Poeti i përjetimit, Kujtim M. Shala

Kultura

Poeti i përjetimit, Kujtim M. Shala

Nga: Nga Armend Preteni Më: 24 prill 2014 Në ora: 14:37

“ Poezia e Kujtim M. Shalës, dallohet për ngjyrimet e forta emocionale, frymëzimi poetik i të cilit nis në vendlindje, me natyrën e saj, në dashuri për të vetën, me zellin ndaj fjalës, të bukurës dhe mendimit poetik”

Poeti Kujtim M. Shala (1974), i përket brezit të ri të poetëve, ku me veprën e tij solli një freski në poezinë aktuale shqipe, duke u radhitur përkrah poetëve më në zë, për kreativitetin e tij të veçantë dhe origjinal.
Fillimet poetike të Shalës, datojnë nga viti 1998, kur dhe boton librin e parë poetik “ Mërzi e zezë ”, për të vazhduar më pas me botimet e dy librave tjerë : Bukuria e zemërimit (1999) dhe Vjeshat e shpirtit (2000).
Poezia e Kujtim M. Shalës, dallohet për ngjyrimet e forta emocionale, frymëzimi poetik i të cilit nis në vendlindje, me natyrën e saj, në dashuri për të vetën, me zellin ndaj fjalës, të bukurës, dhe mendimit poetic.
Pikërisht në këtë frymë, në vitin 2004, Shala boton librin poetik Sagë të ndarë në katër cikle: Dega, Sagë, Zbulesa, dhe Efemerja.
Bota e vendit të lindjes së poetit, është prezente në radhë të parë si individualitet, botë e njerëzve, si filozofi jetësore në raport ndaj lindjes, jetës e vdekjes, ndaj Zotit, dashurisë dhe në veçanti ndaj mendimit të thellë.
Mbi këto tema, mund ti veçojmë disa poezi si : Vendlindja, N’shpinë teme, Dy testamente, Letrat …; vargjet e të cilave shënojnë kulmin artistik të poetit.
Te vargjet e poezisë Vendlindja, poeti rikthehet dhe njëherë në rrugën e fëmijërisë, duke ecur në shpirtin e saj,edhe pse ka kaluar kohë e gjatë, për të çdo gjë ka mbetur e njejtë : “ Babën e prek gjumi herët – e di, nana më prêt, degët prekin token, para meje fëmijëria zgjohet ”, gjersa takon miqtë e vjetër, njerëzit në shtëpitë varg presin muzgu që të bie.Po në këtë frymë mëton të jetë dhe poezia N’ shpinë teme, ku me tone nostalgjie paraqiten mëngjeset e zhurshme, zëri i dashur i nënës, një ditë e babait gjersa largon dëboren te dera, dhe më pas sikur çdo gjë ndryshon, këtë më mirë e shprehin vargjet “ prejse jemi rritë, askush nuk flen i qetë, n’shpinë teme.
Te poezia Dy testamente (Jetë e vdekje), ndër më të realizuarat, ndihet një refleks emocional, një përjetim i një drame dhimbjesh për dashurinë.

“ Dashunia për ty
asht jeta ime
që ndalet këtu
ose rrokulliset tej ”

Për portretin e vashës së zemrës, poeti gjen ndonjë detaj të rrallë që është gjithnjë në funksion të tendosjes dramatike të folësit lirik.Dhembjen e kësaj plage, autori parapëlqen ta mbajë të heshtur duke e ngulfatur përbrenda si një therrje fizike.

“ E lë dashuninë pa dhembje
dhe fundin e dashunisë
kur ti je tjetër
pa hyrë kurrë në dimnin tim ”

Në këtë poezi, me mjeshëtri përshkruhet gjendja shpirtërore e poetit. Gjersa pesha e këtij libri bie mbi poezinë kushtuar “Zotit”, në vargjet e së cilës: “ Përtej hijes, në dritën e përjetshme”, poeti kërkon që frika t’i largohet për dashurinë që çmend.

“ Zot kthehu me fytyrë drite
nga fytyra ime e vrenjtur
si pushkim jete
më shpeto nga dashuria”

Lutjet nuk mbarojnë për ta shpëtuar nga shkretëtira, për t’ia mbytur kaosin në mënyrë që në fund t’i ndiçohet fytyra nga ngrysja.
Me ndjesinë për vargun, ritmin si dhe me ndjeshmërinë personale për gjuhën, figurën dhe poezinë, Kujtim M.Shala vazhdon rrugën me hapa të sigurt, drejt piadestalit të poezisë aktuale shqipe.
Përveq fushës së poezisë, Shala është i njohur dhe në lëmin e kritikës, ku veçohen studimet: “ Shenjat e tekstit ” (1999), “ Shekulli i letërsisë shqipe ” (2006), “ Proelepsa ” ( 2011), këtë e dëshmoi së fundi në edicionin e pesëmbëdhjetë të panairit të librit
“ Prishtina 2013 ”, ku dhe rrëmbeu çmimin e kritikës për studimin më të mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat