Mbi kontributin shkencor të gjuhëtarëve - ikona të gjuhësisë shqiptare

Kultura

Mbi kontributin shkencor të gjuhëtarëve - ikona të gjuhësisë shqiptare

Nga: Prof. Dr. Faik Shkodra Më: 18 shtator 2022 Në ora: 10:48
Autori prof. Dr. Faik Shkodra

Vepra shkencore “Shqipja në synorin e studiuesve tanë”, e prof. dr. Bahtijar Kryeziut është e rëndësishme dhe e vlefshme në shumë rrafshe për çdo shqiptar, në përgjithësi, ndërsa për studiuesit e shqipes, studentët e albanologjisë e mësimdhënësit e gjuhës shqipe, në veçanti.

Nga punimet e përmbledhura në këtë vepër, autorin e së cilës e lexoj me interesim një kohë të gjatë, di për punën pedagogjike me studentë e për krijimtarinë shkencore, për profilin, përgatitjen dhe ndjeshmërinë e thellë për fushën e gjuhësisë dhe për studimin e gjuhës shqipe, në veçanti. Autori i librit ka dëshmuar se ka përgatitje për t’u marrë me kompetencë me studimin e problemeve e të çështjeve të rëndësishme, që lidhen me gjuhën dhe historinë e saj. Përmes veprave të botuara deri më tani, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka dëshmuar aftësitë, zotësinë dhe prirjen për t’u marrë me trajtimin, analizën dhe arritjet shkencore të gjuhëtarëve të shquar, të cilët, me kontributet e dëshmuara, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në disiplinat shkencore të albanologjisë, në veçanti, e të ballkanistikës, në përgjithësi. Janë këto vlerësime që flasin mbi gjurmët e pashlyeshme të gjuhëtarëve më të spikatur në disiplinat shkencore të albanologjisë, të cilët kanë dhënë ndihmesa të rëndësishme, që rrezatojnë vlera të çmueshme e përherë të kohshme për brezat e sotëm e të nesërm. Profesor Bahtijar Kryeziu, krahas punës me studentë, si profesor i gjuhës dhe kulturës së gjuhës, nuk është pajtuar të jetë vetëm profesor, vetëm mësimdhënës dhe ligjërues i disiplinave gjuhësore, por, duke qenë studiues i pasionuar në vijimësi, është marrë me shkrime që objekt trajtimi kanë çështjet e problemet që lidhen me gjuhën e për gjuhën, si një prej komponentëve më qenësorë të identitetit kombëtar – identitetit që shënon në përmasa të gjera njëmendësinë e kulturës, traditës dhe qenies sonë etnike.

Image
Prof.Dr.Bahtijar Kryeziu, autor i librit “Shqipja në synorin e studiuesve tanë”

Analiza e vlerësime të qëndrueshme shkencore

Në veprën e sipërthënë, autori, përmes trajtesave, studimeve, recensioneve e vështrimeve analitike – sintetike, përmes veprave e shembujve konkretë, ka dëshmuar për punën përkushtuese e të lodhshme, fisnike e të jashtëzakonshme të studiuesve më të shquar të fushës e të dijës së gjuhës shqipe. Gjuhëtarët që janë marrë për trajtim në këtë vepër, njëkohësisht janë ikona të gjuhësisë e kulturës shqiptare, si: Prof. Eqrem Çabej, Prof. Idriz Ajeti, Folkloristi i njohur për punën e madhe edhe në çështjet gjuhësore të shqipes – Thimi Mitko, Intelektualët e studiuesit e zellshëm të çështjeve gjuhësore të shqipes, si: Riza, Xhovani, Kostallari, Demiri, Domi, Topalli, Lloshi, Lafe, Thomaj, Gjovalin Shkurtaj, Qemal Murati, Shefkije Islamaj, Rexhep Doçi e ndonjë tjetër, më pak ose aspak për t’u zënë ngoje emri. Kontributet e autorëve që Bahtijar Kryeziu i ka marrë në trajtim janë të veçanta e të rëndësishme në shumë aspekte dhe këto vlera të punës krijuese shkencore të këtyre autorëve autori i ka studiuar me metodologji dhe me kritere shkencore bashkëkohore. Gjatë gjithë trajtimit të veprave të tyre, ai sjell analiza, gjykime, vlerësime dhe përfundime të qëndrueshme shkencore. Sipas veprave, punës së lodhshme që këta gjuhëtarë kanë bërë gjatë gjithë jetës, duke i shtuar vlerën e rëndësinë gjuhës shqipe në shumë rrafshe shkencore, siç do të shpreheshin poetët me metafora, arritën që gur pas guri e mur pas muri të ngrinin godinën e tempullit dritëdhënës për gjuhën tonë të bukur, të veçantë e gjithmonë të dashur, jo vetëm për shqiptarët por edhe për studiuesit e huaj, disa prej të cilëve, mjerisht, sidomos sllavët, grekët e bullgarët, si fqinjësorë, përmes veprave të shkruara në frymën e politikës shoviniste, kishin bërë aq masakra në shpërfaqjen e mendimeve absurde për shqipen dhe shqiptarët, duke sjellë teza e hipoteza të paqëndrueshme, që, sipas kritereve më të buta shkencore, do të mund të quheshin qesharake dhe tragjikomike. Në veprat e studiuesve sllavë, bullgarë, grekë e ndonjë dashakeqësi tjetër të huaj, gjuhëtarët shqiptarë për të cilët shkruan prof. Bahtijari kanë bërë beteja të pa kompromis ndaj gjykimeve, vlerësimeve e krahasimeve qëllimkëqija, bërë letërsisë, folklorit, etnografisë, leksikologjisë, dialekto­logjisë, toponimisë, onomastikës, antroponimisë, patroni­misë e zhvillimit të gjuhës shqipe në rrjedha të kohëve dhe, mbështetur në paragjykimet dhe logjikën, të themi, primitive, veprat e shkruara rreth gjuhës shqipe, herë më hapur e herë tërthorazi, i kanë vënë në funksion të politikës ditore, duke zgjuar kështu ndjenjën e urrejtjes shoviniste të historisë së gjuhës, kulturës dhe vlerave të traditës sonë kombëtare. Mirëpo, gjykimeve e preten­dimeve të tilla të shovinistëve sllavë, grekë e bullgarë, mendimeve reaksionare, destruktive e prediki­meve të pikëpamjeve e përfundimeve përplot me të pavërteta e të stërngarkuara me ide të kinse epërsisë së gjuhëve sllave mbi vjetërsinë e shqipes e të popullit shqiptar, u kundërvihen me argumente e të dhëna të bollshme shkencore studiuesit shqiptarë të disiplinave të albanolo­gjisë nga shumë rrafshe. Qëllimi kryesor i pseudo­shkencëtarëve sllavë ka qenë që, përmes disiplinave gjuhësore, shqiptarët t’i paraqesin si ardhacakë në trojet e Ballkanit dhe, përmes formave e mënyrave më çnjerëzore, duke i shërbyer politikës e jo së vërtetës shkencore, t’i asimilojnë ata. Studiuesit e gjuhës shqipe, për të cilët shkruan prof. Bahtijar Kryeziu, kryesisht janë treguar të matur edhe kur u kundërvihen tezave e paragjykimeve të pseudoshkencëtarëve sllavë, paragjy­kime të stërmbushura me ide destruktive, ide që u vijnë nga urrejtja dhe jo nga të vërtetat e zhvillimit të gjuhës shqipe. Në të gjitha vlerësimet, analizat e përfundimet mbi gjuhën dhe historinë e zhvillimit të saj, shkencëtarët shqiptarë i paraqesin në dritën e idealeve të vërteta shkencore e historike, duke sjellë argumente e materiale konkrete e duke i përligjur konstatimet me ide e koncepte të qëndrueshme shkencore, duke manifestuar kështu vetëdijen e moralin e njëmendtë shkencor. Studiuesit shqiptarë të gjuhës shqipe, përmes shembujve konkretë, duke shfrytëzuar llojet e krijimtarisë gojore, pra, folkloristikën, arrijnë jo vetëm t’i demantojnë preten­dimet e pseudoshkencëtarëve sllavë lidhur me problemet e disiplinave gjuhësore të shqipes, por arrijnë ta rikonstruktojnë fatin dhe historinë e popullit. Ky mision e ky interesim për gjuhën dhe rreth gjuhës, do t’i përfshijë edhe shkrimtarët e të gjitha periudhave që nga Rilindja e deri në ditët e sotme.

Për t’i dhënë frymë kombëtare gjuhës shqipe, si studiuesit e mirëfilltë të saj, si krijuesit e veprave letrare, kanë shfrytëzuar trajtat e të folmeve të caktuara, kanë marrë parasysh llojet e pasura të folklorit dhe kanë përqendruar vëmendjen në studimet mbi gjuhën dhe etnopsikologjinë e shqiptarëve, mentalitetin, doket, zakonet, traditat. Po këtë interesim e kanë shfaqur disa udhëtarë, misionarë, që udhëtojnë e vizitojnë vendbanime të populluara kryesisht nga shqiptarë fisesh të ndryshme. Gjatë këtyre udhëtimeve nëpër viset etnike shqiptare, jo vetëm brenda Shqipërisë por edhe në kolonitë e ndryshme, si tek arbëreshët e Italisë, arbneshët e Zarës, çamët e Çamërisë ashtu edhe në vendbanimet e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, – misionarët e huaj kanë arritur të shënojnë ndonjë lloj të folklorit për t’ia bërë të njohur popullit të vet. Prof. Bahtijar Kryeziu në veprën “Shqipja në synorin e studiuesve tanë” ka sjellë shembuj konkretë mbi studimin bërë folklorit, në kuadër të tij edhe gjuhës, qoftë nga radhët e studiuesve shqiptarë, qoftë nga të huajt, të cilët kanë folur e kanë shkruar edhe për cilësitë etnopsi­kologjike dhe veçoritë gjuhësore të shqiptarëve. Për kohën kur kanë vepruar këta misionarë, pikëpamjet e vlerësimet e të huajve në këtë drejtim kanë qenë kontribut i mirë për njohjen më reale të shqiptarëve. Sidomos, sipas konstatimeve që nxjerr prof. Bahtijari, nga gjysma e shekullit XIX dhe gjatë tërë shekulli XX, interesimet shkencore për gjuhën dhe problemet e shqipes jo vetëm zgjerohen por tezat e shfaqura për këtë a atë çështje gjuhësore të shqipes përpiqen t’i argu­mentojnë dhe pikërisht në këtë kohë merr hov zhvillimi i linguistikës komparative, përmes së cilës edhe rishikohen shumë teza, që ishin shfaqur pa argumente gjuhësore e kundër ligjësive të zhvillimit të shqipes.

Thimi Mitko e Skënder Riza - dy larghedhës në fushë të gjuhësisë

Kontribut të rëndësishëm për gjuhën shqipe dhe fjalën e saj ka dhënë Thimi Mitko, që me botëkuptimet dhe punën e çmueshme, jo vetëm dëshmohet si iluminist e arsimues i shqiptarëve, por bëhet prijës në shumë procese të reja, duke lartësuar traditat dhe veçoritë etnike të shqiptarëve. Puna e pandalshme e Mitkos, Kristoforidhit, De Radës, Jubanit, Dines, Gavril Darës, Kamardës, Dora D’Istrias, Samiut dhe disa figurave nga radhët e të huajve, të cilët, duke ngritur folklorin deri në kult, sikur e dëshmonin tezën shkencore se vetëm përmes gjuhës e folklorit çdokush mund ta njohë shpirtin e popullit shqiptar, gjuhën e tij, mentalitetin dhe etnopsikologjinë e tij. Mitkoja, duke zhvilluar një luftë të ashpër kundër disa pseudoshkencëtarëve të huaj, sidomos grekë e sllavë, sikur bëhet model edhe për poetët e Rilindjes, të cilët, siç dihet, ishin më tepër bij fshatarësh, ku kishte lindur dhe zhvilluar letërsia popullore, prej së cilës me mjeshtëri e kënaqësi i shkruanin veprat me një gjuhë popullore, të pasur e të qartë. Ngjashëm me poetët, edhe gjuhëtarët duke qenë bij të lindur në mjedise ku është kultivuar letërsia popullore, me punë të zellshme i kanë marrë fjalët e vjetra, me të cilat kanë arritur t’i nxjerrin shqiptarët, përmes gjuhës, traditave, zakoneve e territoreve, të fisit të vjetër pellazg. Në vështrimin bërë rilindësit - Thimi Mtikos, me rastin e 125-vjetorit të vdekjes, në konferencën shkencore ndërkombëtare, organizuar nga Universiteti “Fan Noli” i Korçës, prof. Bahtijari ka sjellë vlerësime, gjykime e analiza të rëndësishme për veprimtarinë e pasur të Mitkos, i cili u tregua larghedhës me ide dhe pikëpamje, duke dëshmuar me fisnikërinë më të madhe, dashurinë e zjarrtë ndaj gjuhës dhe fjalës shqipe. Në këtë aspekt, Mitkoja, me sakrifica të shumta, zhvilloi një veprimtari të gjerë për traditat, kulturën, gjuhën shqipe dhe dallgët e jetës së shqiptarëve, ndaj të cilëve sllavët, grekët e armiqtë e tjerë zhvillonin veprimtarinë destruktive e shoviniste, duke u pamundësuar shkollimin e arsimimin në gjuhën amtare. Të gjitha pikëpamjet paravajtëse për çështjet më të mprehta që lidhen me gjuhën, kulturën e traditat e shqiptarëve, Mitkoja i shpërfaqi në kryeveprën “Bleta shqiptare”, me të cilën, siç vlerëson autori, u bë i dashur, i respektuar dhe i ndritur si atdhetar i rrallë nga studiuesit e fushave të albanologjisë. Personalitetin e Mitkos, para së gjithash, të veçantë e bënin virtytet e cilësitë e një studiuesi të devotshëm, duke mbetur shembull unik në mbrojtjen e gjuhës, kulturës e traditave të kombit shqiptar.

Në trajtesën “Mendimi i Selman Rizës për kulturën e gjuhës shqipe”, prof. Bahtijar Kryeziu bën fjalë për kontributin e Rizës në fushën e gjuhës shqipe, duke e paraqitur në dritën e studiuesit të denjë, i cili në shpërfaqjen e mendimeve, ideve, pikëpamjeve dhe shqyrtimeve për gjuhën dhe zhvillimin e saj nëpër rrjedhë të kohës, jo vetëm që dëshmoi prirje dhe aftësi të mira, por në gjuhësinë shqiptare do të njihet si studiues i përkushtimeve të mëdha. Përmes studimeve e metodave të përzgjedhura, Selman Riza arrin që çështjet e gjuhës shqipe t’i ndriçojë me kompetencë dhe, falë zgjuarsisë, kulturës së gjerë, nervit të spikatur të studiuesit të zellshëm, nxjerr konstatime e gjykime të shëndosha dhe të qëndrueshme në aspektin shkencor. Sipas Rizës, gjuha shqipe ka traditën e zhvillimit të vet që nga lashtësia. Pohimet e Rizës për çështjet gjuhësore janë të rëndësishme dhe tezat e përfundimit që nxjerr flasin për individualitetin e studiuesit të spikatur, studiuesit që veçanësohet nga studiues të tjerë të gjuhës shqipe, sepse në studimet e tij zotëron talenti me të cilin hedh dritë mbi shkrimet e hershme të gjuhës shqipe, mbi çështjet e pandriçuara të morfologjisë historike dhe mbi problemet e kulturës sonë gjuhësore, duke përqendruar vëmendjen në qartësinë, saktësinë, shprehjen dhe efektet e fjalës si kërkesa të domosdoshme për çdo folës të gjuhës shqipe. Prandaj, duke marrë parasysh gjithë mundin e kontributin që Riza dha për gjuhën dhe kulturën gjuhësore, për standardin e gjuhës dhe për disa probleme të veçanta të gjuhës, duke marrë parasysh veprimtarinë e pasur në disa fusha në të cilat la gjurmë të pashlyeshme, duke u bërë shëmbëlltyrë frymëzimi për brezat e rinj, që do të merren me studime gjuhësore të shqipes, vlerësimin më kuptimplotë për personalitetin e tij e ka dhënë Ali Dhrimo, të cilin e përmend edhe prof. Bahtijari, kur thotë: “Selman Riza është pa mëdyshje një nga mendjet më të mprehta të shekullit XX në mbarë botën shqiptare. Ai bashkon në veprën e vet forcën e argumentin me logjikën e hekurt dhe kritikën e rreptë shkencore, guximin shkencor me vetëmohimin për kombin me objektivitetin e së vërtetës”.

Kur të kihet parasysh puna e vyer e Selman Rizës në fushën e studimit të gjuhës shqipe, atëherë vlerësojmë se fjala është për një përfaqësues të shquar të gjuhësisë shqiptare e për një shkencëtar me aftësi kulmore në studimin e çështjeve e problemeve të gjuhës e historisë së zhvillimit të saj. Ai, duke shfaqur mendime e gjykime të rëndësishme, gjykime që trajtojnë në gjerësi e thellësi gjuhën dhe fjalën e bukur të shqipes, bëhet i çmueshëm për studiuesit e disiplinave albanologjike. Themi kështu, sepse në studimet e tij spikasin mendime të caktuara, që vijnë nga formimi i tij intelektual, mendime që i mbështet në fakte e shembuj konkretë rreth gjuhës e problemeve që i bën objekt studimi. Në gjithë punën shkencore të Rizës, vërshojnë mendime e gjykime me ndjenja të sinqerta mbi problemet e gjuhës ndaj të cilave mban qëndrim të prerë, që jo rrallë u kundërvihet disa vlerësimeve e tezave të studiuesve nga radhët e shqiptarëve dhe studiuesve të huaj.

Çabej - shkencëtari që i kapërceu kufijtë e atdheut

Në punimin e shkruar me përkushtim të lartë: “Prof. Çabej dhe standardi i shqipes” (Me rastin e 100-vjetorit të lindjes) prof. Bahtijar Kryeziu, si njohës i personalitetit të Çabejt dhe kontributet e tij të mëdha dhënë në fusha të albanologjisë, me të dhëna të bollshme shkencore e shembuj të shumtë na sjell, do të thoshim, na e ngjall sërish portretin e Eqrem Çabejt, botën e madhe mendore, ndjenjat e zjarrta kombëtare të këtij korifeu të gjuhës dhe kulturës shqipe, të cilat i ndërlidh si mishin me kockat, me gjuhën, traditat, folklorin dhe historinë e popullit shqiptar. Me veprat e botuara, Çabej jo vetëm i siguroi vetes pavdekësinë, por i kapërceu kufijtë e atdheut. Ai krijoi vlera të mëdha gjuhësore, kulturore e historike, vlera që flasin për një studiues të përmasave evropiane, studiues vitet e jetës së të cilit ishin të mbushura me ngarkesa, preokupime, lodhje të ndritshme – ishin vite të punës me rezultate e suksese, që sollën shumëçka të re në sofrën e gjuhësisë shqiptare, duke mbetur, sipas mendimit tonë, studiuesi më i mirë dhe ndër emrat më të mëdhenj të gjuhësisë shqipe. Çabej qe studiues i thellë dhe, duke qenë personalitet poliedrik e enciklopedik, ai i krijoi shqipes një histori me baza të forta, duke u bërë kështu model i papërsëritshëm në fushën e studimeve të disiplinave të albanologjisë dhe ballkanologjisë. Ai, me përkushtim të lartë dhe me ideale më fisnike, tërë jetën e vuri në shërbim të gjuhës e të kulturës shqiptare. Çabej, para së gjithash, ishte idealist i madh i çështjeve kombëtare dhe në realizimin e këtyre idealeve shkrihej si qiriu i Naimit. Duke marrë parasysh kulturën e dijen e tij të gjerë e të pasur, erudicionin dhe veprat me frymë të thellë kombëtare e shkencore, studiuesit e sotëm e të nesërm të gjuhës e kulturës së saj, do të përkulen me respekt e ndjenjë nderimi. Prof. Eqrem Çabej mbetet ndër studiuesit më të thellë të problemeve, temave e dukurive, që u përkasin fushave të letërsisë, folklorit, etnografisë, leksikografisë, leksikologjisë, dialektologjisë e historisë së gjuhës shqipe nëpër kapërcej shekujsh, veçanërisht etimologjisë së fjalëve. Duke qenë i jashtëzakonshëm, ai do të mbetet një promete i gjuhës e i kulturës shqipe. Kadare, në parathënien e librit për Eqrem Çabejn, shkruar nga Shaban Demiraj, me plot të drejtë thekson: "Kur arrijmë të kapim tërësisht përmasat e veprës së Eqrem Çabejt, vlerësimi ynë për të fiton një ndërgjegjësim të ri e bashkë me të mirënjohja jonë dhe ndoshta ndjesa jonë që nuk arritëm më parë të bënim diçka më shumë për të. Është një peng që shoqëron shpesh njerëzit e mëdhenj, sepse madhështia e vërtetë, me kalimin e viteve spikat edhe më fort në po atë masë që rremja shuhet. Veprën madhore të tij e bëjnë edhe më domethënëse e të rëndësishme në aspektin e interesimeve, studimet mbi standardin e shqipes."

Pikërisht këtë interesim rreth standardit të gjuhës shqipe e ka bërë objekt trajtimi prof. Bahtijar Kryeziu, i cili, me njohuri e zotësi të thella, ka arritur t’i hetojë e t’ua bëjë të njohura studiuesve të gjuhës shqipe qëndrimin dhe fuqinë mendore të Çabejt edhe për standardin e gjuhës letrare. Duke i shprehur meritat e rezultatet e arritura të Çabejt në trajtimin e problemeve të shumta, që lidhen me gjuhën e njësuar letrare, autori në mënyrën më të mirëfilltë sikur bëhet bashkëmendimtar i akademik Rexhep Qosjes, i cili, duke shkruar mbi punën e çmueshme të Çabejt për gjuhën letrare, përveç të tjerash, thekson: “Marrja me çështje themeltare të zhvillimit të gjuhës shqipe do ta bëjë Eqrem Çabejn mbrojtës të përkushtuar të idesë së gjuhës së përbashkët letrare. Po arsyet që e bëjnë mbrojtës të kësaj ideje nuk janë vetëm shkencore: Ato janë njëkohësisht edhe politike, kulturore e kombëtare”.

Në frymën e këtyre pikëpamjeve, në tërë punimin pёr Çabejn – prof. Bahtijari e fuqizon shkallën e dijes, aftësive të Çabejt, në një anë, dhe shpreh disa shqetësime konkrete, që viteve të fundit po i shkaktojnë përpjekjet dhe idetë e disa gjuhëtarëve minorë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, të cilët, pa e vrarë mendjen dhe ndërgjegjen, janë shndërruar në kundërshtarë të gjuhës së njësuar letrare. Këtyre antistandardistëve Çabej sikur ua mbyll gojën kur thotë: “Një popull, siç ndërron në rrymë të kohëve, zhvillon dhe pasuron edhe gjuhën që flet.” Valles kundër gjuhës së përbashkët letrare në Kosovë po i prin njëfarë Rexhep Ismajli, me disa shokë të tij të pamerituar nga asnjë aspekt. Çabej mbetet studiues e dijetar i rrallë i disiplinave shkencore të gjuhës shqipe edhe për çështje të prekshme të temave në fushën e letërsisë gojore dhe të shkruar. Çabej mbetet shembull i shkencëtarit të ndritur. Këtë e ka dëshmuar në të gjitha trajtesat bërë këtyre dy formacioneve letrare dhe krijuesve të veprave artistike. Mjafton të përmendim studimin e Çabejt për De Radën e Naimin, si dy krijues të mëdhenj të romantizmit, për të cilët thekson se De Radën e Naimin nuk duhet t’i marrim vetëm si apogjej të rrallë, intelektualë e atdhetarë të mëdhenj, por mbi të gjitha duhen parë e vlerësuar si artistë, si figura me një mendjeshkathtësi, e cila u dëshmua në shumë drejtime e fusha të dijes, të artit e të krijimtarisë artistike, në veçanti. Veprimtaria shkencore prej dijetari, me kulturë e përgatitje të përmasave gjeniale për gjuhën dhe letërsinë, e kanë bërë Eqrem Çabejn studiuesin e jetëshkrimit më të spikatur të fjalës e të gjuhës shqipe, duke hetuar, siç thotë Qosja: "Rritën e tyre, pleqërinë e tyre dhe fundin e tyre – natyrisht atyre që kanë vdekur. Ai i heton kuptimet e tyre, shtegtimet e tyre nëpër vise të ndryshme e në kohë të ndryshme. Ai heton shndërrimet e tyre fonetike, morfologjike dhe simbolike... Ai i heton në trajtat e tyre të kryehershme e të mëvonshme." Çabej është i madhërishëm, ashtu siç e vlerëson prof. Bahtjari, studiues i veçantë i standardit të gjuhës letrare. Si studiues e historian i gjuhës shqipe, së cilës ia kushtoi gjithë jetës, Çabej tregoi aftësi e dije të madhe edhe në vlerësimin e gjykimin e figurave të shquara në fushën e krijimtarisë artistike, për të cilët sjell mendime të rëndësishme shkencore. Ai ishte lucid dhe njohës i vërtetë e i thellë i kontributeve të disa krijuesve të letërsisë së vjetër dhe asaj të Rilindjes në përdorimin e fjalëve burimore të shqipes. Këtë aftësi marramendëse të Çabejt dhe botën e madhe shpirtërore, mendore e shkencore, lexuesit më së miri do ta kuptojnë nga fjalët e thëna në shkrimin “Fan Noli ynë”, me rastin e ndarjes së poetit nga jeta. “Ai nuk është poet i lartësive eterike, por është shkrimtar i plisit të dheut. Është një antenë e literaturës sonë që i merr fuqitë prej mëmës tokë, ai ka të veten diçka demonike, e cila mbase është vetia e parë e njeriut krijonjës, cilësia e mirëfilltë efuror, poetikus, e marrëzisë së poetit të vërtetë. Në fushën e kësaj literature, ai nuk është një fillbar që sot bleron e nesër thahet, ai nuk është as lule që sot shkëlqen e nesër vyshket”. (Eqrem Çabej, Fan Noli, Ka diçka demonike, Tiranë, Nëntori, nr. 4, 1965).

Për prof. Çabejn dhe kontributin e tij për gjuhësinë shqiptare, vlen konstatimi i shprehur nga Ernesto Sabato, kur thotë: “Gjuha e jetës është konkrete, është e gjerë dhe në të është ndjenja, gëzimi, dashuria. Forca e saj na mban aq fort të lidhur me dëshirën për të shkruar, për të treguar për tokën tonë, njeriun, shpirtin dhe ëndrrat e bukura të tij. Për dashuritë e mëdha të jetës që ecën”.

Këto vlera që mbart gjuha shqipe e kanë ushqyer prof. Eqrem Çabejn dhe vlerat e saj e kanë frymëzuar që të merret me problemet dhe historinë e saj, duke manifestuar e duke shprehur dashurinë përmes studimeve mbi gjuhën dhe rëndësinë e saj për kombin shqiptar. Çabej i dha shumë gjuhësisë shqiptare dhe me sukseset e arritura ai u bë shkollë e vërtetë për studiuesit e sotëm e të nesërm.

Idriz Ajeti - Rrapi shekullor i shkencës së gjuhësisë

Prof. dr. Bahtijar Kryeziu në veprën “Shqipja në synorin e studiuesve tanë” vjen me pesë shkrime për kontributin e prof. Idriz Ajetit në fusha të ndryshme të gjuhës e letërsisë shqiptare. Në këto trajtesa e vështrime, profesor Bahtijari nënvizon me kompetencë shkencore ndihmesën e madhe të Ajetit në fushën e shqipes së përbashkët letrare, në fushën e onomastikës, historisë së gjuhës, dialektologjisë, etimologjisë, ballkanistikës dhe puqjen e gjuhës shqipe me gjuhët e fqinjësorëve. Në të gjitha punimet, Bahtijari ka sjellë me prirje vështrime analitike-sintetike dhe si të tilla ato paraqesin profilin e lartë të profesor Idrizit, si studiues i disiplinave të albanologjisë me përmasa të mëdha të albanologëve më të zëshëm, studiues që, me punën kërkimore e shkencore, dëshmoi suksese e rezultate të reja, rezultate që flasin mbi përpjekjet e profesorit që të mos mbetet në rutinën përsëritëse.

Prof. Idrizi, duke ruajtur thjeshtësinë dhe qetësinë e studiuesit me prirje shkencore dhe duke u rritur me merakun për gjuhën shqipe, arriti që nga mendja e kthjellët të nxjerrë në dritë një varg veprash shkencore, duke ngritur më lart gjuhën shqipe, së cilës, falë dijes dhe zotërimit të disiplinave shkencore albanologjike, i frymëzuar nga vlera dhe rëndësia e saj, me ndjenja të larta të dashurisë ndaj zhvillimit të saj gjatë rrjedhave historike, arriti që, përmes studimeve t’i japë dritë e forcë kësaj gjuhe duke dëshmuar kështu aftësitë dhe shkathtësitë e studiuesit me diapazon të gjerë. Prof. Bahtijar Kryeziu, nëpërmjet trajtesave e vështrimeve, shkruar mbi kontributin e madh të Idriz Ajetit për gjuhën dhe disiplinat e saj shkencore, në mënyrë kronologjike ka paraqitur meritat e veçanta të profesorit për zhvillimin e pasurimin e gjuhës standarde shqipe dhe kulturës gjuhësore nëpër të gjitha hapësirat shqiptare. Duke qenë i pajisur me dije të bollshme nga fushat e albanologjisë dhe duke qenë i rreptë në mbrojtjen e të vërtetave shkencore për çështjet dhe problemet gjuhësore, “Ai me dijet e tij të konsoliduara linguistike, si rrallëkush tjetër u qëndroi ballësorisht furtunave kundër gjuhës sonë letrare, njëherë që vinin nga armiqtë e jashtëm e pastaj edhe nga plëngprishësit e brendshëm, rrotull nesh dhe prandaj ky njeri sot është ikona e gjuhës shqipe dhe gjuhësisë shqipe në Kosovë e më tej, të cilit i peshon rëndë fjala e mendimit” (Prof. dr. Qemal Murati).

Prof. Bahtijar Kryeziu, duke trajtuar në shumë anë figurën e prof. Idriz Ajetit, duke u ndalur kryesisht në rëndësinë e kontributeve në shkencat albanologjike, krijon tek lexuesi ide të qarta për fizionominë e këtij mendimtari të madh, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në disiplinat albanologjike, por edhe si pedagog më i vjetër i Universitetit – “ua ka zgjuar dashurinë për studimet e gjuhës, të letërsisë, të folklorit, të historisë së popullit tonë... duke qenë pedagogu i parë në Universitet të Beogradit, pedagogu i parë i gjuhës shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ai ishte udhëheqës i suksesshëm i magjistraturave dhe doktoratave të para të gjuhës dhe letërsisë shqipe ndër ne” – vlerëson akademik Rexhep Qosja.

Për meritat e shumta dhe për veprimtarinë e madhe shkencore, me të drejtë prof. Bahtijari personalitetin e tij e stolis me epitete më të zgjedhura, me epitete që flakërojnë figurën madhështore të Ajetit, duke e quajtur: “Doajeni e klasiku i fundit i shkencave albanologjike, babaxhan i shkencave albanologjike, përmendore e gjallë e fisnikërisë së shpirtit, burrërisë dhe mençurisë së kombit shqiptar, patriark e klasik i albanistikës e ballkanistikës, bard i gjuhës shqipe, prijatar në shumë fusha e nisma të albanologjisë, korife i gjuhësisë shqiptare, prijatar në njësimin e gjuhës shqipe, model i veçantë se si duhet shkruar shqipja standarde apo shqipja shqip, lis i madh, studiues fjalëpakë e punë shumë, arushan e nestor dhe së fundmi, nga admirimi dhe nderimi që kishte Bahtijari për Profesor Ajetin, e shkroi librin me titull “Rrapi shekullor – Akademik Idriz Ajeti”, bashkë me Begzad Baliun.

Me këtë rast vlen të thuhet se gjatë marrjes së pëlqimit për botimin e veprës “Rrapi shekullor...”, Profesor Ajeti, me parandjenja që lidhen me moshën, në mënyrë më të sinqertë u thotë: “Shpejtoni së shkruari librin, se nuk i dihet kësaj pune”. Mendjen e ka pasur te vdekja, sepse kishte kapërcyer 100-vjetorin e jetës. Koha kur lindi e jetoi Profesor Idriz Ajeti ishte kohë e moteve me furtuna, të cilat dinjitetshëm i përballoi, duke mbetur përherë vetvetja. Siç del nga tekstet e prof. Bahtijar Kryeziut, formati i Profesorit dhe veprimtaria shkencore e tij, me vlerat e pamatshme që ngërthen ajo për gjuhësinë shqiptare, nuk përcaktohet brenda kësaj ose asaj disipline shkencore, me të cilat u mor Ajeti, por vlerat e tij vijnë duke rrezatuar dije e kulturë gjuhësore nga kërkimet për pse-në e çështjeve e të problemeve të gjuhës, të cilat, sipas Profesor Ajetit, kërkojnë zbërthimin e domethënies së tyre. S’ka dyshim se Profesor Ajeti asnjëherë nuk e ka tradhtuar, thënë figurshëm, nuk e ka vrarë të vërtetën shkencore, siç ka ndodhur me disa diletantë, me njohuri të ngushta mbi zhvillimin e gjuhës shqipe, të cilët, pa farë etike, me studimet ekstreme dëshmojnë njëfarë amatorizmi qesharak. Nëse Ali Asllani ishte princ i lirikës shqipe, Prof. Idriz Ajeti ishte më shumë se princ i linguistikës dhe gjuhësisë krahasimtare. Duke u marrë me studimin e veprave shkencore mbi gjuhën dhe disiplinat e saj të Prof. Idriz Ajetit, akademiku i çmuar, Kolec Topalli, ndër të tjera, shton: “I pajisur me një largpamësi të thellë dhe horizonte të hapura, akademik Ajeti e vuri jetën e tij në shërbim të shkencave albanologjike dhe të arsimit shqiptar në një kohë kur ato kishin nevojë më shumë se kurrë për fjalën e shkencëtarëve të përgatitur, të palodhur dhe të përkushtuar... Në të gjitha punimet gjuhësore spikat mendja e hollë e shkencëtarit objektiv, që rezultatet gjuhësore i vë në shërbim të idesë kombëtare dhe fuqisë qëndrestare të etnisë shqiptare” (Kolec Topalli, Mendja e hollë e albanologut objektiv, Prishtinë, Koha ditore, 16 shkurt 2019, f. 21).

Në tekstet e shkruara për profesorin e profesorëve, shpirtbardhë e përherë të çmuar, për fisnikërinë dhe kontributin e tij të madh në gjuhësinë, kulturën dhe botën shqiptare, prof. Bahtijar Kryeziu sikur e ka kuptuar ndjeshmërinë se është vështirë t’i rrokësh të gjitha sukseset, të gjitha vlerat e meritat e Profesor Idriz Ajetit në fushën e dijes së shkencave albanologjike e ballkanologjike. Është vështirë t’i kapësh të gjitha meritat e Profesor Ajetit si albanologu i parë në Kosovë, me dituri e përgatitje të thella, si drejtor i parë i Institutit Albanologjik, si lektor i dalluar në Degën e Fakultetit të Filozofisë në Universitetin e Beogradit, si profesor i parë në Degën e gjuhës së letërsisë shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, si rektor i Universitetit të Kosovës, si udhëheqës i parë në nxjerrjen e revistës shkencore “Gjurmime albanologjike” me tri seritë e saj, si shkencëtar që me idetë paravajtëse formoi dhe e bëri funksional Seminarin e Gjuhës dhe Kulturës Shqipare për albanologët e huaj, si kryetar i suksesshëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si kontributdhënës në gjuhën letrare kombëtare dhe duke ushqyer admirim të thellë për Profesorin Idriz, i cili pa përtesë e ka udhëhequr në punën hulumtuese shkencore deri në temën e doktoratës, për të gjitha këto vlera e ndihmesa Profesor Ajeti në tekstet e prof. Bahtijar Kryeziut vjen e dritësohet si njëra ndër figurat më të rëndësishme të gjuhësisë shqiptare dhe një nga emrat që la gjurmë të pashlyeshme në gjuhësinë e kulturën shqiptare në përgjithësi. Duke bërë objekt studimi punën shkencore, pedagogjike, kulturore dhe tërë veprën gjuhësore të Profesor Ajetit, të gjitha vlerësimet e dhëna nga studenti i tij, prof. Bahtjar Kryeziu, vijnë, para së gjithash, si rezultat i dijes, i përgatitjes profesionale në shkallë të lartë dhe, do të thoshim, edhe përkushtimit, respektit dhe ndershmërisë shkencore e njerëzore, që janë kushte për çdo punë të ndershme, krijuese e shkencore. / Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat