Këndi i librit, ide e harruar nga Komuna e Prishtinës

Kultura

Këndi i librit, ide e harruar nga Komuna e Prishtinës

Më: 6 prill 2014 Në ora: 15:03

Ende mund të shihen në zemër të qytetit. E kjo zemër duket se frymon më lirshëm kur krejt në hyrje të sheshit “Nëna Terezë” shitësit e librave servojnë për lexuesit prurjet më të reja letrare. Megjithatë, të njëjtit shitës po vazhdojnë t`i kenë të paplotësuara kërkesat e tyre për një vend ku do të mund ta kishin nxehtë, të shitnin libra e ta bënin punën e tyre ashtu siç e do rendi.

Kësisoj, këndi i librit i premtuar prej kohës nga Komuna e Prishtinës duket ide e pluhurosur. Madje, edhe katër tezga librash janë afër sheshit por ato nuk i merr askush, sepse as nuk mjaftojnë e sipas shitësve as nuk plotësojnë nevojat e të gjithë librashitësve ambulantë.

Kohë më parë, idetë e dhëna nga Komuna e Prishtinës për një zgjidhje nuk u mirëpritën edhe nga ata që çdo ditë janë të parët që dalin në vendet e tyre për të shitur libra. Sheshi “Zahiri Pajaziti” dhe fillimi i sheshit “Nëna Terezë” është pjesa ku janë të fokusuar gjashtë persona që me tezgat e tyre simbolike shesin libra. Ata thanë se ideja e “këndit të librit” do të ishte shumë e pranueshme vetëm atëherë nëse do t`ju caktohej një vend më adekuat dhe jo futja në një “birucë” siç ata e quajnë vendin ku komuna e Prishtinës e kishte menduar për pozicion të tyre në shesh.

Samedin Beqiri, njëri nga shitësit, thotë për KultPlus se Komuna e Prishtinës nuk kishte menduar në mënyrë serioze për zgjedhjen e vendit adekuat të tyre. Madje, ai thotë se komuna me këtë po tregon që është duke u munduar që kulturën ta fshehë sa më shumë.“Ne që 15 vite punojmë në këtë hapësirë pothuajse 10 metra. Komuna me këtë gjest ka treguar që në një formë po fshihet nga kultura dhe nga të lexuarit e librit. Kemi biseduar por ata kanë thënë që të mbesim të gjithë të bashkuar edhe pse ekziston mundësia që të na ndajnë. Sa i përket pagesës, më herët kemi paguar 90 euro mirëpo kryetari i kaluar kur ka filluar ta rregullojë sheshin na ka liruar nga pagesa” thotë Beqiri.

Ndërsa shitësi tjetër i librave, Nasuf Zena, thotë se udhëheqësit komunalë të kaluar i kanë konsideruar jo të përshtatshme tezgat që u janë ndarë. Sipas tij, këto tezga janë për alla pazar e jo për shitje libri.

“Sa i përket lokacioni të vendosjes së atyre që as ne e as komunarët nuk po e dimë si ti quajmë, do të na konvenonte të mos na largonin shumë nga rruga. Nëse duan që ne të hyjmë në ndonjë skutë, atëherë është më mirë që të na largojnë të gjithëve dhe të na dërgojnë në shtëpitë tona. Ne kur biseduam me zyrtarët komunalë ju propozuam që të na ndajnë në mënyrë që mua shembull, që punoj që 15 vite, të mos ma zëj vendin dikush tjetër” thotë i mllefosur Zena.

Ndërsa zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, i kundërshtoi ato që u thanë nga shitësit ambulantë të librave, duke thënë që komuna është duke e menduar një zgjidhje sa më adekuate në të mirë të tyre.

“Takimi me shitësit ambulantë të librave në shesh ka qenë takim mjaft frytdhënës. Ata kanë ardhur në Komunën e Prishtinës me kërkesa specifike, të cilat sigurisht se janë marrë parasysh nga ana jonë. Në vazhdim, drejtoritë përkatëse komunale janë duke punuar për rimodelimin e pikave të shitjes në sheshin kryesor të kryeqytetit, rimodelim ky ku do të përfshihen edhe gjashtë shitësit e librave” tha për KultPlus Tahiri.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat