Intelektuali humanist

Kultura

Intelektuali humanist

Nga: Hejza Art Më: 27 tetor 2022 Në ora: 14:01
Foto ilustrim

Intelektuali humanist udhëhiqet nga vlerat universale! Në botën e intelektualit humanist mund të gjenden disa lloje nga tipologjia e intelektualëve. Në botën e tij mund të gjendet profil intelektuali nacional, por jo shovinist, intelektual kritik, por jo edhe demagog, profil intelektuali revolucionar, por jo përfitues revolucioni apo mediokër, intelektual kombëtar, por jo dhe partiak etj.

Intelektualët humanistë kanë një qasje të veçantë ndaj vlerave kombëtare, sidomos ndaj natyrës, madje ndajnë mendimin se natyra është pasqyrë e kujdesit kombëtar, e atdhedashurisë! Për një intelektual humanist njeriu është qendra e çdo gjëje të gjallë e të vdekur në këtë botë! Në këtë konstatim kapen shumica e intelektualëve për t’ua mohuar intelektualëve humanistë angazhimin e tyre për natyrën, duke nënvizuar se ky lloj intelektuali me njeriun në qendër të botës ia beson të drejtën dhe lirinë edhe për ta shkatërruar natyrën!

Intelektuali humanist është tepër shumë i ndjeshëm ndaj çdo organizimi të njerëzve, sidomos ndaj organizimit si pushtet, i cili, në emër të njerëzimit, shpesh di të veprojë e të shkaktojë dëme të mëdha, padrejtësi të skajshme, anësi të hapët në aspekt të ndarjes së të mirave të përgjithshme. Ndaj dhe një intelektual i këtillë gjithnjë është i gatshëm që të “kacafytet” me pushtetin, ta kritikojë çdo shmangie të pushtetit nga sundimi i ligjit. Çdo vendim i pushtetit që do ta sillte njeriun në situata t’i nënshtrohet padrejtësisë, pabarazisë dhe nënshtrimit, do të hasë në kritikë të ashpër, në kundërshtim e në rrebelim të intelektualit humanist!

I kundërti i intelektualit humanist mund të thuhet se është intelektuali partiak, përkatësisht intelektuali konformist.

Intelektuali humanist angazhohet për ta ruajtur natyrën e njeriut si homos politikus, i cili, sipas filozofit më të ndritshëm kombëtar, Dr. Ukshin Hoti, parakupton edhe homo etnikus-in, dhe kurrë nuk mund të jetë në anën e ideologjisë që homo politikus-in e koncepton si beden të natyrshëm në kullën e pushtetit! Intelektuali humanist ka përkufizim të veçantë për intelektualin, i cili gjithsesi që është person autonom mbi të cilin nuk mund të zhvillohet asnjë lloj interesi parcial.

Intelektuali humanist nuk llogaritet vetëm ai me ndjeshmëri të madhe ndaj njerëzimit, ai që organizon aktivitete humanitare, apo ai që vihet në ballë të shpërndarjes së ndihmave humanitare. Mbi të gjitha, intelektuali humanist ofron edhe ide të qarta, si për njeriun ashtu edhe për pushtetin, ofron zgjidhje fatlume sidomos për njerëzimin.

Intelektuali partiak apo edhe intelektuali konformist, gjithnjë është i stërngarkuar me “ide” e me “zgjidhje” për të mirën dhe mirëqenien e pushtetit, përkatësisht të të mirave materiale që sigurojnë ekzistencë për komunitetin partiak, për pushtetin, apo për oligarkët që si hiena zhvasin pushtetin, popullin, atdheun!

Intelektuali partiako-konformist nuk ka para, ka pushtet, ka të mira të llojllojshme dhe nuk ka ide! Ky tip intelektuali gjason në ata intelektualë të shumtë që angazhohen nëpër panele e debate të paguara e të stisura televizive tek nxjerrin shkumë për ta bindur popullin për ta pranuar një ide të huaj si të mirë të popullit. Pra, angazhohen për popullin me ide të huaja, sepse ide të veta nuk kanë, sepse nuk u ha palla për popull, sepse angazhohen për një interes parcial, që mund të jetë dëm i parikuperueshëm për popullin. Le të nënshtrohet populli, le të bien qeveritë, sepse për intelektualin partiako-konformist, si për mizën e kalit, nuk është i rëndësishëm kali, por fund-bishti i kalit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat