TITANIKU / “Heroi” dhe “i keqi”

Kultura

TITANIKU / “Heroi” dhe “i keqi”

Më: 1 shtator 2014 Në ora: 13:11

Çdo dramë e madhe ka nevojë për nje hero dhe një personazh negativ. Në dramën e Titanikut, qyteti i Boltonit i ofroi të dy. Sipas librave të historisë, Sir Arthur Rostron ishte heroi dhe Stanley Lord, i keqi. Por sa i drejtë është ky verdikt? Natën e fatkeqësisë, Rostron dhe Lord – të dy nga Boltoni – ishin në krye të dy anijeve që ndodheshin më pranë, SS Carpathia dhe RMS Californian. Teksa uji futej në anijen e goditur, ekuipazhi i Titanikut lëshoi sinjalin për ndihmë si dhe mesazhet SOS. Carpathia më shumë se 50 milje në jugperëndim, e mori mesazhin dhe nxitoi në mision shpëtimi përmes akullit. E gjithë energjia e panevojshme në anije u mbyll teksa Rostron e shpejtoi në maksimum anijen e tij, duke urdhëruar ekuipazhin të përgatiste ushqim të ngrohtë, batanije dhe ndihmë mjekësore për të mbijetuarit.

Autori i “Titanik”, Lindsay Sutton ka thënë: “Rostron dhe ekuipazhi i tij ishin të mrekullueshëm. Nuk mund të bënin më shumë. Një histori thotë që kur shigjeta shkoi tek e kuqja, kryeinxhinieri i Carpathias vendosi kapelen e tij sipër me qëllim që të mos e shihte askush”. Carpathia mbërriti në skenë tre orë pas fundosjes. Më shume se 700 vetë u shpëtuan.

Ndërkohë, vetëm 20 milje në veri ishte Kapiteni Stanley Lord dhe “Californian”. Lord, ndryshe nga Kapiteni Smith në Titanik, kishte ndalur anijen e tij për arsye se ishte zënë në fushën e akullit. Më herët, ai u kish thënë operatorëve të tij të komunikimit që të sinjalizonin anije të tjera në zonë për ajsbergë. Operatori i Titanikut i tha operatorit të Californian që “të mbyllte gojën” dhe e injoroi paralajmërimin.

Më vonë atë natë, Californian pikasi fishekzjarret e alarmit të Titanikut. Lordin e zgjuan dy herë, por ai tha se ndoshta ishin sinjale anijesh të të njëjtës linjë. Ai nuk bëri asnjë veprim. Operatori i tij i komunikimit e kish mbyllur fare zyrën për natën dhe nuk mund të merrte mesazhin SOS të Titanikut. Sinjalet u morën vetëm kur u hap zyra atë mëngjes. Në kohën kur Californian mbërriti në vendngjarje, Titaniku ishte fundosur tashmë dhe kishte vetëm trupa të pajetë mbi ujë.

Investigimi i kryer nga Bordi i Tregtisë ishte kritik për mosveprimin e Lordit atë natë. Ai nuk u akuzua, por punëdhënësit e tij, Leyland Line e shkarkuan më vonë atë vit. Lordi nuk u lejua të paraqesë versionin e tij para investiguesve amerikanë apo britanikë. Pas kësaj, në sytë e publikut, ai u bë personazhi negativ.

Ndërkohë, Rostron nderohej në të dy anët e Atlantikut. Atij iu dha një Medalje Kongresi si dhe nje nga mbreti George V. Ishte një veteran i shkollës së Boltonit, ku edhe sot e kësaj dite e përkujtojnë si hero. Një fotografi e Rostronit që u flet një grupi nxënësish në vitet tridhjetë është e përfshirë në ekspozitën e përhershme të shkollës.

Nuk ka asnjë dyshim që Rostroni e meriton gjithë këtë vlerësim, por a meriton Lordi gjithë këtë fajësim që i bëhet? Në filmin e vitit 1958, “Një natë për tu mbajtur mend”, Lordi paraqitej edhe një herë si personazhi negativ i ngjarjes. Lordi vetë kërkoi një hetim të ri për të pastruar emrin e tij. Pas vdekjes së tij në vitin 1962, kauza e tij u mor përsipër nga deputeti i atëhershëm i Bolton East, Bow Howarth.

“Mendova që ia vlente të shikoheshin edhe një herë provat sepse thjeshtë nuk mund ta besoj që një njeri me përvojën e tij në një mjedis të atillë do të kishte injoruar cdo gjë që do të mund të interpretohej si thirrje për ndihmë. Nuk më tingëllon e vërtetë”, tha ai.

Provat u ripanë në vitet nëntëdhjetë por përsëri Lordi u kritikua: Përse nuk reagoi ai ndaj fishekzjarreve? Përse nuk i zgjoi oficerët e tij të komunikimit e t’i vinte në punë?

U tha se në qoftë se Lordi do të kishte reaguar, do të ishin shpëtuar edhe 200 jetë njerëzish. Megjithatë, Sutton beson se Lordi është trajtuar në mënyrë të ashpër. “Bordi i Tregtisë dhe hetimi i tij kish nevojë për fajtorë, sepse nuk donte që gjithë faji të binte mbi ta”, thotë ai.

“Vetë rregullat e tyre për numrin e varkave të shpëtimit, mbulimin 24 orësh me mjete komunikimi, patrulla për akujt në Atlantikun Verior u gjetën me mangësi. Lordi nuk është pa faj, aspak madje, por të gjithë rrethanat ishin kundër tij”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat