Arti pamor nën perlën e Asanit

Kultura

Arti pamor nën perlën e Asanit

Më: 18 prill 2014 Në ora: 23:29

18 prilli është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve. E po në këtë ditë, në Muzeun e Kosovës autorja Jëlldëz Asani vendosi ta promovojnë librin e saj të parë “Krijimtaria artistike e piktorëve shqiptarë në Maqedoni dhe në Kosovë në dy dekadat e fundëshekullit XX” .

Autorja tregon se është e lumtur që ka arritur që edhe në Kosovë ta promovojë librin e saj, sepse brenda këtyre faqeve fshihet edhe një material që ka të bëjë me piktorë kosovarë që kanë dhënë për vite me radhë ndikimin e tyre në formimin e artit të përgjithshëm shqiptar.

Asani iniciativën për të shkruar këtë libër e kishte marrë qysh në vitin 2002, periudhë kur ajo ka ndjekur studimet e magjistraturës. Duke studiuar vazhdimisht piktorët botërorë si dhe ata maqedonas ajo e kishte vërejtur një anashkalim dhe një mospërfillje të piktorëve shqiptarë të Ballkanit .
“Në fillim u ballafaqova me mungesë të literaturës për këtë temë sepse krijimtaria e piktorëve shqiptarë është pjesërisht e hulumtuar. Duke pasur parasysh të gjitha sfidat dhe barrierat me një disponim pozitiv që të bëjë diçka që do t`ju hyj në punë jo vetëm artistëve por edhe gjeneratave të ardhshme, subjekti i hulumtimit ka qenë korniza artistike e punimeve të artistëve si dhe zhvillimi i artit të tyre në dy dekadat e fundit të shekullit XX” pohon Asani.

Ajo thotë se qëllimi i hulumtimit ka qenë që të japë një kontribut modest rreth problemit të artit.
“Disa vite kam bërë një vëzhgim analitik dhe vizual të numrit të caktuar të piktorëve, duke filluar nga doajenët e pikturës siç janë Mulliqi, Gjaka, Ferri, Fazliu e shumë e shumë të tjerë. Studimi im është realizuar edhe me fotografi gjë që besoj që do të ju hyj në punë edhe studiuesve të tjerë. Piktorët që janë të përfshirë në këtë libër paraqesin një segment të vogël të piktorëve që janë aktualisht” vazhdoi Jëlldëz Asani.
Recensenti Betim Izeti tha se autorja është ballafaquar me dy probleme serioze gjatë librit: problemi i parë ka qenë mungesa e literaturës lidhur me këtë temë, ndërsa si problem tjetër është se studimi i saj përfshin një periudhë 20 vjeçare të studimit dhe këtu përfshihet tranzicioni nga modernja në postmoderne.

“Të bësh art është e vështirë, por të shkruash për artin është edhe më e vështirë. Elementet të cilat i ka shijuar dikush dhe nga përjetimi i vet i bartë në pëlhurë dhe të flasësh për shijen e tyre, për mendimin e tyre nuk është e lehtë. Jëlldëzi me punën principiele ia ka dalë që këtë prezantim ta bëjë në mënyrën më të mirë” pohoi Izeti.
Libri përbëhet nga 8 pjesë. Në hyrje autori ka diskutuar dhe organizuar veprat e autorëve shqiptarë.

Ndërsa prodekani i Fakultetit të Arteve, Hajrush Fazliu uroi Asanin për punën e shkëlqyer dhe kontributin që kishte dhënë me botimin e këtij libri.
“Libri “Krijimtaria artistike e piktorëve shqiptarë në Maqedoni dhe në Kosovë në dy dekadat e fundëshekullit XX” të autores Jëlldëz Asani paraqet një punë krijuese dhe kërkimore nga fusha e artit në Maqedoni dhe Kosovë. Asani si një pedagoge e re e Universitetit të Tetovës dhe si historiane e artit e pa të arsyeshme që të nxjerrë në dritë një studim të kohës që flet mbi artet pamore, me theks të veçantë në lëmin e kulturës. Libri që sot e promovojmë është një nga librat e një vazhdimësie të studimeve të magjistraturës me kritere metodologjike të punës” tha para të pranishmëve Fazliu.
Për të pranishmit autorja ndau edhe disa libra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat