Kujtime nga e shkuara

Kultura

Kujtime nga e shkuara

Nga: Sokol Demaku Më: 26 shtator 2023 Në ora: 18:27
Sokol Demaku

Në kujtim të 25 vjetorit të Masakrës së Abrisë nga forcat paramilitare

çetnike serbe ndaj popullatës së pfajshme shqiptare

Pjesë nga Romani “Një dimër i çuditshëm” i Sokol Demakut botua në gjuhën suedeze dhe tani edhe në gjuhën shqipe, përkthyer nga autori

Kujtime nga e shkuara

Ishte një vit i pazakontë. Shumë fqinjë të vrarë, fshatra të shkatërruara.Të gjithë shpresonin se do të përfundonte së shpejti. Por nuk kujtuam atë që ndodhi në Bosnjë e Hercegovinë disa vite më parë dhe për këtë ishim skeptikë.

Nëna ime më kishte thënë se në Abri, para se të iknin në mal, kishte ndodhur diçka e tmerrshme. Një familje e tërë kishte humbur jetën. Ishte masakra më e rëndë e policisë serbe në fshat. Ata vranë fqinjët tanë. Ata ishin midis dy dhe nëntëdhjetë vjeç.

Kur më tregoi nëna ime, m'u kujtua se mësuesi im i shkollës fillore i përkiste familjes së vrarë, familjes që policia e vrau pa asnjë arsye, përveç se ishin shqiptarë të një fshati që i rezistonte qeverisë serbe.

Mami më tha se familja ishte përpjekur të fshihej në pyll, por policia kishte gjetur vendin ku ata ishin fshehur dhe i vrau të gjithë menjëherë. Ajo mendonte se ishte dikush që e dinte se ku familja ishte fshehur dhe zbuloi vendin e fshehjes. Ndoshta, ishte dikush, ndoshta ishte dikush…

Kam qarë shumë për ta.

U dëshpërova dhe u ndejva keq kur dëgjoja histori të tilla, dhe në këto kohë të errëta kishte shumë. Nuk ishte vetëm ajo që kishte ndodhur me atë familje, kishte ndodhur më parë me një familje nga Likoshani. Dhe pastaj aty kishim Abrinë, Isbicën, Reçakun dhe Prekazin, si dhe shumë vende të tjera ku policët dhe ushtarët serbë kishin vrarë shqiptarë të pafajshëm, vetëm pse ishin shqiptarë dhe kishin rezistuar gjatë luftës.

Policia serbe donte të hakmerrej për humbjet ndaj popullit shqiptar, i cili bëri një qëndresë të madhe për të mbrojtur fshatrat dhe bashkatdhetarët e tyre nga falangat serbe.

Ishte një dimër i pazakontë për banorët dhe ne që jetonim në Kosovë. Kishte kaq shumë biseda diplomatike dhe vizita diplomatike, por për ne, për njerëzit e thjeshtë gjendja u përkeqësua edhe më tepër.

Pranvera ishte e vrenjtur dhe vjeshta e përgjakshme.

Duhej ditur këtë se kur të çmendurit sundojnë një vend kjo mund të ndodhë dhe askush nuk mund të ndihmonte t'i jepte fund ferrit që ata planifikonin t'u bënin fëmijëve, grave dhe pleqve të pafajshëm. Kjo mund të shihej, se si situata sillej nëpër botë. Të çmendurit ishin zgjuar dhe po shëtisnin nëpër botë si fantazma.

Kishte njerëz që përjetuan trauma për shkak të të pasurve të botës që besonin se kishin pushtet mbi jetën e njerëzve. Ata mendonin se po vepronin në mënyrë të arsyeshme, por jeta u bë ferr për njerëzit e zakonshëm. Kjo mund të shihej, mund ta lexohej dhe dëgjohej.

Kur njerëzit ndjenin rrezikun se do të goditeshin nga forcat që kishin për detyrë t'ua përkeqësonin jetën të dobëtve, të pambrojturve, ata përpiqeshin të gjenin një zgjidhje. Por çfarë do të bënin, ku do ta gjenin shpëtimin?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat