të tjera (njëra medalje dhe tjetri urdhër pune) për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore me motivacion për punën e gjithanshme edukative me punonjësit. Ka punuar drejtor i postave e telekomunikacioneve ku përfshinte postën e Krujës, Laçit, Mamurasit, Milotit, Fush Krujës dhe detyra të tjera të rëndësishme.

Me fillimet e tranzicionit ka shkuar me banim në Tiranë ku vazhdon dhe sot.

Fillimet e tij për të shkruar janë të hershme me ato publicistike në shtyp dhe me tregime të shkruara. Parapëlqente të shkruante sidomos në “Tribunën e Gazetarit”, organ i forumit të Bashkimit të gazetarëve të Shqipërisë.

Që herët është marrë me përkushtim e pasion me studime në fushën e historisë, letërsisë, folklorit, etnologjisë, mitologjisë, etj, dhe ka vazhduar pa ndërprerë, krahas detyrave administrative, gjë që pasqyrohet në botimet periodike të librave në vijueshmëri si:“ Dukagjinët”, tregime 2002, “Koment në vargje” (Poezi),2002,“Saga e Sangut”, tregime, 1992, “Kasollja”, tregime, 1994, “Dera e Gjomarkajve”, tregime 2004, “Nëpër shina”,tregime, 2005, “Komb i denjë”, tregime, 2006, “Përshëndetje o Mirditë”, 2007, “E vërteta e mitologjisë iliro-pellazge”, (poezi), 2008, “Mirdita dhe identiteti kombëtar” 2009, ”Kosova për Ndrecë Ndue Gjokën” 2010, “Trojet e Dardanëve”, 2012, “Lidhje gjenealogjike” (Kosovë Mirditë), 2013, “Etnologji e Kurbinit” 2014 etj. Studime dhe artikuj shkencorë historik: “Aleksandri i madh me gjak ilir”, “Aspekte të kanunit shqiptar të lekë Dukagjinit”, “Doket e traditës shqiptare”, “Gjurmë të mitologjisë Shqiptare”, “Fiset e 12 bajrakëve të Mirditës”,“Lidhjet e gjakut të banorëve të Mirditës dhe të Rrafshit të Dukagjinit” etj.

Nga gjithë ky opus del që Pjetër Nikolla është një studiues i frytshëm dhe dimensional.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat