Dykuptimësia e folklorit

Kultura

Dykuptimësia e folklorit

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 09:27

Instituti Albanologjik, dje (e martë), nisi ditën me një ligjëratë si pjesë e projektit që organizohet me qëllim të konsultimit të ekspertëve nga institucionet e huaja në sferën e kulturës tradicionale. Para publikut shqiptar ditën e dytë ligjëroi prof. dr. Thomas McKean, nga Instituti Elfinston (i themeluar në vitin 1995), në Universitetin e Aberdinit në Skoci, që ndryshe është edhe kryetar i Shoqatës Ndërkombëtare për Baladën.

Ligjërata e tij shtjelloi temën “Studimi i folklorit në kontekst: baladat, barkat dhe festivalet e zjarrit në veriun e Skocisë”. McKean nisi ligjëratën, duke treguar se tradita skoceze e shkrimit është më e vjetra në Evropë, përveç asaj të Greqisë dhe të Romës. “Studimet e folklorit të shumë popujve në Evropë ishin të panumërta në qasje. Studiuesit dhe amatorët e folklorit u përpoqën të mbledhin sa më shumë materiale dhe nga botimi i vëllimeve të tëra arritën edhe rezultate të mira”, shpjegoi McKean.

Ai duke folur rreth Institutit, ku ajo vepron me studimet e tij, shpjegoi se ky institucion i atribuohet idesë së Henry Glassie, se përformuesit e traditës janë të vullnetshëm dhe qenie inteligjente, pra me një fjalë me këtë punë ky Institut shkon drejt metodologjive etnografike.

Epiqendra e pjesës së parë të ligjëratës së tij, e cila kishte të bënte me baladat, ishte tregimi “Lypësi i këndshëm”, i cili ka edhe versionin e saj në baladë, dy versione këto që bien ndesh njëra me tjetrën. Rrëfimi ishte treguar një familje endacake skoceze, pra familje rome ose cigane, e cila siç u tha ishte pre e shumë paragjykimeve të shoqërisë, por megjithatë ishin kontribuues të paçmueshëm të folklorit.

Rrëfimi që është i vjetër sa kodrat e Skocisë, flet për Mbretin Xhejms të pestin si një njëri, i cili maskohet si endacak për të kuptuar më shumë se si jetojnë qytetarët e tij dhe për t’i ndihmuar ata me këtë maskim, duke ndalur kështu në fund një ligj, i cili detyronte që nusja në natën e parë të martesës duhet të flinte me feudalin apo pronarin e tokave. Por, në anën tjetër kënga (balada) e kënduar në atë kohë, por që vazhdon të këndohet ende, tregon për një mbret të dhënë pas joshjes rastësore dhe maskimi i tij nuk ka qëllim human.

“Rrëfimet e kënduara apo të thëna janë një mekanizëm i mbijetesës në një botë, ku endacakët janë të anashkaluar dhe të margjinalizuar në mënyrë maksimale, të poshtëruar dhe të persekutuar në mënyrën më të keqe”, shpjegoi akademiku McKean për funksionin e rrëfimeve e baladave.

Pjesa e dytë e ligjëratës së profesorit nga shteti, i cili ditë më parë vendosi për ndarje apo jo nga Mbretëria e Bashkuar, i takoi krijimit të barkave dhe festivalet e zjarrit si tradita zakonore skoceze. “Unë jam shumë i interesuar në ndërveprimin në mes të krijimtarisë dhe traditës kështu një tjetër ide që jam duke e ndjekur është ideja se puna me duar – puna e krahut – ka vlerë të jashtëzakonshme për të dy palët: individin dhe për shoqërinë”, shpjegon McKean.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat