Neki Lulaj, është një model i vërtetë i mesazheve të fuqishëm poetikë

Kultura

Neki Lulaj, është një model i vërtetë i mesazheve të fuqishëm poetikë

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 26 gusht 2014 Në ora: 13:32

Neki Lulajn u lind në fshatin Broliq të komunës së Deçanit i cili jeton dhe vepron në Gjermani. Është autor i gjashtë veprave letrare dhe organizator i shkëlqyer i aktiviteteve letrare në diasporë. Në poezitë e tij takon modele të trimërisë, të atdhedashurisë, të vargut flakadanë të epopeve kombëtare apo edhe universale. Por, pa droje duhet thënë se edhe ai është një model i vërtetë i mesazheve të fuqishëm poetikë, që përcjell në poezitë e tij. Librat e Nekiut janë modele të bukura njerëzore, shpirtërore, për këdo në trojet shqiptare. Rruga e këtij poeti të vyeshëm në diasporë është shumë më konkrete. Ai ka botuar libra poetikë si “Dardania ime”, ”Në kështjellën e përjetësisë”, “Zjarri i shpirtit”, “Bukuri e bekuar”, “Balada e heshtjes”. Ndërkohë që është shumë aktiv në botimet që bën në shumë organe letrare në Kosovë, Shqipëri, diasporë, e të tjera.
Që nga koha ku ai botonte me shumë gëzim në revistat e fëmijëve në Kosovë, kanë kaluar mjaft kohë. Tani në Gjermani ai është një zë i njohur. Mbi të gjitha, është një njeri i jashtëzakonshëm në komunikim me poetët, e sidomos me më të rinjtë. Merret me talentet e rinj poetikë duke përcjellë përvojën e tij. Ka një grup recituesish me të cilët punon, është një nga edukatorët më të mirë në një shkollë gjermane. E, për të thënë të drejtën të marrësh këtë “kurorë” në një shkollë gjermane nuk është e lehtë, nëse nuk e meriton. Është i përfshirë në pesë antologji të cilat ia ka kushtua poetit dhe heroit Tahir Desku. Ka shkrua tekste kushtua baskë vendasit heroit të popullit Sali Çekaj. Është pjesëmarrës edhe në një antologji poetike rumune. Është nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani. Në Takimet e Poetëve të Diasporës që organizoi Ministria e Diasporës vitin e kaluat dhe këto ditë në Kosovë, Neki Lulaj, mori pjesë në të dy seminaret në Orën Letrare me karakter garues, ku poezia e tij me titull “Pasqyrë shpirti “zuri vendin e parë dhe u shpërblye si poeti më i mirë i diasporës. Nekiu është bashkëpunëtor i rregullt në gazetën “Bota sot” në portalet elektronike dhe në ato pjesë ku organizohen tubime kulturore dhe promovime veprash letrare.
Lirika e tij është e brishtë dhe plot aromë vendlindjeje
Fort i guximshëm është në poezi tij poeti i ynë i vyeshëm Neki Lulaj, kur shkruan: “E kërkoj çarçafë që të mbledh me duar hënën. Po lumi i territ po më bën udhën si muranë. Në degët e lisave mbledh vesën e ëndërrt. E zogut ia prek flatrën e imët e të bardhë.“ Poezia e tij edhe në Gjermaninë e dritësuar zgjon odën e mençur malësore kur thotë me shumë dashuri për to: „Frëngjitë hapnin veshët nga rrufeja. E këngët linin gjurmë, hapash në shkrepat e larta. Në ujëvarën e mendjeve dukeshin të bardhat mjegulla pellgjeve të shpirtit oda mbillej nëpër gjenerata”. Poezia e tij është një udhëtim poetik në Ibër, në Gjakovë, në Koshare, në Drenicë, në Tiranë, në Prizren, në Prishtinë, poezia e tij është një bredharake e bukur e lehtë, e madhërishme, e lakmuar nga shumë poetë të vjetër në moshë e më të rinj. Poezitë e Nekut kanë një metaforë të bukur, të thyeshme, të dritësuar me aq aromë shqiptarie. Ka një leksik shumë të pasur që përbën një nga meritat më të rëndësishme të librit.
Në një prej poezive ai ka vënë edhe moton e tij poetike që nis të paktën që nga malli i atdheut po edhe te obligimi atdhetar që ka ai kudo ku prek troje të tjera: “Do të iki atje, te dielli e dheun do ta hedh mbi supe. Mallin për Atdhe, shallin e bardhë të kujtesës ma hedh babai. Pëllëmbë e pëlhurë, e praruar si të ishte kurorë me lule. Krenari dardane me marshim të bekuar, përjetësisht të gjallë.
Nuk dua të bie në grackën e disa kritikëve që nisin të bëjnë analiza të gjata të vargjeve të një libri për të cilin duan të shkruajnë. Në një farë mënyre në vend të misionit të bukur që ata i vënë vetes, bëjnë një lloj mëkati se duan të bëjnë komentin e një poezive, të cilën secili e sheh me sytë e shpirtit të vet. Po vargjet e mësipërme dhe shumë vargje tjera që i pasojnë ato dhe vetë vëllimi i radhës së këtij poeti mërgimtar nuk kanë nevojë për koment. Ato kanë frymë poetike të spikatur, një frymë që nuk duket si një mjegull që ikën që me rrezet e para të një dielli dimërak. Kanë një frymë që kërkon ta gjesh në të gjithë qelizat e trupit, kur ke të bësh me durimtarë e vëzhgues symprehtë si ky poet i vyeshëm. Nëse do të bënim një sugjerim miqësor do të ishte fort mirë që disa cikle të tij të botoheshin edhe në gjermanisht. Është detyra jonë dhe e shteteve respektove në Kosovë e në Shqipëri që shpirti i bukur i qëndresës, dëshira për të jetuar paqësisht e kulturës e shqiptare poet me vendet e diasporës ia kalon shumë më tepër fjalës së ambasadorëve me çfarëdo diplome që të kenë në xhepat e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat