“PriFest” hap perden e filmave

Kultura

“PriFest” hap perden e filmave

Më: 22 prill 2014 Në ora: 17:59

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë “PriFest”, kësaj radhe vjen në një tjetër periudhë të vitit dhe vetëm shtatë muaj nga koha kur është mbajtur herën e fundit, që është shtatori i 2013-s.

Festivali që sjell filma të kinemasë botërore do të fillojë me 25 prill të këtij viti. Vjosa Berisha, drejtoreshë e “PriFest”, ka thënë se ndryshimi ka ardhur si rezultat, sepse është kohë më e përshtatshme në relacion me festivalet ndërkombëtare.

Në edicionin e gjashtë, “PriFest” vjen me pesë premiera botërore, pesë premiera ndërkombëtare dhe me mbi pesëdhjetë premiera në Kosovë. Siç ka thënë Berisha, këtë vit festivali do t’i prezantojë publikut rreth gjashtëdhjetë filma, më shumë se çdo vit tjetër dhe këto do të ndahen në shtatë programe të ndryshme.

Filmi me metrazh të mesëm “One of them”, filmi i animuar “Plisi” dhe dy dokumentarët “The land of women” e “The legendary dog” nga Kosova, si dhe filmi me produksion francez “Udhëtimi në malin e Tomorit” janë pesë filmat që do ta kenë premierën botërore në “PriFest”.

Në programin e sivjetmë të festivalit “PriFest” do të jenë edhe pesë premiera ndërkombëtare që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dokumentari “Home court”, nga Gjermania, filmi i metrazhit të mesëm “Djalli” dhe nga Shqipëria filmi i metrazhit të gjatë “Ada” dhe “Finally home” i metrazhit të mesëm dhe dokumentari “Dokumentari i fshehur”.

“Një tjetër risi për këtë vit është bashkëpunimi me British Council për të realizuar “British night” me tre filmat e një prej industrive më të mëdha kinematografike, asaj britanike “The Selfish Giant” në programin garues evropian, “London: The modern Babylon” në programin dokumentar dhe me filmin e nominuar për Oscar “Philomena” në programin e Projeksioneve Speciale”, ka thënë Berisha për “Zërin”, derisa ka treguar se programin do ta shoqërojnë një numër i madh i ngjarjeve me aktivitete interesante e mbrëmje argëtuese.

“PriFest” përbëhet nga shtatë programe: Programi Evropian (garues), programi “Mjaltë dhe Gjak” (garues), programi i Metrazhit të Mesëm (garues), programi i Filmave Dokumentarë, programi Projeksione Speciale dhe programi që ka nisur vitin e kaluar “Let it Be” me përkrahjen e “OutFest” nga Los Angeles.

Programet e filmave të “PriFest” fillojnë nga ora 13:00 deri në orën 22:00. Biletat do të fillojnë të shiten nga data 24 prill në Teatrin Kombëtar dhe do të kushtojnë tre euro. Festivali do të mbyllet më 2 maj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat