Dy vite pas romanit të suksesshëm “Zogjtë e qyqes”, Gani Mehmetaj sjell për lexuesit romanin e radhës me titull “Lufta e pengjeve”

Kultura

Dy vite pas romanit të suksesshëm “Zogjtë e qyqes”, Gani Mehmetaj sjell për lexuesit romanin e radhës me titull “Lufta e pengjeve”

Nga: Gani Mehmetaj Më: 25 shtator 2023 Në ora: 07:13
Gani Mehmetaj

Libri, botim i UET Press, trajton shpërbërjen e Jugosllavisë dhe shpërthimin e luftërave në Ballkan përmes përjetimit të tetë ushtarëve të kombësive të ndryshme, të cilët nën uniformën e ushtrisë jugosllave janë në mëdyshje: të luftojnë apo të dorëzohen. 

Suela Mino, redaktore, tha gjatë promovimit të librit se “Lufta e pengjeve” nuk flet për luftën në detaje, por për njeriun.

“Tetë personazhet ushtarë janë tetë korpuse, universe njerëzore që kanë elemente të përbashkët siç kanë dhe elementë të veçantë, por që në fund kuptojnë thelbin e njeriut me relativizmin dhe përthyerjet që ndodhin, për ta parë tjetrin si mik që të shpëton jetën, si bashkëvuajtës, bashkëfajtor dhe për të mbartur gjithësecili fatin e vetë brenda kontekstit historik që i ka qëlluar t’i përkasë,” – analizoi Mino.

Për Preç Zogajn, i cili drejton Institutin Liberal Pashko, romani “Lufta e pengjeve” është “një roman-dëshmi, i cili mbush një boshllëk në letërsinë shqipe”, e cila sipas Zogajt i detyrohet shumë realitetit të jetës së shqiptarëve të Kosovës për dramën që kanë kaluar.

“Në çdo kapitull të librit, megjithëse nuk ka skena lufte, ka shumë tragjedi, vrasje masive, shpërthime të urrejtjes nga ajo cipa shumëvjeçare e bashkim-vllazërimit, por që na çon te meditimi i trishtë për natyrën njerëzore, sikur do të na vërtetojë se frika më e madhe e njeriut është kur ai ka në dorë tjetrin,” – u shpreh Zogaj.

Mehmetaj nuk zgjedh narrativa komode. Ai nuk flet dhe nuk përshkruan luftën e UÇK-së, por luftën e ushtrisë jugosllave. Me këtë ai ngacmon për të kontribuuar në njohjen e tjetrit, në të shikuarit të luftës përmes syve të tjetrit, i cili duket se është më e lehtë ta kesh armik, se sa ta kuptosh.

Duke folur gjatë promovimit, autori Mehmetaj tha se librin e kishte nisur si një skenar filmi rreth 15-vite më parë, por që për arsye buxheti nuk kishte mundur ta materializonte.

“E kalova njëherë në dramë […] por pastaj e pashë që nuk mjaftonte për të zbërthyer psikologjinë e luftës dhe etnopsikologjinë e kombeve që ishin ushtarët që i përfaqësonin dhe që më pas do të kryenin krime, cila është ngarkesa e tyre. Kjo është një lloj historie pas skenave […] që opinioni t’i kuptojë rrethanat që kemi jetuar,” – vijoi Mehmetaj teksa rrëfeu se për librin e kishte ndihmuar përjetimi i tij i gjendjes së luftës në vitin 1981 kur ishte ushtar.

Mehmetaj thotë se do t’i rikthehet kinemasë me dëshirën për ta kthyer romanin “Lufta e pengjeve” në një film duke iu kushtuar vitin e ardhshëm krahas punës për të sjellë edhe dy romane të tjera.

Shkrimtari Mehmetaj ishte fitues i edicionit të gjashtë të çmimit letrar “Kadare” – dhënë nga Instituti Liberal Pashko – me romanin “Zogjtë e qyqes” (2021), i cili është përkthyer në disa gjuhë dhe së fundmi edhe në frëngjisht. Ai është i njohur si gazetar, kritik arti, publicist, shkrimtar, dramaturg e kineast. Mban autorësi të dhjetëra eseve kritike, studimeve mbi kinematografinë, disa romaneve, dramave dhe tregimeve.

Fillimet e karrierës i ka si kritik arti në gazetën “Rilindja” teksa më vonë është shquar edhe si analist politik, kineast apo dhe si profesor i arteve. Ai ka drejtuar për 15 vite organizatën e prodhimit, distribuimit dhe shfaqjes së filmave Kosovafilm në Prishtinë.

Departamenti i Arteve të Aplikuara në UET synon që në të ardhmen t’i kushtojë Mehmetajt një dokumentar për jetën e tij, si udhëtari i kohëve dhe gjendjeve shqiptare, i cili ka marrë si mision të lërë dëshmi kontraversiale përmes artit dhe letërsisë për kompleksitetin ndëretnik në Kosovë dhe hapësirën ish-jugosllave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat