Lokaliteti Arkeologjik ‘Ulpiana’, pikë reference për Kosovën

Kultura

Lokaliteti Arkeologjik ‘Ulpiana’, pikë reference për Kosovën

Më: 29 gusht 2014 Në ora: 17:59

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka vizituar sot lokalitetin arkeologjik “Ulpiana”, për të parë nga afër procesin e gërmimeve dhe zbulimet e reja, në të tre sektorët e hapësirës ku po zhvillohen gërmimet.
Ministri është informuar hollësisht për procesin e gërmimeve të këtij viti, përpunimin e gjetjeve dhe konservimin e tyre për aspekte arkeoturistike, zbulimet e reja, procesin e skicimit të pjesëve të gërmuara dhe dokumentimin e punës në përgjithësi.
Ministri ka vlerësuar punën që është bërë në lokalitet, ku ka potencuar se MKRS-ja mbështet në të gjitha format gërmimet arkeologjike për të zbuluar të kaluarën tonë si vend dhe për të dëshmuar qytetërimin dhe lashtësinë tonë si popull duke kaluar nëpër periudha të ndryshme historike.
“Kujdesi institucional për arkeologjinë në vazhdimësi është rritur me mbështetje të të gjitha formave, dhe këto gërmime që kanë filluar para pesë viteve, dëshmojnë për një përkushtim për të mësuar të kaluarën tonë dhe dëshmuar qytetërimin e hershëm që ka ekzistuar në këto treva” tha ministri, teksa shtoi se Lokaliteti Arkeologjik ‘Ulpiana’, bashkë me atë të zbuluar në Dresnik të Klinës, do të jetë një qendër referuese për Kosovën, historinë e saj dhe do të shërbejë po ashtu si një pikë shumë e rëndësishme turistike.
Po ashtu ministri theksoi se, Instituti Arkeologjik i Kosovës i cili është i autorizuar për të gjitha proceset koordinuese të gërmimeve në këtë lokalitet, ka bërë punën e vet duke bashkëpunuar edhe me institute të ndryshme të kësaj fushe, ndër ta edhe me Universitetin ‘Mimar Sinan’ të Stambollit të Turqisë, ku ka veçuar punën e profesor Haluk Çentinkaya-s.

Në anën tjetër, Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha ka thënë se përkrahja e MKRS-së për gërmimet arkeologjike është dyfishuar dhe kjo ka ndikuar që të ketë më shumë punë për arkeologët dhe më shumë zbulime. Ai tha se kjo mbështetja ka ndikuar që IAK të rrisë bashkëpunimin me shumë institucione ndërkombëtare të kësaj fushe, e të cilat kanë pasur një rëndësi të madhe.
Ndërkaq, profesori Çetinkaya deklaroi se është i kënaqur me bashkëpunimin dhe me punën në përgjithësi. Ai foli edhe për gërmimet e reja që janë bërë këtë vit, ku është zbuluar një kishë e shek. IV-V, me dimensione 39 metra e gjatë, 19 metra e gjerë dhe 8-9 metra e lartë. Madhësia e kishës, sipas profesorit për kohën që ka ekzistuar tregon se Ulpiana ka qenë qendër shumë e rëndësishme në atë kohë.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) bashkë me Institutin Arkeologjik në vitet e fundit kanë rritur investimet dhe hulumtimet shkencore në këtë lokalitet dhe lokalitete të tjera, me ç’rast u zbulua edhe një vendbanim i hershëm në Dresnik të Klinës. Vetëm këtë vit nga MKRS-ja në Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana janë investuar 150 mijë euro, ndërkaq për atë në Dresnik 100 mijë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat