Sopranoja Ermonela Jaho vlerësohet me medalje nderi

Kultura

Sopranoja Ermonela Jaho vlerësohet me medalje nderi

Më: 6 prill 2014 Në ora: 08:56

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është vlerësuar me medalje ekskluzive nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Sopranon Jaho, Rama e quajti divë të skenave botërore. Ceremoinia u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë, në prani të Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro. Kjo medalje u jepet vetëm krerëve të shteteve të huaja.
''Diva e skenave të botës së sotme operistike është një shqiptare, një zë që i bën të përpëliten endat më të fuqishme të kritikës. Një trup që i bën të vibrojnë muret e skenës, kur lëviz dhe këndon në ekranin e gjerë të skenës. Një shqiptare që kthehet në skenën e vrazhdë të Shqipërisë. Gjatë vizitës sime në Gjermani mu desh t’i përgjigjesha Merkelit kur më pyeti se si ndërroi rruga nga arti në politikë. I tregova si arti për mua ishte shprehja e një përpjekjeje të brendshme, e cila nisi të mishërohej si aksion i përditshëm politik. Por nëse Ermonela do më bënte të njëjtën pyetje do kisha më pak kurajo dhe besim të përgjigjesha, sepse ka artisë dhe artiste dhe Ermonela mes shumë artistësh është artiste me A të madhe'. Kështu u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e ndarjes së medaljes ekskluzive për sopranen shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho.

Ndërsa, ministrja Kumbaro falënderoi kontributin e sopranos në artin shqiptar dhe shprehu angazhimin e saj për ta inkurajuar në rrugën e artit.

''Je shumë e re, por ja që sfidat e tua kanë qenë kaq të pasura saqë unë nuk mund t'ia lejoj vetes tundimin për të ndarë emailet mes nesh. Dua të ndaj me të gjithë atë që ti më shkruaje më parë. 'Them se duhet të mblidhemi, thotë Ermonela ata njerëz me syrin pozitiv në Shqipëri, dhe në art, dhe të ndriçojmë një dritë në fund të tunelit për shoqërinë dhe rininë shqiptare'. Kam një përulje të thellë për artistët që bëjnë art në këtë vend edhe pse ky vend nuk u jep atyre atë që ata meritojnë. Për një kulturë të re të artit larg banalitetit, asnjë drejtues i vetëm apo artist nuk mund ta mbajë gjallë suksesin nëse nuk ndryshon kjo frymë pozitiviste. Skenën shqiptare ti e ke fituar kur e ke fituar në skena të mëdha, ku vetëm talenti dhe puna të japin armën më ë fortë në skenë. Përpara një publiku ndryshe ti u dhe guximin e pa treguar, dhe publiku tregoi se di të dashurojë artin se ka nevojë për vlera të vërteta artistike. Dhe ky qytet tregoi se të do fort”, u shpreh ministja e kulturës, Mirela Kumbaro.
Ndërsa, soporanoja Jaho nuk e ka fshehur emocionin për vlerësimin nga qeveria shqiptare.

''Kjo ishte një surprizë që nuk gjej dot fjalët për ta përshkruar. Ndjehem shumë e nderuar. Nuk ka emocion më të madh se sa kur rrethohesh me dashuri dhe vlerësim. Vlerësimi është çelësi i suksesit në çdo ndërmarrje. E kemi shumë të vështirë të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, por në momentin që gjejmë çelësin e zemrës, ne shqiptarët bëjmë mrekullira. Me 'Maddem Butterfly' njerëzit erdhën të shihnin diçka të vërtetë që vinte nga ky bashkim. Faleminderit, pa ju nuk do të mund ta kisha bërë këtë gjë'', u shpreh Ermonela Jaho.

Pas shtatë vjetësh, soprano me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho është rikthyer këto ditë në skenën shqiptare me "Madam Butterfly" në Teatrin e Operas dhe Baletit. Soprano shqiptare ka interpretuar dhe vazhdon të shënojë në kalendarin e saj artistik skenat më të njohura operistike si Opera Mbretërore e Londrës, Teatri i Scala-s të Milanos, Opera Metropolitan e New York-ut, etj.KultPlus

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat